MENU
klinika

Rama: Mund të shtyhet vetëm në zonat bregdetare

Nesër përfundon gjendja e fatkeqësisë natyrore nga COVID-i!

22.06.2020 - 08:23

23 qershori (nesër) do të shënojë fundin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në vendin tonë, të shpallur për shkak të pandemisë COVID-19.

Përgjatë tre muajve, Shqipëria ka qenë në masa të rrepta sigurie të diktuara nga koronavirusi, të cilat u shoqëruan me kufizim të liri-daljes, mbylljes së bizneseve, shkollave, transportit publik, kufijve, pra në karantinë totale, masa këto të cilat erdhën duke e u lehtësuar.

Gjendja e fatkeqësisë natyrore u shpall më 24 mars, atëherë kur Shqipëria numëronte 5 viktima nga COVID-i dhe 123 të infektuar.

Më pas Kuvendi vendosi shtyrjen e saj me dy muaj, deri më 23 qershor me argumentin se me lirimin e masave shtrënguese pritej një rritje e numrit të të infektuarve, siç edhe ka ndodhur, dhe në këtë formë, qeveria do të kishte mundësi për të reaguar.

Ky vendim, u kundërshtua nga opozita, të cilët e cilësuan si një plan djallëzor të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, për të vijuar me tenderat sekret dhe për të kontrolluar qytetarët.

Më herët, kryeministri Edi Rama bëri me dije se qeveria nuk ka në plan që ta shtyjë sërish gjendjen e fatkeqësisë natyrore, por foli për një skenar që kishte të bënte vetëm me shtyrjen në disa zona, ose më konkretisht qytete bregdetare.

Megjithatë mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Këshillit të Ministrave, nisur nga fakti që kjo deklaratë e Ramës u bë në një kohë ku Shqipëria nuk kishte shifra kaq të larta të të infektuarve dhe vdekje në 24 orë.