MENU
klinika

Nga Enkel Demi

Kur ardvelinjtë të kërkojnë “falje” është e qartë që po të bëjnë presion!

08.06.2020 - 10:15

Zaida Çobo ka tërhequr padinë ndaj Ardi Veliut, gjë që ka shkaktuar mëri ndaj saj. Ata që më së shumti dënuan fuqishëm këtë shëmti të Ardi Veliut, i janë kthyer Zaidës, e cila ka tërhequr padinë ndaj drejtorit të Policisë së Moralit.

Në fakt, halli që zuri zonjën vuri në pah që në këtë shtet je vetëm. Ajo pati shumë më tepër guxim se sa na e priste mendja, pasi e përballoi vetëm gjithë trysninë që ushtron një regjim çnjerëzor që ardvelinjtë i bën drejtora policie, kurse shefat e tyre i shndërron në Ajatollah.

Ata që e kanë me Zaidën, po jua mbajti duhet të vazhdojnë ta kenë me ardvelinjtë dhe edraminjtë. Zonja bëri sa mundi, të paktën i detyroi të ulin kokën, qoftë sa për sy e faqe.

Por, askush nga ne nuk e di se cila është dhuna e presionit që ajo ka hequr, pasi ia zhdëpën të birin në dru. Një polici që të rreh fëmijën, sepse ka dëshirë të bëjë shëtitje me biçikletë, është një polici që pa dyshim të kanos pasi ka ndodhur gjëma.

Qëndrimi i mëpasëm i Ardi Veliut është kërcënim ose më mirë në gjuhën e të fortëve presion.

Ai është drejtor i policisë, ku kriminelët janë bërë drejtues dhe vëzhgojnë se si gjelbërohen arat me hashash për të mbledhur hisen që u takon.

Ardi Veliu është drejtor i policisë që hap kufinjtë për të trafikun e drogës dhe futet vetë në pazar.

Ardi Veliu drejton policinë, ku drejtorët e kufirit bëjnë trafik njerëzish.

Ardi Veliu drejton policinë e një vendi, ku përdhunuesit e fëmijëve shpërndajnë video, teksa marrin rroga shteti për të krijuar rrjete pedofilësh.

Ardi Veliu është drejtori i policisë pa numra identifikimi që i hyn në dru protestuesëve ditës për diell.

Ardi Veliu është drejtori i policisë që i ka të gjithë vrasësit në drejtim të paditur.

Ardi Veliu është drejtori i policisë së gazit lotsjellës.

Ardi Veliu është drejtori i policisë së avionëve Piper.

Ardi Veliu është drejtori i policisë, ku emërimet e shefave të komisariateve ia bëjnë bandat.

… dhe lista mund të jetë çarçaf.

Tani, si mundet një zonjë e pambrojtur t’ia dalë këtyre? Pse duhet sulmuar ajo? “Trimat” virtualë, nëse munden le të merren me ardvelinjtë, të cilët do të numërojnë votat, do vjedhin zgjedhjet dhe në fund do i bëjnë dush gjindjes me gaz lotsjellës dhe masazh me shkop gome.

Ata që sot janë në rolin e gjykuesit ndaj zonjës kanë vetëm një fat; që nuk u ka ndodhur atyre ajo që gjeti Zaida Çobën me të birin. Sepse, vështirë do ta kishin t’ia kishin dalë ndryshe.