MENU
klinika

"Po bashkëpunojmë me Shqipërinë..."

NATO shuan zërat: Baza e Pashalimanit në projektet tona!

08.06.2020 - 07:39

Pas Kuçovës edhe baza e Pashalimanit, pritet të jetë në dorë të amerikanëve. Ditët e fundit, është aluduar se baza e nëndetëseve do të merrej nga turqit, por NATO ka hedhur poshtë gjithçka. Në një prononcim për ATSH, NATO ka rrëzuar të gjithë zërat dhe ka sqaruar keqkuptimet, duke theksuar se kjo bazë do të jetë në dorë të tyre. Duket se pas investimeve në bazën ajrore të Kuçovës, NATO po studion edhe mundësinë për investime edhe në bazën detare të Pashalimanit.

Aleanca e Atlantikut të Veriut deklaron se ka nisur punën në bashkëpunim me autoritet ushtarake shqiptare, për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si kjo bazë mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të Aleancës. Në prononcimin e dhënë, NATO është përgjigjur lidhur me kërkesën e autoriteteve shqiptare për investim në Pashaliman. “Autoritetet ushtarake të NATO-s janë duke punuar ngushtë me autoritetet ushtarake shqiptare për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si baza detare e Pashalimanit mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të NATO-s”, ka konfirmuar një zëdhënës i Aleancës.

Mes të tjerash, gjatë prononcimit NATO ka thënë se e mirëpret mbështetjen e Shqipërisë ndaj planeve dhe sigurisë detare të Aleancës. Po ashtu ka konfirmuar se ka marrë një letër nga Ministria e Mbrojtjes. “Ne mund të konfirmojmë se NATO ka marrë një letër nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes, ku shprehet mbështetja e qeverisë shqiptare për modernizimin e Bazës Detare të Pashalimanit. Ne mirëpresim mbështetjen e Shqipërisë ndaj planeve dhe sigurisë detare të NATO-s nëpërmjet dhënies së aftësive detare të saj për misionet dhe aktivitetet e drejtuara nga NATO”, ka deklaruar zyrtari i Aleancës gjatë prononcimit.

Më tej, zëdhënësi i NATO-s theksoi se kjo pasqyron solidaritetin, kohezionin dhe unitetin e përpjekjeve të Aleancës. Ai u shpreh se kjo qëndron në një linjë me qëndrimet e NATO-s. “Kjo është në të njëjtën linjë me qëndrimet operacionale të NATO-s dhe pasqyron solidaritetin, kohezionin dhe unitetin e përpjekjeve të Aleancës. Autoritetet Ushtarake të NATO-s janë duke punuar ngushtë me autoritetet ushtarake shqiptare për të përcaktuar mënyrën më të mirë se si kjo bazë mund të mbështesë kërkesat operacionale detare të NATO-s”, tha ai.

Letra e ministrisë

Kujtojmë se në tetor të vitit 2019, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka përmes një letre zyrtare, iu drejtua komandantit të Komandës Supreme për Europën, gjeneralit amerikan Tod D.Uolters. letra kërkonte që Aleanca të konsiderojë Pashalimanin edhe për shkak të gjeografisë dhe avantazheve që ofron, për të investuar edhe aty një bazë detare. Në letër Xhaçka thekson se Shqipëria është gati për zbatimin e një plani të përbashkët për zhvillimin e bazës detare për Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Nëse do të pranohej një kërkesë e tillë nga NATO atëherë do të ishte e vetmja nga Aleanca në Ballkan për t’iu përgjigjur sfidave të emigracionit apo sigurisë nga kërcënimet. Sakaq baza ajrore e Kuçovës do të jetë gati së shpejti, sipas projektit të hartuar nga NATO, një investim ky që kap vlerën e 50 milionë eurove. Kujtojmë se aludimet se baza e Pashalimanit do i kalonte Turqisë u përhapen nga disa media greke. Këto media shkruanin se kryeministri Edi Rama është i gatshëm t’i japë Turqisë Pashalimanin, për ta shndërruar në një bazë ushtarake detare.