Koronavirusi ka mbërthyer institucionet e vendit. Me shtimin e numrit të të infektuarve në vend me ritme të shpejta, virusi ka mbërritur dhe në disa nga institucionet e rëndësishme të vendit. Sipas të dhënave dhe burimeve të gazetës, është mësuar se ka të infektuar me koronavirus në Kryeministri, Ministrinë e Financave, në Bashkinë e Durrësit dhe dyshohet se ka edhe në Bashkinë e Tiranës.
Institucionet kishin pezulluar aktivitetin e tyre normal për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe aktiviteti po kryhej kryesisht online ose nën masa të rrepta sigurie, por me liberalizimin e masave u rikthye aktiviteti normal edhe në institucione ku shumë punonjës u rikthyen në zyra, por kjo është shoqëruar me infektimin e disave prej tyre në institucionet e rëndësishme të vendit. Janë shënuar 6 raste me COVID-19, sipas burimeve të gazetës, në Ministrinë Financave.
Mësohet po ashtu se shkak për përhapjen e virusit është bërë një specialist i Tatimeve, i cili ka kryer një mbledhje në Ministrinë e Financave e për pasojë ka infektuar stafin e atyshëm, pasi që personi në fjalë ishte mbartës i koronavirusit, duke e bërë kësisoj shkaktar të infektimit të 5 personave të tjerë në këtë ministri. Sakaq gazeta ka mësuar se Ministria e Financave si pasojë e rritjes së rasteve me koronavirus, ka udhëzuar që të reduktohet stafi i pranishëm në institucione dhe të kryhet puna nga shtëpia, me qëllim shmangien e grumbullimit të shumë personave në një ambient.
Infektime në Kryeministri dhe bashki
Sakaq përpos infektimeve në Ministrinë e Financave ku janë aktualisht 6 të infektuar, gazeta ka mësuar se ka të infektuar me koronavirus edhe në Kryeministri. Dy specialistë të cilët punojnë në Kryeministri kanë dalë pozitivë me koronavirus. Si pasojë e infektimit të një pjesë të stafit është urdhëruar që ky i fundi të reduktohet për të shmangur përhapjen në mënyrë masive të virusit në këtë institucion. Sakaq, është konfirmuar rasti i dytë pozitiv me COVID-19 në Bashkinë e Durrësit.
Punonjësi që ka rezultuar dje pozitiv është rast kontakti me rastin e parë, i konfirmuar para disa ditësh. Po ashtu rezulton se në karantinë ndodhen të gjithë punonjësit që kanë pasur kontakt me të prekurit, në pritje edhe të përgjigjes së tamponit. Zëdhënësi i Bashkisë së Durrësit, Dorjan Agolli deklaroi se edhe ai ishte në karantinë 14 ditore. Ndërkaq, në godinën e bashkisë nuk janë lejuar qytetarët. Pritet që të bëhet dezinfektimi i saj e më pas të rikthehet shërbimi. Bashkia është mbyllur që nga dita e shtunë. Ndërkohë dyshohet se edhe në Bashkinë e Tiranës janë regjistruar raste me koronavirus, por ende nuk është bërë e ditur nga organet përkatëse.
Sakaq Tirana është qyteti më i prekur në Shqipëri me COVID-19. Vetëm ditën e djeshme janë konfirmuar 28 raste të reja, e ndërsa në total numri i të infektuarve aktivë në kryeqytet ka shkuar në 249. Vatrat më kryesore në Tiranë janë Qyteti Studenti, Komuna e Parisit, Kodra e Diellit, Unaza e Re, zona e Freskut, rruga Sami Frashëri, rruga e Elbasanit dhe rruga e Dibrës.
Mbyllet një çerdhe
Ndërkohë ditën e djeshme është mbyllur me urgjencë çerdhja numër 16 në ish-Bllok, pasi dyshohet se edukatoret janë infektuar me koronavirus. Është bërë me dije se ditën e djeshme janë njoftuar prindërit që të marrin fëmijët e tyre dhe për 14 ditët e ardhshme nuk do të mund t’i çojnë më aty. Dyshimet janë se një ose më shumë edukatore kanë rezultuar pozitive me COVID-19 duke shtyrë drejt marrjes me urgjencë të këtij vendimi. Lajmi është konfirmuar edhe nga zyrtarë të Bashkisë Tiranë, por nuk bëhet e ditur se kush dhe sa persona kanë rezultuar pozitivë, pasi kjo është kompetencë e personelit shëndetësor që merret me gjurmimin e rasteve.