MENU
klinika

"Do t'i jepet goditje e fortë"

Kundër kanabisit/ Lleshaj paralajmëron plan kombëtar

27.06.2020 - 11:15

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë një takimi në Peshkopi me përfaqësues e të zgjedhur vendorë, Prefektin e Qarkut, drejtues të Policisë së Shtetit & IKMT, drejtues rajonalë, ka cilësuar kanabisin një problem për këtë qark.

Përveç kultivimit të kanabisit, që sipas ministrit shkakton probleme zinxhirë, në Peshkopi ekziston dhe problemi i shfrytëzimit të pasurive publike duke iu referuar në këtë rast mineraleve.

“Peshkopia ka pasur shumë probleme. Situata emergjente ka kaluar por mbeten disa aspekte që kërkojnë vëmendje. Ka ndërhyrje të individëve për shfrytëzimin e pasurive publike, mineraleve, që është problem i madh”, u shpreh z. Lleshaj.

Kurse për luftën ndaj kanabisit, ministri tha se, përgjegjësia nuk është e gjitha e Policisë së Shtetit, por edhe e drejtuesve lokale që kanë për të detyrë kontrollin e territorit.

“Në Dibër mbetet shqetësim kanabisi. Është detyrë dhe përgjegjësi e pushtetit vendor për t’u angazhuar në një fushatë të madhe kundër kanabisit, jo kundër bimës në vetvete se e ka bërë Zoti si të gjitha bimët e tjera, por kundër kultivimit dhe trafikimit të saj”, theksoi ministri.

“Ky fenomen ka prodhuar një të keqe të madhe sidomos tek të rinjtë që e shohin si rrugë për t’u bërë shpejt të pasur. Nuk mund të bëhen të gjithë të pasur. Problemi qe kemi me kanabisin është se nuk kanë prodhon vetëm njerëz të çorientuar, por na prodhon krim dhe pasuri të paligjshme. Kjo pasuri sjellë grupe të fuqishme”, shtoi ia.

Z. Lleshaj foli për plan kombëtar kundër trafikimit të lëndëve narkotike duke paralajmëruar se këtë vit këtij fenomeni do t’i jepet një goditje e fortë. Për këtë synim ai kërkoi angazhimin e të gjitha organeve.