MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Mandati i tretë i Ramës, do të ishte gozhda e fundit në arkivolin politik të Bashës…

09.06.2020 - 07:27

Me marrëveshjen politike për ndryshimin e kodit zgjedhor, mund të futen në të disa elementë që e ulin mundësinë e shtrembërimit të rezultatatit të zgjedhjeve. Tre elementët më të rëndësishëm janë: 1-Identifikimi biometrik, i cili pakëson ndjeshëm hedhjen e votës për ata që nuk paraqiten fizikisht në qendrën e votimit apo votimin e disafishtë të të njejtit person; 2- Kamerat e përgjimit në qendrat e votimit, që pakësojnë ndjeshëm intimidimin apo dekonspirimin e votës; 3-Hapja automatike e kutive pas numërimit (nëse kërkohet nga njëra palë), që pakëson ndjeshëm devijimet në numërimin e votave.

Teksa çdo ndryshim i kodit zgjedhor i kërkuar nga opozita rrit besimin e saj dhe të votuesve të vet se fitorja nuk do t’i vidhet, kodi i ndryshuar zgjedhor nuk garanton fitore në vetvete – vetëm një dallgë e madhe dhe e bashkuar votash opozitare mund ta garantojë atë.

Kështu, në qoftë se 71 mandatet e nevojshme për rikonfirmimin në Kuvend të Ramës si kryeministër do të varen vetëm nga mandati i Shpëtim Idrizit në qarkun e Tiranës për 35 vota gjithsej, pavarsisht përmirësimit të kodit zgjedhor, ai do të rizgjidhet kryeminstër. (Për vetëm 35 vota nuk e arriti Shpëtim Idrizi pragun 3% në qarkun e Tiranës, dhe mandati i tij i shkoi një kandidati socialist.)

Në qoftë se 71 mandatet e nevojshme për rikonfirmimin në Kuvend të Ramës si kryeministër do të varen vetëm nga mandati i Agron Dukës në qarkun e Durrësit për 300 vota gjithsej, pavarsisht përmirësimit të kodit zgjedhor, ai do të rizgjidhet kryeminstër. (Për 2300 vota nuk arriti Agron Duka ta merrte mandatin në qarkun e Durrësit, dhe mandati i tij i shkoi një kandidati socialist.)

Në qoftë se 71 mandatet e nevojshme për rikonfirmimin në Kuvend të Ramës si kryeministër do të varen vetëm nga mandati i Reme Lalës në qarkun e Dibrës për 200 vota gjithsej, pavarsisht përmirësimit të kodit zgjedhor, ai do të rizgjidhet kryeminstër. (Reme Lala mori në qarkun e Dibrës 1200 vota më shumë se ç’i duheshin për të siguruar mandatin e saj, të cilin e ka përdorur sistematikisht në Kuvend pro PS-së.)

Problem për Ramën do të krijohet në qoftë se koalicioni i tij arrin të sigurojë realisht vetëm 61 mandate, dhe atij do t’i duhet të nxjerrë nga dheu edhe 10 të tjerë. Në një skenar të tillë s’të ndihmon dot as kodi zgjedhor e as sistemi zgjedhor, sido që të jenë ato…

Por që koalicioni i Ramës të përfundojë realisht me vetëm 61 mandate, koalicioni i Bashës duhet të jetë sa më i gjerë e sa më solid.

Së pari, Basha duhet të hapë një garë sa më reale brenda PD-së, nga e cila të dalë një listë kandidatësh sa më konkuruese, e jo një listë që hartohet në 12 të natës, në minutat e fundit të dorëzimit të saj në KQZ.

Së dyti, Basha duhet të bëjë përpjekje reale për riafrimin e të gjitha figurave të larguara prej PD-së, duke filluar nga Jozefina Topalli e Astrit Patozi e duke mbërritur deri tek Rudina Hajdari. Secili prej tyre ka ende kapitale elektroale që duhen bashkuar për realizimin e dallgës së votave që nevojitet për rrotacionin.

Së treti, Basha duhet të impenjohet më shumë se kurrë për gjetjen e një formule koalicioni që do t’i bënte të përkushtuara 100% partitë e vogla aleate. Çdo vagon i trenit elektoral, i madh apo i vogël qoftë, ka rëndësi për rezultatin final.

Së fundi, por jo më së pakti, Basha duhet të bëjë një fushatë vërtetë frymëzuese për afrimin në kutitë e votimit të të pakënaqurve aktualë dhe të të rinjve që votojnë për herë të parë.

Kështu, nga një sondazh që publikova në prill në emisionin Real Story të Sokol Ballës, rezultonte se 35% e zgjedhësve nuk ishin gati të votonin për asnjë parti (me ekstrapolim, rreth 750 mijë banorë të rritur të Shqipërisë).

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të INSTAT-it, rezulton se rreth 30 mijë banorë në vit mbushin moshën 18 vjeç (pra, rreth 120 mijë në katër vjet, të cilët do të jenë banorët që do të kenë të drejtë të votojnë për herë të parë).

Vota e një pjese të votuesve të zhgënjyer apo atyre të rinj, do të jetë sfida më e vëshirë e Bashës në 11 muajt e ardhshëm, ndër sfidat e listuara më sipër. Në fakt ajo do të jetë sfida e jetës së tij politike. Një mandat i tretë i Ramës si kryeministër, do të ishte gozhda e fundit në arkivolin politik të Bashës…