Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës ka vendosur që të shtyjë afatin e pagesës së tarifës shkollore për studentët, që paguhet para provimeve, për në shtator. Konica.al ka siguruar urdhrin që mban datën e sotme dhe firmën e dekanit Sabri Laçi.
Në urdhër theksohet se studentët e vitit të tretë bachelor dhe atë të viteve të dyta të programeve master që do të diplomohen në sesionin e korrikut të bëjnë pagesën deri me datë 10 korrik 2020.
Ndërkohë që studentët e vitit të parë dhe të dytë të programeve bachelor dhe ata të vitit të parë të programeve master duhet të kryejnë pagesën e tarifës së universitetit deri më datë 15 shtator 2020.
Ky është fakulteti i parë që ka ndërmarrë këtë hap, por studentët nuk janë të kënaqur, pasi kanë kërkuar anulimin e plotë të tarifës me argumentin se nuk kanë bërë mësim në kohën e pandemisë.