MENU
klinika

Esé nga Flurans Ilia

Nga dita e një shkrimtari

13.06.2020 - 06:29

Për rubrikën “Nga dita e një shkrimtari”, Flurans Ilia, i cili jeton në Kanada prej vitesh, shkroi këtë esé mbi dilemat e tij me letërsinë…

PAMJA E SHEGËS
Flurans Ilia

Në mundsha një ditë t’i kthej shpinën Letërsisë, kokulur në rrugë si qindra të tjerë, do t’i mëshoja çështjes nëse Letërsia a ka ndonjë vlerë në jetë dhe përditshmëri? Ka për të qenë si një “lamtumirë armë” e trishtë.
Duhet korrigjuar një gabim kur flasim mbi Letërsinë, njësoj sikur mos të kishte asnjë lidhje jetësore me çdo gjë tjetër që përbën Jetë dhe Realitet.
Shumica prej nesh jetojnë për të përligjur ekzistencën me krejt tjetër gjë; ëndërrojnë një gjë krejt të ndryshme nga ajo që bëjnë ekzistencialisht për të jetuar. Jam njëri nga ata, në planimetrinë e këtij atdheut tonë të vocërr prej letre. Letrat pa adresë ja vështirësojnë punën letërprurësit të lodhur përmes rrugicave pa fund që përngjajnë me labirintin e Borgesit.
Gabim nëse e konsiderojmë Letërsinë si shmangie që mundëson arratinë. Migjeni ynë, do të thoshte, “Kafshatë që s’kapërdihet është or vëlla përditshmëria!”. Floberi do të na shihte me dyshim. Sepse, mbi gjithë diskutimet tona, ajo që mbart vendin kryesor është situata sociale ku jetojmë, kriza e besimit, kjo etapë e vazhdueshme ku jemi të lidhur përgjatë jetëve tona.
Gjithmonë kam qenë frut i një durimi të lidhur me degën e përditshmërisë. Kjo ndoshta është arsyeja e vetme që Floberi “ma mbyll gojën”. Jam i detyruar me bindje rishtare, të ndjek në heshtje gati postulare diskursin e temave të romaneve të tij të pagabueshëm mbi njëzetekatërorëshin tentakular. Marsel Prusti ka ndihmesën e vet të pallogaritshme. Një ndihmë që bazohet, “A la recherche du temps perdu”.
Jam i zhgënjyer nga kjo fshikëzë e mbushur plot që fillon të derdhet dëm, ngadalë, automatikisht, pa e kuptuar, përditshërisht. Jam i zhgënjyer, fatkeqësisht, nga imazhi ynë në tërësi, dhe i imi më në veçanti si qenie që, përpara se të hedhë hapin e tij të parë drejt ditës së porsa ardhur në jetë, fillimisht rruga i bie nga haleja për të derdhur tundimin e lëngët të ëndrrave torturonjëse të një nate të më parë. Ëndrra individuale. Ëndrra kolektive. Ëndrra shekullore. Ëndrra ditore. Ëndrra intime. Përgjat zgjimit rruga të bie doemos nga vetvetja, ball pasqyrës! Ja. Imazhi mbi të cilin të gjithë e derdhim kohën me pash. Të gjithë. Shkrimtarët e sotëm nga A në Z janë të tunduar nga forma e pamjes së fortkërkuar. Tepër të fiksuar mbi imazhin e vetvetes. Duke fërkuar lehtë instinktivisht rubinetin e çezmës që i jep udhë ujit i them tjetrit përtej pasqyrës së mëngjesit, “Duhet që kjo ndjenjë vetkënaqësie të mos paguaj harraçin e një biçim verbërie mbi imazhin e njerëzve dhe kohës tonë. Imazh i zëvendësuar me përderdhje gjestesh, fjalësh, opinionesh, si shkak i kënaqësive tona.”
Jo pa gjasa përdora fjalën “kënaqësi”. Mund të kisha përdorur fjalët, tundim, epsh, ngrefje, kompleks, që derdhen në formën e mllefit. Në një botë si kjo e jona ku specia ushqehet gjithmonë e më tepër me hormone të kësaj natyre, apostrofi i vendosur përballë një katastrofe eventuale i ka stepur mendjet si shkak i gabimeve që njeriu doravet ka bërë dhe bën në rradhë të parë, në kurriz të planetit, kafshëve dhe bimëve, në kurriz të vet qenies së vet identike në raporte sociale. Po e përdor fjalën “kënaqësi” të mbyllur në thonjëza, thjesht dhe dukshëm si një kafaz të vështruar nga sytë e vizitorëve të këtyre rreshtave, kundrejt shqyerrjes totale që njeriu i ashtuquajtur modern ka hapur përdhunshëm midis raporteve ndërnjerëzore, motër e vëlla, burrë e grua, nëna e baballarë, etër e bij, njerëz të të njëjtave prokupime të përditshme, njerëz të të njëjtave ideale të ngjashme, për të mos folur më tej për klanizma dhe kampe opozitare. Është e vështirë ta kuptosh si totalitet Dashurinë.
