MENU
klinika

Nga: Vullnet Ruzhdi Sinaj

Në dimensionet e Qazim Koculit!

15.06.2020 - 18:37

Lindi më 14 prill 1883 në Kocul, në një familje të thjeshtë. Kreu arsimin fillor në Vlorë dhe më 1908 përfundoi Akademinë e Marinës Turke me gradën toger. Spikati me trimërinë e tij në betejën italo-turke të vitit 1911 në Prevezë, ku drejtonte një torpedinier.

Karriera e tij në Shqipëri fillon më 1913, ku caktohet si kapedan i Portit të Vlorës nga Ismail Qemali. Në vitet në vijim, mbajti postin e krahinarit të Mesaplikut me qendër në Brataj, e më pas nënprefekt i Tepelenës.

Më 1920, roli i tij është i padiskutueshëm në rikonfirmimin e Pavarësisë dhe konsolidimin e shtetit shqiptar??:
-Merr pjesë si delegat i Vlorës në Kongresin e Lushnjës dhe zgjidhet senator
-Urë lidhëse midis Qeverisë së Tiranës të kryesuar nga Sulejman Delvina dhe Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” në Vlorë, ku aderonte si anëtar. Merita të mëdha në përgatitjet ushtarake të Luftës së Vlorës.
-Ai veshi sërish rrobat ushtarake të lirisë, duke marrë pjesë heroikisht në Çlirimin e Vlorës. U caktua Komandant i Përgjithshēm së Luftës së Vlorës në Kotë, pas mbylljes së fazës së parë të luftimeve. Udhëhoqi me sukses luftën drejt çlirimit të plotë të Vlorës.
-Ka shërbyer si prefekt, kryebashkiak në Vlorë.
-Deputet i zgjedhur disa herë me mandat nga populli.
-Në krizën qeveritare të fundvitit 1921, ai u caktua Kryeministër i Shqipërisë më 6 dhjetor. Arriti të ishte Kryeministër vetëm për 6 orë, pasi dha dorëheqjen.
-Mbështeti fuqimisht Nolin në Lëvizjen e Qershorit dhe në qeverinë e tij më 1924, mbajti postin e Ministrit të Punëve Botore dhe Bujqësisë.

Lufta politike që zhvillohej asokohe në Shqipëri, midis Nolit dhe Zogut, bëri që Qazim Koculi të largohej nga vendi dhe të vepronte si emigrant politik për 15 vite, në Itali, Austri dhe Francë. Do të kthehej në Shqipëri pikërisht më 1939, kur do të vihej në mënyrë të gabuar në shërbim të qeverisë kuislinge. Italianët s’mund t’ia falnin asnjëherë Epopenë Heroike të 1920. Vetë populli ndjeu zhgënjim nga ky patriot duke i kënduar: “Aferim Qazim Koculi, vetë e ndoqi, vetë e pruri!”
Ai mori nga komanda fashiste postin e Komisarit të Lartë për Jugun, derisa u vra pabesisht më 2 janar 1943, pas Luftës së Gjormit. Bashkëpunimi me pushtuesin i kushtoi shtrenjtë, pasi fashistët nuk mund t’i zinin më besë një njeriu i cili dikur i kishte ndëshkuar!

A mundet që ne, për shkak të epilogut të karrierës së tij politike, të mohojmë dhe kontributin e vyer të Qazim Koculit në mbrojtje të Atdheut gjatë viteve 1920-1924? Qazim Koculi është dhe do të mbetet një bir i Labërisë e i Shqipërisë! Ai luftoi, fitoi, por dhe gaboi rëndë. Atdhedashuria të dërgon vetëm në krah të popullit dhe asnjëherë në bashkëpunim me një popull të huaj!

Njeriu është një veprimtar, i cili gjatë jetës lë dritëhije; diku vepron mirë e diku jo mirë. Por ne duhet të vlerësojmë në mënyrë objektive ata që me aktivitetin e tyre dhanë diçka për një Shqipëri më të mirë! Historia është mësuesja e jetës: të marrim më të mirën prej personazheve historikë dhe të mos përsërisim gabimet në të shkuarën!??⚖️

Image may contain: 1 person, closeup and text