MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Nga këmisha e forcës, drejt hazdisë kolektive

17.06.2020 - 19:18

Nga Skënder Minxhozi

Një kafene e madhe në rrugën Myslym Shyri i ka mbyllur panelet prej xhami në këtë mëngjes të freskët qershori me shi. Nga jashtë duket se tavolinat janë plot, njerëzit pinë të shpenguar kafen e parë të ditës, të shtrënguar nëpër tavolina katërshe dhe askush nuk mban maskë. Duket një ditë normale, e një jete normale, të para marsit 2020.

Kjo është situata në rrugën më të madhe tregtare të Tiranës këto orë. Një situatë që shtrihet sot në çdo cep të Shqipërisë, ku shqiptarët duken të lëshuar pa fre drejt lirisë së rifituar. “S’paska qenë gjë korona, na mbajtën kot brenda”. Ky refren është kthyer në një sport kombëtar dhe origjina e tij janë dy grupime kryesore njerëzish. Grupimi i parë, ata që e kanë besuar se ka një virus në qarkullim, porse nuk i kanë besuar as forcën dhe dëmin që ka bërë e po bën. Futini ca hudhra dhe pini raki, e çdo gjë do kalojë”, kjo është motoja folklorike e një mase të madhe shqiptarësh, që nuk lexon e dëgjon mediat, ose edhe kur i dëgjon, i konsideron si zhurmë të kotë. Akoma me koronën ti, ik o zotëri se s’ja kemi ngenë…

Grupimi i dytë janë ata që i besojnë “aleancës së madhe” të miliarderëve, qeverive, kompanive të ilaçeve, sekteve gjithfarësh dhe padyshim edhe Sorosit (një emër i pazëvendësueshëm që teoria e komplotit të jetë e besueshme) – të cilët të gjithë së bashku duan të na fusin në trup mikroçipe, helme, substanca egzotike “që të na mbajnë në kontroll”. Ky grup ve në dyshim edhe karvanet me të vdekur në Itali, edhe foto e spitaleve me të sëmurë, edhe statistikat botërore, pavarësisht se nga cili vend e qeveri vijnë. Këta besojnë se papritur një instancë supreme, pa formë dhe pa emër, i ka marrë mendjen e kokës të gjithë krerëve të shteteve në të njëjtën kohë, të gjithë shkencëtarëve, instituteve, laboratorëve, duke i bërë pjesë të një komploti të paparë e të padëgjuar në historinë e njerëzimit. Sipas tyre, edhe Donald Trump po le peng shanset për t’u rizgjedhur president, pasi “e gënjyen” me këtë punën e koronavirusit! Njeriu më i fuqishëm dhe më i informuar i botës, ka rënë peng e një rrene të hatashme, për të shkatërruar planetin Tokë!

Kjo amalgamë e këtyre dy kategorive përbën sot një ndër faktorët kryesorë, mbi të cilin është ndërtuar mosbesimi, lodhja dhe arratisja kolektive e shqiptarëve ndaj pandemisë. Lëshimi ekstrem i masave të kujdesit, zhdukja e njëkohshme e distancimit social, përdorimit të maskave e dorezave, mbushjes së spitaleve me njerëz të pambrojtur, e lokaleve, institucioneve me punonjës që sillen sikur s’ka ndodhur asgjë, popullimi i rrugëve , parqeve e bregdetit me burra, gra e fëmijë, të bëjnë të ndjehesh keq kur vjen ora 11 dhe merr vesh se bilanci i Covid 19 po rëndohet.

Po shtohen rastet, po vijon përhapja e infeksionit në shumë e shumë grupe sociale, qendra pune e qytete në të cilat më parë s’kishte asnjë rast pozitiv. Po fillojmë gradualisht të dëgjojmë emrat e njerëzve që i njohim, të cilët kanë rezultuar papritur pozitivë. Dhe kjo tregon se virusi po fillon të marrë “bastione” që nuk i mori dot gjatë mbylljes.

Paralelisht me këtë proces relaksimi popullor, duket se edhe shteti “ka shkuar me pushime” në lidhje me pandeminë. Qeverisë, që deri dje na mbajti të lidhur në këmishën e forcës, duke i kursyer vendit një bilanc të dhimbshëm vdekjesh, sot duket sikur i kanë rënë patavrat  dhe parzmoret e “luftës”. Tashmë Covid po fillon të përhapet në pavionet spitalore, ndërsa rastet e para janë zyrtarizuar në shumë institucione në Tiranë e periferi. Shteti e ka të vështirë të reagojë me ritmin e dikurshëm dhe po sheh thuajse pasiv sesi bilanci ditor i sëmundjes po rëndohet. Të paktën në drejtim të përhapjes në popullatë.

Ka një teori të tërë epidemiologjike, e cila bën sens në fakt, se e gjitha kjo gjendje e re, shpjegohet me pasojat e daljes nga mbyllja. Hapja sjell infektime dhe masivizim të virusit, thonë ekspertët. E drejtë, por e pamjaftueshme për të justifikuar të gjithë rrëmujën që po shohim e po jetojmë. Sepse hapja nuk nënkupton fshirjen totale të rregullave minimale të kujdesit.

Shtetet evropiane i kanë relaksuar masat shtrënguese, por nuk kanë ulur kujdesin dhe vëmendjen ndaj standartit të ri ku ka hyrë jeta e shtetasve të tyre pas karantinës. Nuk është e rastit që hapja nuk po shoqërohet me shpërthime rastesh të reja në vendet e zhvilluara, por kryesisht në rajone si Ballkani Perëndimor, me qeverisje të dobëta e ndërgjegjësim të mangët të popullatave.

Ka diçka që nuk shkon në kontrastin ekstrem mes mbylljes së fortë që aplikuam në mars-prill dhe hazdisë kolektive të fillim-verës. Mesa duket ky kontrast është metafora e rradhës për gjendjen pa ekuilibër në të cilën endet historikisht Shqipëria, ku kanë bashkëjetuar dhe janë alternuar rregullisht diktaturat me anarkitë. Sjellja e përmbajtur dhe durimi që treguam kur qëndronim në shtëpi, është pasuar nga mungesa totale e çdo kujdesi ndaj asaj që na bëri të mbyllemi. Mund të kemi qenë ekstremë dhe të tepruar herën e parë, por duket se jemi edhe më të papërgjegjshëm dhe absurdë herën e dytë. Dhe çmimi mund të jetë më i lartë sesa e mendojmë, tani që kemi marrë kot…

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin