MENU
klinika

Le të këndojmë Çajupin

Kur na merr malli për magjinë e fjalës…

22.06.2020 - 06:20

Ai ishte një tjetër nga “gjenitë” e romantizmit shqiptar që jetën e mbylli në mërgim. Shkroi shumë por vepra derisa ishte në jetë u botuan pak.

Tragjedia “Burr‘ i dheut”, e shkruar në vitin 1907 ka mbetur e pabotuar me gjallje të autorit. Vepra ka personazh qendror Skënderbeun. Poeti, si çdo rilindës, synonte të ringjallte kujtimin e Heroit Kombëtar, por në mënyrën e vet, duke thyer traditën e një rrëfimi historik dhe duke ndërtuar një subjekt tragjik, me një intrigë që nuk merr pseudopatriotët vanitozë që flirtojnë me demagogjinë e xhonturqve.

Po për këtë temë, ai shkroi më 1910 komedinë “Pas vdekjes”, e ripunon pas 10 vjetësh, por, edhe kjo vepër mbeti e pabotuar me gjallje të poetit.

I ngazëllyer nga fitorja e forcave demokratike, të udhëhequra nga F.S. Noli në qershor të 1924-ës dhe me dëshpërimin e një republikani që pa të vendosej monarkia në Shqipëri më 1928, shtyu ditët e fundit derisa më 13 korrik të 1930-ës mbylli sytë në vilën e tij, në lagjen aristokratike “Heliopolis” të Kajros, i rrethuar nga shqiptarët patriotë të Misirit dhe i harruar në atdhe. Në parathënien e botimit, profesor Jorgo Bulo bën një prezantim të hollësishëm të Çajupit. Fillimisht ai është një fëmijë që nuk e dinte se çfarë i kishte rezervuar fati. Më tej, jeta e tij rrjedh mes letërsisë, shqetësimeve të kohës që jetonte, ndryshimeve historike, e madje edhe mohimeve ndaj tij. “Baba Tomorri”, vepra e tij e parë poetike, e botuar në Kajro më 1902, do të bënte që edhe Faik Konica të paralajmëronte se “na leu një vjershëtor”!

“A.Z. Çajupi është shkrimtari që jetoi në kapërcyell të dy kohëve; ai jetoi nga njëra anë kohën historike të Rilindjes dhe kohën historike të fillimeve të shtetit të pavarur shqiptar dhe nga ana tjetër kohën letrare të romantizmit dhe kohën letrare të fillimeve të realizmit në letrat shqipe. Vepra e tij, duke mbajtur vulën e të dy kohëve, u kthye në një faktor aktiv të zhvillimit dhe të emancipimit shpirtëror, politik e artistik të shqiptarëve gjatë atij shekulli ndryshimesh të mëdha në jetën e tyre. Kjo është një meritë historike që i jep poetit një vend të veçantë në rrjedhën historike të zhvillimeve letrare dhe shoqërore të shqiptarëve nga gjysma e dytë e shek. XIX në gjysmën e parë të shekullit XX, i cili ishte shekulli i tyre, në kuptimin që në këtë shekull ata formuan letërsinë e tyre kombëtare dhe shtetin e tyre të pavarur kombëtar”, shprehet Bulo, të cilit i ka takuar misioni për të sjellë të plotë në ditët e sotme, veprën e Çajupit.

Sipas Bulos, letërsia shqipe e Rilindjes Kombëtare është, në mos e vetmja, nga të rrallat letërsi romantike që thuajse nuk e pranoi satirën dhe sarkazmën në arsenalin e mjeteve të saj. Kjo kornizë i vinte pranga vetëdijes kritike e qytetare të Çajupit dhe ai i theu ato pranga, duke e pasuruar letërsinë me një përmasë të re. “Por ky kalim nga entuziazmi afirmativ romantik në patosin sarkastik ishte brutal dhe gati skandaloz për veshët e pamësuar me të. Këtu duhet kërkuar dhe përgjigjja e pyetjes që ka munduar shpesh studiuesit: pse u prit në mënyra të ndryshme vepra e Çajupit nga kritika, e cila ose i thuri himne ose i lëshoi anatema. Shkaku ishte se ajo trondiste disa norma, thyente disa kanune e prishte amullinë, në klimën e së cilës rrezikonte të vegjetonte krijimtaria artistike”, thekson ai. U bë mbi një shekull e ca nga botimi i “Baba Tomorrit”, të parës vepër të Çajupit, dhe po bëhet një shekull që ai nuk është më.

Ky shekull ka shënuar të paktën tri epoka politike në jetën e shoqërisë shqiptare, kanë ndërruar breza dhe sisteme shoqërore, kanë ardhur dhe kanë ikur kalorës dhe pseudokalorës të atdhetarizmës, por vepra e Çajupit ka mbetur e gjallë dhe është bërë pjesë e ndërgjegjes historike dhe estetike të shqiptarëve. Ndërsa në fund të çdo vëllimi, Bulo shënon: “Kur na merr malli për magjinë e fjalës, le të këndojmë Çajupin, kur na mundon malli për njerëzit dhe gurët e vendlindjes, le të këndojmë Çajupin, kur na zë malli i mërgimtarit, le të këndojmë Çajupin, kur na djeg malli i dashurisë, le të këndojmë Çajupin, kur na zë malli për këngën e fyellit dhe malli i shqipes, le të këndojmë Çajupin. Çajupi është poeti i Atdheut dhe i të mërguarve, i të dashuruarve dhe i të rebeluarve, poet i shpirtit të lirë njerëzor”.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit