MENU
klinika

Takim urgjent me Ruçin e Ramën

Kodi Zgjedhor/ Opozita parlamentare kërcënon me mosvotim

09.06.2020 - 08:14

Opozita parlamentare kërcënon me mosvotim të Kodit të ri Zgjedhor. Grupet parlamentare të opozitës kanë kërkuar një takim urgjent me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi pas marrëveshjes së arritur për reformën zgjedhore dhe me kryeministrin Edi Rama. Sipas tyre, kjo marrëveshje është në shkelje të legjitimitetit të Kuvendit të Shqipërisë, pasi i imponohet vendimmarrjes sovrane të këtij institucioni.

Kreu i grupit demokrat Myslim Murrizi ka postuar një status në rrjetin social Facebook, ku bën me dije se i ka nisur një letër kryeministri Rama dhe kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi në lidhje me reformën zgjedhore. Opozita parlamentare nënvizon se ka dy kushte të panegociueshme në lidhje me reformën.

“Në frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila përcakton qartë në Nenin 81, pika 2, gërma “c” se ndryshimet në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, si opozitë parlamentare kemi propozuar dy kushte të panegociueshme, plotësimi i të cilave sjell votimin tonë në Kuvend. A) Kodi i ri Zgjedhor duhet të jetë i ri, jo një arnim skandaloz i Kodit të vjetër Zgjedhor ku shkelen me të dyja këmbët rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Ata që ikën nga Parlamenti nuk mund ta mbajnë peng as Parlamentin as procesin zgjedhor në Shqipëri sipas hesapeve të tyre, qoftë edhe me bekimin e kryetarit të mazhorancës që sillet edhe si Ali edhe si Kadi sipas hesapeve të tij. B) Shumica në Kuvendin e Shqipërisë duhet të na krijojë kushtet dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur, për kalimin nga listat e mbyllura tek listat e hapura”, thuhet në letrën e opozitës parlamentare.

Tryeza e dialogut

Opozita parlamentare kërkon që brenda 48 orësh të thërritet një tryezë dialogu. Nëse kjo nuk ndodh, grupet parlamentare të opozitës shprehen se do bojkotojnë seancën. “Ju bëjmë me dije se në mungesë të plotësimit të kushteve të mësipërme, deputetët e opozitës parlamentare nuk mundet dhe nuk do ta votojnë produktin e dalë nga një marrëveshje pazari jashtë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë.

Ju nuk duhet që të bëni gabimin e shumëkujt që kujton gabimisht se ne jemi kartonë në dispozicion të Lulzimit apo Monikës! Për ne janë ata kartat e djegura dhe marrëveshja e tyre, kartë e djegur njëlloj si mandatet e tyre. Ne nuk duam as t’ju kërcënojmë me bojkot dhe as t’ju imponojmë një pazar të ri pas pazarit të tjetër. Por ne nuk do ta gëlltisim çorbën e prishur të të ashtuquajturit Këshill Politik. Prandaj ju sugjerojmë të mos e nënvlerësoni këtë kërkesë dhe të mundësoni tryezën e dialogut brenda institucionit të Parlamentit brenda 48 orësh”, shprehet opozita.

PS-së i nevojiten vetëm 3 vota

Partia Socialiste në Parlament sëbashku me ish-deputetët e PDIU ka 79 deputetë. Ndërkohë Kodi i ri Zgjedhor që të kalohet kërkon 84 vota. Sakaq nga opozita parlamentar Rudina Hajdari është bashkëkryetare e reformës zgjedhore dhe ka firmosur marrëveshjen e reformës zgjedhore kësisoj Hajdari do të votojë pro saj në Kuvend. Ndërkohë deputeti i opozitës parlamentare, Lefter Maliqi ka deklaruar në media se ai do të votojë pro, pra mazhoranca ka edhe 2 vota të tjera plus deputetëve të saj.

Bazuar në këto të dhëna, mazhorancës i duhen vetëm 3 vota për të kaluar Kodin e ri Zgjedhor. Por kjo nuk pritet të jetë një problem për mazhorancën, pasi ajo mund t’i sigurojë lehtë këto vota duke lobuar tek opozita parlamentare. Kjo e fundit është pak aktive, sipas një studimi të Institutit të Studimeve Politike, vetëm 5-8% e opozitarëve të rinj i kanë bërë oponencë me votë nismave ligjore të PS-së. Pjesa tjetër, vullnetarisht ka votuar pro saj, pavarësisht se bëhej fjalë për nisma që shpesh kanë hasur në kontestime të forta publike.