Më shumë se një reformë zgjedhore, dy faqet e firmosura mbrëmjen e 5 qershorit kanë trajtën e një marrëveshje politike, për t’i dhënë më shumë garanci opozitës që të marrë pjesë në zgjedhje.
Për vite të tëra u tha se reforma duhej të ishte sipas ODIHR, por rekomandimet e këtij organizmi u injoruan si sa i përket depolitizimit ashtu edhe elektronikës.
E para mes 12 pikave është identifikimi elektronik, për të cilën u tha se do të aplikohet 100% në të gjithë vendin. Por teksti në të vërtetë thotë se aplikimi i saj mund të jetë edhe i pjesshëm dhe shtrirja do të vendoset nga ekspertë të jashtëm.
Nga teksti i marrëveshjes
“Palët angazhohen të mbështesin implementimin e identifikimit elektronik duke përfshirë 100% të votuesve në zgjedhjet e ardhshme, për aq sa është teknikisht e zbatueshme. Zbatueshmëria do të përcaktohet nga KQZ e mbështetur nga ekspertizë ndërkombëtare. Qeveria do të garantojë fondet në kohë për implementimin, për aq sa është teknikisht e zbatueshme”.
Monitorimi i procesit do t’i besohet nënkryetarit të KQZ që do të ketë të drejta të barabarta me kryetarin, ndërsa vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndryshon strukturën në 3 kate.
Nga teksti i marrëveshjes
“Struktura e KQZ do të përfshijë trupën vendimmarrëse (me 5 anëtarë), atë të apelimit (me 5 anëtarë), një kryetar dhe një zëvendëskryetar. Anëtarët e dy trupave do të dakordësohen në proporcion mes pozitës dhe opozitës. Kryetari do të përzgjidhet përmes konsultimeve”.
Sa i përket ankimimit, ai do të kryhet në Kolegjin Zgjedhor me gjyqtarë që e kanë kaluar vettingun dhe jo në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa administrimi i zgjedhjeve do të vijojë të jetë në duart e njerëzve të politikës.
Depolitizimit të shumëkërkuar nga ODIHR i hapet dera duke filluar nga zgjedhjet e vitit 2025.
Nga teksti i marrëveshjes
“Ekipet e numërimit përbëhen nga dy zyrtarë jo politikë, një prej cilëve numëron dhe tjetri ndihmon, duke ndryshuar rolet për çdo kuti votimi. Anëtarët e tjerë do të jenë ose nga dy monitorues për secilën palë mazhorancën dhe opozitën, ose nga tre vëzhgues për secilën palë mazhorancën dhe opozitën, ose nga një monitorues prej secilës nga katër partitë kryesore parlamentare sipas rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2017”.
ZAZ-të dhe Qendrat e Votimit do të kenë të njëjtën strukturë, por duhet gjithashtu të presin zgjedhjet 2025 për t’u depolitizuar.
Nga teksti i marrëveshjes
“Dy anëtarë të komisionit të drejtat dhe përgjegjësitë e të cilëve janë të kufizuara te monitorimi dhe kontestimi, për secilën palë mazhorancën dhe opozitës, si dhe tre anëtarë të emëruar me short nga KQZ, prej të cilëve vetëm një do të jetë kryetar dhe do të marrë vendime. Dy të tjerët do të shërbejnë si ndihmës të kryetarit, pa të drejtë vote”.
Marrëveshja mbyllet me shënimin se kërkesat për qeveri kujdestare dhe një kryepolic kujdestar nuk do të bëhen pengesë për miratimin e draftit.