MENU
klinika

Pakti për “Zgjedhoren”, marrëveshje apo reformë?

Nazarko e Zogaj: U rikthye normaliteti politik!

08.06.2020 - 21:12

Marrëveshja e firmosur mbrëmjen e 5 qershorit mes maxhorancës dhe opozitës më shumë se sa ndryshimet jo thelbësore që do të reflektohen në Kodin Zgjedhor, kishte rëndësi, pasi i dha fund krizës politike dhe i riktheu palët në pozicionet natyrale dhe i angazhoi drejtpërdrejtë në përgatitjen e zgjedhjeve e ardhshme.

Për analistin, Mentor Nazarko, pavarësisht ndryshimeve që do të bëhen, ka vlerë që u rikthye normaliteti politik.

“Dy sherrxhinjtë që janë edhe dy partitë më të mëdha kanë arritur të bien në një marrëveshje. Ne përveçse spektatorë jemi dhe përftuesit dhe të dëmtuarit e sherrit të tyre. Për interesin publik ka rëndësi fakti që Shqipëria del si vend normal. Po ta shohim nga këndvështrimi i Partisë Demokratike ajo hyri në këtë proces me një stekë të lartë, e cila vinte nga një sjellje anti-sistem. Kërkesa e PD për qeverinë kujdestare u hodh poshtë edhe nga faktori ndërkombëtar”, tha Nazarko.

Preç Zogaj beson se ndonëse nuk ishte një reformë e plotë, pakti për zgjedhoren zhbën situatën e tensionuar të viteve të fundit me protesta të dhunshme, djegie mandatesh dhe bojkot të zgjedhjeve.

“Kjo që ndodhi është një marrëveshje dhe pjesërisht reformë. Kemi edhe reformim pjesor të Kodit Zgjedhor. Identifikimi biometrik i zgjedhësve është një arritje e rëndësishme. Është ngjarje politike me rëndësi në kontekstin e një ndarje shumë të thellë të palëve”, thotë ai.

Por çfarë do të ndryshojë në mënyrën e organizimit të zgjedhjeve në Shqipëri?

“Një kod zgjedhor dhe një luftë politike bëhet sipas parimit hajduti ruan hajdutin nuk percepton si probleme teknik por si detaj ku fshihet djalli për manipulimin zgjedhjeve”, shprehet Nazarko.

“Nuk mund të flasim për fitore ose humbje. Për aq sa nevojitej mendoj se është në të mirë të mjedisit politik”, tha Zogaj.

Qëndrimet e kryeministrit ndaj kreut të opozitës, duke i rikthyer atij në kujtesë marrëveshjen e 2017-ës për të cilën Basha ka kërkuar ndjesë për analistët nuk ka vend.

“E pahijshme për mendimin tim, në aspektin politik. Kjo marrëveshje meritonte të përshëndetej. Dëgjova komente të nivelit të kafeneve dhe më janë dukur spekulative. Opozita sipas meje do të vazhdoj të kërkojë zgjedhje pa Edi Ramën”, shprehet Zogaj.

Për Nazarkon, Basha me pjesëmarrjen në tryezën e reformës e përgatiti veten për zgjedhje, por sipas tij fillimisht kryedomokrati duhet të bëj një zgjedhje brenda forcës së tij politike.

“Zoti Basha ka luajtur në këtë përgatitje të partisë për zgjedhje duke iu përgjigjur dy shpirtrave të tyre. Një shpirt i së vjetrës që synon ta ekstremizojë lojën politike, ky është zoti. Berisha dhe shpirti i së resë i cili e bën Partinë Demokratike një parti tërheqëse për elektoratin. Nëse është një parti propozuese pavarësisht sistemit zgjedhor, opozita arrin të jetë tërheqëse për brezin e ri”.

Por a është e gatshme opozita për të ardhur në qeverisje?

“Shpresoj që Z. Basha të dëgjojë të interpretojë drejt nevojat e ekonomisë dhe nevojat e shoqërisë, të jetë bindës për to. Në një parti si ajo socialiste e ka të vështirë që të ruajë legjitimitet moral apo politik pavarësisht instrumenteve të pushtetit që ka dhe pavarësisht faktit që Rama është një lider politik që ka legjitimitet të lartë veçanërisht ndërkombëtar”, tha Nazarko.

A ka mundësi Rama të marr një mandat të tretë qeverisës?

“Për mua Edi Rama e ka humbur mandatin e tretë për shkak të bilancit, por mund të fitojë zgjedhjet, sepse zgjedhësit e opozitës apo ato të zonës gri, nuk besojnë opozitën”, tha analisti Zogaj.