Mbrëmjen e djeshme te Amfiteatri në zonën e Liqenit Artificial është organizuar koncerti i parë pas Covid-19.
Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë bën thirrje për distancim social dhe respektim të masave të marra ndaj Covid-19 dhe ndalimin e grumbullimeve, Amfiteatri ka pritur dhjetëra qytetarë që kanë kaluar mbrëmjen e djeshme nën ritmet e muzikës shqiptare.
Të ftuarit specialë Fifi, Eli Fara, Eranda Libohova, Anxhela Peristeri, Marsela Çibukaj, Eneda Tarifa, etj, që kanë bërë që qytetarët të harrojnë krejtësisht koronavirusin falë muzikës së tyre.
Thirrja për të marrë pjesë në koncert është bërë nga vetë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi qytetarët që ta kalonin mbrëmjen e së martës tek Amfiteatri, në koncertin që sipas tij është bërë në nder të infermierëve dhe mjekëve, të cilët janë në vijën e parë të luftës me Covid-19.
Pak ditë më parë kryeministri Rama kërcënoi se do të ndalohej çdo lloj grumbullimi, “qoftë edhe politik”, madje pak minuta më parë Policia nuk ka lejuar punonjësit e transportit publik të protestojnë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transporteve.
Mirëpo, si duket këto rregulla nuk vlejnë për kryebashkiakun e Tiranës, i cili mblodhi dhjetëra njerëz dhe la pas virusin që na ka nënshtruar prej muajsh.
Ndërkohë,situata ditët e fundit në vendin tonë ka qenë tepër problematike dhe vetëm ditën e djeshme janë raportuar 52 persona të prekur me Covid-19, kurse numri i përgjithshëm i viktimave në vendin tonë ka shkuar në 46.