MENU
klinika

Kur krenat e Lidhjes i thanë "JO" mbrojtjes së Bosnjës!

Ma shumë se 10 qershorin duhet me u festue 19 korrikun e 1878-ës

13.06.2020 - 18:41

Nga Salih Mehmeti

Nëse e de-idealizojmë Lidhjen e Prizrenit, duhet me pranue se ajo ka dështue me i mbrojtë synimet e saj. Në kohën e Lidhjes cedohen hapësina të ndjeshme me përqindje bukur të madhe të popullatës shqipfolëse si Podgorica, Shpuza, Moraça, Zhabjaku, Plevlja, Bjello Polja, etj.

Edhe në jug, Lidhja i vnon piketat e saj të mbrojtjes veç në Prevezë tu e cedue Artën si dhe zona të tana shqipfolëse në Thesali e cila realizoi “enosisin” (bashkimin) me Greqinë.

Nga nji prizëm shqiptaromadh – që në fakt âsht stanca jem e pikëvështrimit të ngjarjeve – Lidhja e Prizrenit tu kalue në nji pozicion defansiv (p.sh mbrojtje e Plavës dhe jo e Bjello Poljes; mbrojtje e Prevezës dhe jo e Artës) heq dorë nga kërkesat maksimaliste (nji Shqipni me 5 vilajete) dhe rrezikon optimumin e vetë idesë secesioniste.

Por sado e dhimbshme, bash këtu qëndron νοῦς ἀγαθός (qysh kishin me thanë grekët e vjetër): MENDJA E BUKUR e atyne pak vizionarëve si Abdyl Frashëri që shestuen nji projekt sekular për nji Shqipni pa ndajshtesa islamike.

Nëse shqiptarët do të luftonin në Thesali, në Bjellopolje, Shpuzë, Podgoricë, atëherë lufta e tyne do të instrumentalizohej prej Portës së Naltë. Dihet se Stambolli e toleronte Lidhjen sepse llogariste se atë do ta përdorte si avangardë xhihadiste kundër vendimeve të Evropës.

Lidhja e Prizrenit u ba njimendësisht Lidhje Shqiptare kur vendosi mos me luftu për interesa osmane – siç ishte mbrojtja e Bosnjës – por veç për krahinat me shumicë shqiptare.

Kjo âsht ora e bardhë e fitorja ma e madhe historike e shqiptarëve në erën moderne. Kjo i bjen se ma shumë se 10 qershori 1878 duhet me u festue 19 korriku 1878 kur krenat e Lidhjes i thanë “JO” mbrojtjes së Bosnjës!