MENU
klinika

Në mbledhje edhe ambasadori i BE

Integrimi/ Rama-Meta në një tryezë! Çfarë pritet nga ky takim?

09.06.2020 - 08:18

Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Rama nuk ishin ulur në një tryezë të përbashkët që nga situata e shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit vitin e shkuar.

Kanë kaluar 8 muaj nga kjo mbledhje, duke mos llogaritur dy mbledhjet në distancë të Këshillit Kombëtar gjatë pandemisë së COVID-19 dhe motivi që i ka bërë sërish bashkë dy krerët më të lartë të shtetit, është integrimi.

Do të jetë mbledhja e Këshilli Kombëtar të Integrimit sot, në Pallatin e Kongreseve, me temë “Zhvillimet më të fundit në kuadër të përgatitjeve për procesin e negociatave në Bashkimin Europian dhe prezantimi i projekt-planit gjithëpërfshirës të masave të integrimit europian”, që përveç Metës dhe Ramës do të ulë në një tryezë të përbashkët edhe kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, e ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca.

Punimet e Këshillit do të nisen nga kryetarja, Rudina Hajdari, e cila do të pasohet nga ambasadori i Bashkimit Europian, Soreca, dhe më pas Presidenti Meta. Pas tyre, në sesionin e dytë të takimit do të diskutojnë ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, e pas tij kreu i qeverisë, Edi Rama.

Pas tyre, në përmbyllje të takimit do të flasë edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, që mban edhe postin e zv.kryetarit të këtij Këshilli. Kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar të Integrimit vjen në një kohë, kur zyrtarisht Bashkimi Europian ka dhënë aprovimin për nisjen e procesit të negociatave me vendin tonë.

Gjithashtu, vjen vetëm pak ditë pas arritjes së marrëveshjes maxhorancëopozitë për Reformën Zgjedhore, që ambasadori i Bashkimit Europian e cilësoi si një hap më afër Unionit. Takimi ishte planifikuar për tu zhvilluar në Pallatin e Kongresve, por për shkak të pandemisë së COVID-19 do të zhvillohet online.