MENU
klinika

Prokuroria s’tërhiqet nga kërkesa për dënimin me 12 vite

Ish-ministri Tahiri kërkon pafajësi në Apel, çfarë ndodhi në seancën maratonë?

12.06.2020 - 07:59

Gjykata e Posaçme e Apelit ka zhvilluar dje seancën gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-drejtorit të Policisë Vlorë, Jaeld Çela.

Seanca zgjati për rreth 6 orë, ku prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi paraqitën akuzat ndaj ish-zyrtarëve Tahiri dhe Çela. Prokuroria nuk u tërhoq nga akuzat e ngritura ndaj të pandehurve, ndërsa sërish kërkuan që Gjykata e Posaçme e Apelit të dënojë Saimir Tahirin dhe Jaeld Çelën me 12 vjet burg.

Përballë akuzave të Prokurorisë, Saimir Tahiri dhe avokati i tij, Maks Haxhia, kishin përgatitur një mbrojtje mbi 130 faqe, ku i lexuan ato përballë trupës gjyqësore, që përbëhej nga Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni. Edhe në Apel, ashtu si te Shkalla e Parë nuk ka munguar as tabela, ku ish-ministri i Brendshëm shpjegoi argumentet e tij me data dhe vite se ku ka qenë për kohën që akuzohet dhe se përse pretendon pafajësi. Ndërkohë, në seancë, të pranishëm, ashtu si herët e kaluara, ishin edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-së për të ndjekur procesin gjyqësor.

KËRKESA E ISH-MINISTRIT

Në përfundim të seancës, Saimir Tahiri u ka kërkuar togave të zeza të shpallet i pafajshëm për akuzat e ngritura nga Prokuroria. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u vu nën akuzë pas arrestimit të grupit “Habilaj”, ndërsa që në fillim ai pretendoi pafajësi, duke e quajtur një proces farsë me prova të montuara. Në shtator të vitit të kaluar, ishProkuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin e tij me 12 vite, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar shkonte 8 vite, por Gjykata e dënoi Tahirin me 3 vite burg, të konvertuara me Shërbim Prove.

Si organi i Prokurorisë, edhe vetë i pandehuri, Tahiri, e kundërshtuan vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë në Apel. Prokuroria që nuk tërhiqet nga kërkesa për dënimin e tij me 12 vite, ndërsa ishministri kërkon pafajësi të plotë. Trupi gjykues, pas njohjes me kërkesat dhe argumentet e palëve, vendosi të shtyjë seancën për shpalljen e vendimit më datë 24 qershor, ora 09:30.

VENDIMI NË SHKALLË TË PARË

Më 19 shtator 2019, ishGjykata e Krimeve të Rënda i dha pafajësi Tahirit për akuzat e trafikimit të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal dhe e dënoi atë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Ardit Mustafaj, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, vendosi dënimin e Tahirit me 5 vjet burg dhe përfundimisht 3.4 vjet heqje lire për shkak të uljes së 1/3 nga gjykimi i shkurtuar. Gjithashtu, Gjykata vendosi pezullimin e dënimit për tri vjet, duke e konvertuar atë me shërbim prove.

Në ankimin e kryer në ish-Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, aktualisht shkalla e dytë e Gjykatës së Posaçme, Tahiri kundërshtoi edhe dënimin e dhënë nga Gjykata për “Shpërdorim detyre”. Ankim kreu edhe ish-Prokuroria për Krime të Rënda, duke e kundërshtuar rrëzimin dhe ndryshimin e akuzave. Tahiri dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u akuzuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun e narkotikëve, e kryer nga një organizatë e krimit të organizuar e drejtuar nga vëllezërit Habilaj. Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit, u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor të 2019-ës.

Ndërkohë, një proces paralel për ta filloi edhe në Shqipëri. Edhe çështja penale ndaj ishministrit Tahiri filloi në tetor 2017, pas publikimit të disa përgjimeve të anëtarëve të grupit “Habilaj”, të cilët përmendnin emrin e Tahirit dhe aludonin se i kishin blerë dhurata.

Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka shtyrë pesë herë afatin e hetimeve, duke pretenduar se ishte në pritje të marrjes së letërporosive nga Italia dhe Mali i Zi. Tahiri ishte akuzuar edhe më herët për lidhje me vëllezërit Habilaj, me të cilët ka edhe një lidhje farefisnore dhe u kishte shitur një makinë, të cilën më pas e kishte ripërdorur, por një hetim mbi këtë u mbyll pa rezultat.