MENU
klinika

Rama mbledh online Konferencën Vjetore të Sigurisë së OSBE

“Koha për armëpushim global, kjo është thirrja ime urgjente”

24.06.2020 - 09:21

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar dje një takim online në cilësinë e kreut të OSBE. Konferenca Vjetore e Rishikimit të Sigurisë 2020, duhej të mbahej në Vjenë, por për shkak të COVID-19 është zhvilluar online.

Si kreu i OSBE, Rama ka treguar qëllimet e tij në krye të kësaj organizate duke e vënë theksin tek COVID-19, konflikti në Ukrainë dhe terrorizmi. Ai u bëri thirrje gjithë palëve që të bëjnë një armëpushim global pasi edhe koronavirusi tregoi që në fund të fundit jemi qenie njerëzore.

“Është kënaqësi e nder që të rishikojmë tablonë e sigurisë. U bënë 6 muaj në krye të OSBE, kaluam kufizimet dhe ndërlikimet e COVID-19 për të vijuar me aktivitet. Është e qartë për mua se kemi nevojë për ndryshim. Megjithatë shoh një mungesë vullneti për të reflektuar seriozisht dhe për të përdorur imagjinatën”, deklaroi ai.

Më tej kreu i OSBE, zoti Rama theksoi se ka ardhur koha që të bëhet një armëpushim dhe të lihen mënjanë armiqësitë.

“Po ju bëj thirrje urgjente për një armëpushim global. Koha për të lënë mënjanë armiqësitë, na duhet solidaritet. Duhet të kujtojmë së pari e mbi të gjitha që jemi qenie njerëzore. Që kanë njerëzimin të përbashkët. Në shkurt shkova në Ukrainë dhe pashë punën që ka bërë OSBE në terren. Isha optimist. Kam vijuar që të jem optimist, por jam i shqetësuar për përmirësimin. Duhet të shohim parimet e marrëveshjes së Minskut. Duhet të rigjallërojmë diskutimet në formatin e grupit të kontaktit. Duhet të ngrihen mbi praktikat e palëve të kontaktit. Iu bëj thirrje palëve të marrin përgjegjësitë. Duhet të arrijmë në kohë angazhimet. Armëpushim i plotë dhe gjithëpërfshirës. Duhet t’u japim fund viktimave dhe t’i japim drejtim për një zgjidhje të qëndrueshme. Misionit duhet t’i lejohet të bëjë punën e vet. Unë sinqerisht shpresoj të shoh muajt e ardhshëm në Ukrainë. Të gjithë të përfshirët ta bëjnë të mundur këtë. Ky nuk është i vetmi konflikt në rajonin tonë”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama u shpreh se OSBE do të vijojë për të zgjidhur konfliktet dhe shtoi se kërcënimi nga terrorizmi nuk është zbehur, pasi kërcënimet janë shumë serioze. Kujtojmë që, Rama e ka marrë kryesimin e OSBE që në janar 2020 dhe në fokus të punës së tij ka qenë konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës. Kreu i qeverisë ka zhvilluar një vizitë në këto dy vende duke kërkuar që të ketë një armëpushim, pasi situata në zonën e luftës ishte shumë e rëndë.