Kuptimi i thënies së Lasgush Poradecit se “Poeti është përgjegjës për gjithshka.”, është fari që udhëheq rreshtat e këtij shkrimi, sepse e ndiej të nevojshme, ndërsa jemi duke folur mbi imazhin e njeriut dhe botës, për tu ndier përgjegjës, domethënë, ashtu si unë e kuptoj, fajtor. Kumti i bën thirrje jetëve tona. Kohës tonë. Relativave. Ëndrrave në kthim. Mardhënieve tona. Historisë. Kapacitetit absolut të përmasave të trupave, mendimeve dhe kockave tona, e shkuar e tashme e ardhme. Fajtor! – do të thotë të ndiesh pështirosje nga e vërteta dhe pesha e rëndë e përditshmërisë përballë zhveshjes materiale në kohën kur miqtë e zemrës i ka zëvendësuar paraja dhe “rregullat e lojës” që e bën tjetrin të ndihet i pasur sepse vetëm aty gjen shkakun për të përligjur kuptimin e pasqyrës. Një ideologji gjithpërfshirëse e strategjisë së thirrjeve në turma, jo vetëm për turmat, por veçanërisht për ideologët e racionalizmit. Ndaj politika dhe aksioni social janë kategorikisht të papranueshme për lirinë e krijuesit.
Artisti krah veprës së vet shpinëpërkulur, mbart edhe jetën e të tjerëve, duke e parë dhe kuptuar mu në ninëz të syrit realitetin, më mirë se kushdo tjetër. E kush tjetër mundet të mbartë dhe zhbirilojë idenë e vetvrasjes kolektive nga shplarja e truve? Përpos artistit të vetsakrifikuar shumë largë mbërritjes në buzë të katastrofës. Përballë Tartarit të pagojë. Në shërbim. Në faltore. Gjithkund ku e zë terri. E kush tjetër mundet të kuptojë dhe ndijojë pafuqinë kolektive, për të qenë dhe dëshiruar, më pranë njëri tjetrin? Ernesto “black” Sabato me të gjithë artilerinë e rrëndë të thirrjeve të veta për më tepër humanizëm, ngelet një nga gjeneralët më të devotshëm të letërsisë, dhe jo vetëm, dhe mbi këtë të fundit, dhe mbi vet letërsinë. Të qenit njerëzor, tepër njerëzor, përmes lëndës së shkruar! Kështu, Letërsia rikthehet kundër vetes. Letërsia i jep kuptim vetes. Letërsia zë vendin e vet në heshtje, përball kolektivizimit dhe kooperativizimit të mendimit. Përball kësaj shkretanie të thatë duke ëndërruar oazin. Mund të shquaj përmes territ dy tre prej morisë së tyre të panumërt; dy tre tipa të këndëshëm për këndelljen e netëve, dy tre “rrugaçë” me të cilët kam bredhur kthesave të imagjinares, barakave që mbartnin erë alkool dhe amonjak shpirtrash të trazuar, dy tre thyerës xhamash e portash, çarës muresh, grushtdhënës e kaptues kështjellash kryeneçe. Shekspiri, Dostojevski, Floberi, Gogoli, Kafka, Henri Miler, etj, etj, për të përfunduar në një nga bodrumet dhe katakombet e nëndheshme të Buonos Airesit, duke folur arbërisht me Ernesto Sabaton. Të shohësh jetën me sytë e më të padurueshmes përditshmëri që ne vet e kemi shkaktuar dhe jemi (duam apo nuk duam) fajtor. Si të kesh kryer një krim ndaj kohës ku jetojmë. Fajtor të asaj çka e konsideroj me bindje si padrejtësi. Padrejtësinë që i veshin padrejtësisht artit dhe letërsisë vet njerëzit duke e konsideruar si të pavlerë. Duke e anashkaluar dhe konsideruar si pa pikë vlere.
E pra, në mundsha një ditë t’i kthej shpinën Letërsisë, kokëulur të vazhdoj rrugën si qindra të tjerë që shuhen në këtë det, do t’i rikthehesha si një “lamtumirë” çështjes nëse Letërsia ka ndonjë farë vlere në Jetë dhe Përditshmëri. Dhe ka për të qenë as më pak e as më shumë si një “lamtumirë armë” e trishtë. Si reflektim i jashtëm dhe nga jashtë. Nga brenda kalbia tenton kalbëzimin e frutit. Durimi krah përditshmërisë vjen si mirësjellje në art dhe prej artit me një mëshirim të dielltë me lëndën e shkruar, e zeza mbi të bardhë si një verdikt i kohës dhe për kohën tonë. Me pamjen unikale të shegës. Të frutit (hë për hë të anashkaluar) që nuk ka asnjë vetëdije ndryshme përpos faktit që duhet të mbajë fort pas vetes, pjesën më vitale, kokrrat e saj të kuqe. Koha e shegës rrjedh me stinët që ndryshojnë në thellësi të gjakut. Koha e shegës mund të jetë edhe një utopi. Por, pamja e saj ekziston e pavarur nga ne. Nga të gjitha jetët tona. Nga jeta e gjithsecilit. Fruti i shegës më pozicionon përball fenomenit: Letërsia kundra Letërsisë. Letërsia nën vështrimin e Meduzës. POSHTË LETËRSIA & RROFTË LETËRSIA! Sepse tek e fundit Letërsinë e bëjnë njerëzit. Dhe të qenit tërësisht njerëzor, pa kushte, i jep dinjitet Letërsisë. I jep dinjitet shkrimtarit dhe artistit. I jep vlerë përpjekjes për të qenë i lirë. Çliron tjetrin (brenda meje dhe teje) brenda nesh nga vargonjtë e padukshëm që e mbajnë të lidhur pas saj. I jep dinjitetin e duhur këtyre rrëfenjave mbi veten e të tjerë, që rrëshqasin, po, po rrëshqasin rrëshqanthi, nëpërmjet tekstit nga fjalët tek njeriu, ndërsa për habinë time cullake, papritur, po filloj të ndiej një lloj ndienje zhveshjeje të përlyer me thirje idiote, krenari boshe, urrejtje dhe tmerr, e turp të ëmbël.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit