Pavarësisht se hapja e listave për deputetë nuk ka mbështetje zyrtare nga Partia socialiste, një prej deputetëve të saj, Adnor Shameti thotë se ky sistem gëzon mbështetje qytetare, duke shtuar se listat e hapura nuk duhen të jenë tabu për mazhorancën.
“Besoj se është shumë e shëndetshme që të ketë hapje listash dhe natyrisht si rrjedhojë të mos ketë më koalicione parazgjedhore”, thekson ai në një postim në rrjetet sociale.
Ai thotë se me hapjen e listave nuk duhet të ketë më as koalicione zgjedhore, një tezë e dalë së fundmi në media, çka ka krijuar shqetësime tek partitë e vogla për shkak se nuk e kalojnë dot pragun elektoral.
Reagimi i plotë: E kotë ta mohojmë që hapja e listave gëzon suport qytetar! Pavaresisht se edhe une kam bindjen që nuk janë ndonjë recete çudibërese, listat e hapura s’duhet të jenë tabu për maxhorancën. Ata jashtë Parlamentit e morën çfarë deshën. Madje shumë më shumë se sa u takonte edhe po të ishin sjellë demokratikisht këto 3 vjet. Këtu s’eshtë puna çfarë do marrin keta brenda Parlamentit, po çfare do marrë populli nga ky proçes! Ne nuk duhet të shqetësohemi sa do merziten ata që janë jashtë apo sa do tronditen ata që nuk hyjnë dot me brenda po u shkëputen nga kërthiza e partive të mëdha. Besoj se është shumë e shëndetshme që të ketë hapje listash dhe natyrisht si rrjedhojë të mos ketë më koalicione parazgjedhore. Boll besoj u benë 30 vjet me kryetarë partish pa parti që futen nëpër barqet e partive mëmë, me koalicione të mbyllura për të mbyllur pastaj ca ministri dhe drejtori! Sikur s’ka më lezet do thoshte gjyshi im.