MENU
klinika

Lleshaj: Do t’iu sekuestrohen paratë e makinat!

“Mos iu fusni kësaj rruge! Nëse iu ka marrë Zoti mendtë…”

19.06.2020 - 11:08

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dhënë një mesazh të qartë për të gjithë të rinjtë shqiptarë që siç tha ai ‘të mos u marrë Zoti mendtë’ e t’i futen krimit pasi të jenë të sigurt që një ditë asetet e përfituara paligjshmërisht do u merren.

Në Parkun e Apollonisë, në një takim me Kryetarët e Bashkive, të zgjedhur dhe përfaqësues vendorë të qarkut Fier, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, me fokus masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik, luftën antikanabis, mbrojtjen e mjedisit dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë, Lleshaj tha se operacioni Forca e Ligjit ka qëllim të japë këtë mesazh.

“Gjykata e Posaçme ka filluar të japë dhjetra vendimet e para, ky proces do vazhdojë me intensitet të shtuar, me qëllim të shterojë burimet që financojnë krimin dhe për tu dhënë një mesazh të gjithë atyre të vjetër apo të rinj, kryesisht të rinjve që joshen që gabojnë për tu futur në rrugë kriminale me idenë se kjo është rruga për të bërë shpejt dhe lehtë para.

Dhe mesazhi që vjen prej këtij operacioni dhe legjislacioni të ri është që bëni cfarë të doni, siguroni, nëse u ka marrë Zoti mendtë, bëni krim, fitoni para por dijeni një gjë, paratë do ju merren një ditë me siguri.

Kjo është një thirrje për ata që nuk janë këtu e që mund të jenë shumë larg nesh, por ky është mesazhi i operacionit, do tu merren paratë, krimi nuk mund të jetë një biznes dhe duke përcjellë këtë mesazh ne besojmë që do kontribuohet në parandalimin e mëtejshëm të krimit dhe goditjen e atij që është bërë deri më tani.

Në këtë rrugë mund tu japim të rinjve e të rejave që joshen për tu futur në rrugë kriminale e ti themi që nuk ia vlen, thjesht nuk ia vlen, mund të bësh një ditë në rrugë kriminale por rreziku që nesër mund ta marrin është tepër i lartë, mund ta blesh një makinë në rrugë kriminale por rreziku që mund të ta marrin është i madh.

Ndërkohë janë dhënë vendime për sekuestime resortesh e vilash që do i kalojnë publikut, qytetarëve, do i bëjmë shkolla, qendra shëndetësore, komisariate policie, madje tani jemi nën një lloj vështirësie për ti administruar këto asete që po grumbullohen e shteti do i japë për përdorim publik“, tha Lleshaj.