MENU
klinika

Letra e Mehmet Shehut drejtuar Enver Hoxhës

“Ngado ta kthesh, Ismaili ka gabuar”

21.06.2020 - 06:40

Më poshtë është një letër e shkruar nga Mehmet Shehu, drejtuar Enver Hoxhës ku flet për Ismail Kadarenë dhe gabimet e tij ideologjike. Ai synon të bind me fakte diktatorin se Ismail Kadare nuk ishte kundërshtar i rregjimit dhe i kërkon që të mos e dënojë për poemën e tij të fundit e cila ishte cilësuar me “Probleme Ideologjike”. Letra e mëposhtme është marrë nga “Letërsia në totalitarizëm dhe ‘Dossier K’”:

Shoku Enver,

E lexova me vëmendje poemën e Ismail Kadaresë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Jam dakord me konkluzionet tuaja. Ai këtu, sipas mendimit tim, gabon veçanërisht në disa çështje [dhe më poshtë shkruan pesë çështjet ku, sipas tij, Kadare gabon].

Ngado ta kthesh, Ismaili ka gabuar. Por unë mendoj se duhet të luftojmë akoma, përsëri e përsëri, për ta shpëtuar Ismail Kadarenë, se mendoj se mund të shpëtohet. Rrënja e gabimeve të tij këtu qëndron në mosnjohjen nga ana e tij e marksizëm – leninizmit, të vijës së partisë sonë, të luftës së klasave e ligjeve të saj, veçanërisht nuk njeh praktikat e luftës së klasave, gjigandeske e të pashembullta që ka bërë e bën Partia.

Mund edhe të gaboj kur them se Ismail Kadareja mund të shërohet, por unë e kam akoma këtë bindje, sepse Ismaili i ka kënduar Partisë, luftës nacional – çlirimtare, popullit, jo një herë, dhe ka bërë vepra të mëdha në këto drejtime. Poema e tij “Përse mendojnë këto male” është me partishmëri të lartë. “Gjenerali i Ushtrië së Vdekur”, “Kështjella”, “Qyteti i gurtë”, janë nga romanet më të mira si nga përmbajtja, dhe nga ana artistike.

“Dimri i vetmisë së madhe” me gjithë boshllëqet ideologjike, është një vepër e madhe që ngre shumë lart luftën e Partisë kundër revizionizmit dhe është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i Partisë dhe i popullit. Dhe me sa di unë, Ismaili e ka ripunuar këtë roman për të ndrequr gabimet e bëra. Edhe me mua ka biseduar për këtë dhe ka bërë autokritikë. Romanin “Dasma” ai e ka dënuar vetë si dështim etj. Për nga origjina, dihet se Ismailin s’e lidh gjë me armikun.

Ai ndishta ka dashur të fusë në vjershë luftën kundër grupit të komplotistëve e kundër burokratizmit. Por në këtë orvatje, dështoi. Shpresoj se po të bisedohet shtruar me të, do i kuptojë gabimet e rënda.

Për sa i përket konfuzionit që kanë edhe disa nga shkrimtarët e tjerë më të mirë në lidhje me luftën e klasave, luftën kundër burokratizmit etj., mjafton të përmendim dy vepra të gabuara për mendimin tim, të Dritëro Agollit: a) Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ku absolutizohet burokratizmi, ku del se rendi ynë është i kalbur, me burokratë të pandreqshëm si Zylua etj. b) Drama “Fytyra e dytë” në fillim ishte një dramë që nxinte situatën e rendit tonë, sepse këtu sundonin burokratët. Pastaj, pas disa kritikave shumë të zbehta, e ndreqi këtë dramë gjer në një farë mase.

Dhe megjithatë, më vonë siç dihet, Dritëroi shkroi poemën e mrekullueshme “Nënë Shqipëri”.

Ju e dini vetë më mirë se puna më shkrimtarët është delikate, ata duhen edukuar vazhdimisht. Dhe vetëm kur kalojnë krejtësisht në anën e kundërt, ndonjëri, si për shembull Fadil Paçrami, duhen flakur e dënuar. Mendoj se Ismaili nuk ka shkuar gjer në atë shkallë.

Këtyre njerëzve ne duhet t’u ndihmojmë, duke u vënë në dukje gabimet e të metat, t’i edukojmë e të përpiqemi t’i shpëtojmë gjer në fund, pa e kaluar barrikadën për m’atanë, më qafë paçin vehten.

Kështu mendoj unë. Por mund edhe të gaboj në mendimin tim. Sidoqoftë, unë jam dakord si të vendosni ju.

Mehmeti

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit