Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një fjalim drejtuar qytetarëve të Kosovës pas ngritjes së aktakuzave nga prokuroria e Gjykatës Speciale, tha se nuk ka bërë krime lufte.
“Gabime në paqe mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë. Edhe po të kthehesha në periudhën e Millosheviçit do t’i përgjigjesha plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyr kurrë në hak asnjë qytetari serb apo shqiptar”, u shpreh ai.
Thaçi tha se nëse koha do të kthehej sërish, prapë do ta luftonte regjimin gjakatar të Slobodan Milloshevit.
“Kam nderin e madh të ushtrimiti të detyrës së presidentit të Kosovës së lirë dhe demokratike. Zemra ime është e lënduar, por jo dhe e thyer. Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëhtësuar me ata që dhanë jetën në luftën e UCK, është i njëjtë me ata që më kanë mbështetur dhe me gjakun e atyre që më kanë gjykuar. Ndihem sot i çliruar nga brengat politike. Jemi të gjithë bij dhe bija të kësaj toke dhe të gjithë duam më të mirën për Kosovën. Por politika i ka dhe këto, mua tashmë më janë kujtuar ata që dhanë jetën për lirinë, nga koha kur isha djalë idealist deri tani që jam me flokë të bardha.
Nuk më është dridhur qerpiku për procesin e ashtuquajtur krime lufte. E kam ditur se ne si UCK do të paguanim gjithçka për lirinë që ia dhamë Kosovën. Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo krim që ka ndodhur. Shumë prej luftëtarëve të UCK-së kanë dalë mbi akuzat monstruoze. E njëjta gjë do ndodhë edhe me me vëllain tim jo të gjakut Kadri Veselit. Gabime edhe mund të kem bërë, por krime lufte jo. Nëse do të kthesha pas, do t’ia ktheja plumbin prapë regjimit të Sllobondan Millosheviçit”, tha Thaçi.
Ai akuzoi drejtësinë ndërkombëtare se vepron me dy standarde. “Do të isha i lumtur që drejtësia ndërkombëtare të kishte standarde të njëjta me Kosovën dhe Serbinë. Ja ku jemi sot, Serbia ecën me përmbushjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosova nuk ka liberalizimin e vizave”, shtoi ai.