MENU
klinika

Nga Shpëtim Nazarko

Kryeministër, Pashalimani nuk jepet për asgjë në botë!

09.06.2020 - 13:16

Ditët e fundit, pandehmat se Pashalimani në Vlorë, mund t’i jepet për bazë ushtarake Natos, ashtu siç u veprua me Kuçovën, duket se janë realitet. Pandehmat filluan me zhurma të zakonshme në gazeta greke, që e shihnin veprimin e mësipërm, jo si një dhënie Natos, por Turqisë. Duket se kjo zhurmë rezulton e kotë, por e vërteta mbi dhënien e bazës ngelet, referuar kjo edhe përgjigjes së Komandës së Atlantikut verior.

Para se të mundohem të sqaroj pikëpamjen time, se Pashalimani nuk jepet për asgjë në Botë, po paraqes shkurt, disa pikëpamje të përgjithshme. Megjithëse, simpatinë timë të hapur ndaj disa veprimeve të Ramës, veçanërisht në mandatin e parë, simpati që për militantët torollakë, quhet shërbim ndaj tij të majtës, etj., etj., duhet të ndalemi e të shohim, se çfarë po ndodh veçanërisht, kohët e fundit.

Përparimi relativ i Shqipërisë, pas mandatit të Ramës në vitin 2013, u shqërua me një sqimë të një lloji tjetër nga ajo e mëparshmja. Kjo, në lidhje jo vetëm me cilësitë e ndërtimeve në rrugë dhe qendra banimi, por dhe me pyllëzimin e ambientit, reformën territoriale, moratoriumin për ndërtimet pa leje etj., etj. E mjaft operacione të ngjashme, që duket se më në fund, po i ndryshonin faqen vendit.

Ndërkaq, nuk duket e vështirë, se ashtu si dhe në gjithë periudhën e mëparshme, që Shqipëria vazhdon të mbetet pa Strategjinë kombëtare të zhvillimit, pa Reformën e tokës dhe pa arsimin real profesional. Të mjaftueshmë këto, për të dalë në konkluzionin se, vendi ka mbetur pa ëndërr, apo se nuk mund të shkojë përpara edhe nëse çdo ditë përparon me milimetra a kilometra, në ato që qeveria apo ithtarët e saj, i quajnë sektorë zhvillimi. Elementë këto, që të thonë, se shpejt a vonë, do të ngelemi në vend dhe do të ngremë edhe njëherë, si gjithnjë, duart përpjetë. Po le të kthemi, në temën që jep tiulli i artikullit.

Straboni, e quante Vlorën, portin më të madh të antikitetit. Romakët e kishin atë, bashkë me Durrësin, si një nga dy pikat hyrëse që vinin nga rruga “Apia” dhe kryqëzohej në këto pika, për të vazhduar me Egnatian e që lidhte, Perandorinë Romake të Perëndimit me të Lindjes. Pra, mund të thuash edhe se, ishte rruga më e rëndësishme e botës.

Perandoria turke, që ishte më e dobëta në të gjithë historinë e perandorive në det dhe Shqipëria ishte periferi e saj, ia humbi rëndësinë kësaj rruge dhe bashkë me të, edhe të njërës prej pikave hyrëse Durrësit. Ajo mbajti vetëm Pashalimanin, si pika më e afërt që mund ta lidhte me Italinë. Hoxha, ia dha për një kohë Pashalimanin rusëve, duke e mbyllur pastaj, përfundimisht, vendin. Dhënia e Pashalimanit Natos, apo më saktë amerikanëve, nuk duhet parë si një vepër analoge e Hoxhës me rusët, megjithëse, ata që kanë drejtuar Shqipërinë, që nga koha e Ali Tepelenës, kanë ndërruar vazhdimisht partnerët, jo kaq për interesa të vendit, se për ato personale. Analogjia e mësipërme, nuk ka vlerë. Për Shqipërinë, Amerika, që ndjek politikën e Austro-Hungarisë, është mbrojtësja dhe aleatja e përjetshme e Shqipërisë, parë në konceptin gjeopolitik. Po përse nuk duhet, për asnjë arsye në botë, Pashalimani, t’u jepet edhe amerikanëve, apo thënë ndryshe, Natos.

Duke dhënë Pashalimanin, apo Vlorën, praktikisht, Shqipëria humbet  Portin më të madh të saj, që në studimet po amerikane (që e ngatërrojnë në realitet, me Durrësin) është potencialisht e një rëndësie të barabartë me Hamburgun dhe Roterdamin, apo dy nga më të mëdhenjtë e botës. Ajo është pika hyrëse e Korridorit të tetë, prej ku mallrat e ardhura të të gjithë të mëdhenjve të kësaj bote, mund të vinin nga Gjibraltari. Prej Vlorës, shkonin në Maqedoni, që është Dispeceria e Ballkanit dhe prej andej, në Stamboll, Evropë qendrore, apo në doni, në Rusi nëpërmjet Ukrahinës. Bashkë me Maqedoninë, që thith mallrat nga Suezi, Shqipëria do të ishte nga faktorët kycë të Ballkanit a më gjerë.

Po dhe nëse Shqipëria, nuk do të përkundte këto ëndrra të mëdha, që janë vepër e tipit Bismark, a Pjetër i madh i Rusisë, ajo do të ishte thjesht e vdekur. E mbetur pa port (Durrësi, nuk e plotëson këtë qëllim, se është i cekët dhe mbetet i tillë, sado të thellohet), por edhe pa hekurudha, Shqipëria nuk trasporton dot së pari, eksportet e saj, që janë të natyrës së rëndë, si: minerale, çimento, ujë apo gurë.

Me dhënien e Pashalimanit, Shqipëria, kështu thyente përfundimisht, një nga shtyllat themelore të Strategjisë kombëtare, atë që shfrytëzon Pozicionin gjeografik. Mbetej një gropë e madhe dhe një vend, pa asnjë lloj ëndrre.

Kjo arsye elementare, për mua mjafton, që Pashalimani, nuk mund t’i jepet, për asnjë arsye në Botë, as Natos, as amerikanëve dhe asnjeriu në botë. Duke dhënë Pashalimanin, është njësoj sikur të vetëvarrosemi.