MENU
klinika

Intervistë e plotë

Adrian Civici: Domosdoshmëria e përdorimit eficent të borxhit publik

17.06.2020 - 18:04

Në një intervistë eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, pohon se pasojat e rënda të tërmetit të 26 nëndorit të vitit të kaluar dhe efektet tejet negative në ekonomi dhe financat publike të krizës së pandemisë së COVID-19, e bënë thuajse të pamundur përballimin e nevojave buxhetore dhe projekteve të rindërtimit pa shfrytëzuar instrumentin e borxhit publik.

Sipas Civicit, kërkesa e lartë për të blerë eurobondin shqiptar dhe interesi relativisht i ulët me të cilin ai u sigurua, tregojnë se besueshmëria e qeverisë shqiptare dhe qëndrueshmërisë financiare e fiskale të vendit nuk është rënduar apo gjykuar “më negative”, pavarësisht krizës ekonomiko-financiare dhe rënies së pritshme të të ardhurave buxhetore.

Intervista e plotë:

Shqipëria mori në tregun ndërkombëtar eurobondin e radhës. Si e vlerësoni ju këtë hap?

Eurobondi i radhës, prej 650 milionë eurosh, në fakt, ishte i planifikuar dhe lajmëruar disa javë ose muaj më parë. Megjithatë, duhet pranuar se pasojat e rënda të tërmetit të 26 nëndorit të vitit të kaluar dhe efektet tejet negative në ekonomi dhe financat publike të krizës së pandemisë së COVID-19, e bënë thuajse të pamundur përballimin e nevojave buxhetore dhe projekteve të rindërtimit pa shfrytëzuar instrumentin e borxhit publik. Aq më tepër, që tashmë edhe në debatet e sugjerimet ndërkombëtare “për masat dhe politikat që duhen ndërmarrë në kuadër të ringritjes ekonomike, financiare e sociale” është pranuar se rruga kryesore që duhet ndjekur është shtimi i borxhit publik dhe rritja e rolit të shtetit si aktor ekonomik dhe zhvillues në këtë periudhë të jashtëzakonshme. Rekomandimi i ish- presidentit të BQE-së, Mario Draghi, se “Sfida që po përballojmë na kërkon të veprojmë me forcë dhe shpejtësi për të evituar mundësinë që recesioni të transformohet në një depresion afatgjatë, duke u thelluar akoma më shumë nga një tërësi vlerash të paracaktuara që lënë gjurmë të pariparueshme. Tashmë është e qartë se përgjigjja duhet të përmbajë një shtim domethënës të borxhit publik”.

Në këto momente, pothujase të gjitha vendet e botës, të prekura rëndë nga pandemia e koronavirusit, po e aplikojnë instrumentin e borxhit në mbështetje të buxheteve dhe masave e politikave të tyre postkoronavirus. Në këtë këndvështrim, Shqipëria e kishte të vështirë të bënte përjashtim, aq më tepër me situatën e saj buxhetore e fiskale në të cilën u gjend në këtë periudhë. Me shumë mundësi, në muajt në vazhdim do të jetë e nevojshme të vazhdojmë të marrim borxh, në tregun e brendshëm apo në atë të jashtëm, natyrisht në përmasa më të vogla dhe më të shtrirë në kohë sesa eurobondi. E rëndësishme në këto momente, apo në vitet në vazhdim, është përdorimi efikas i tij në funksion të rritjes ekonomike të lartë e të qëndrueshme dhe uljes së papunësisë.

Në vlerësimin tuaj, a janë “preferencialë” termat e eurobondit?

Qeveria reagoi në mënyrë “entuziaste” për termat e eurobondit, duke evidentuar dy elemente të rëndësishme që mund të quhen “sukses”: përqindjen e interesit të eurobondit dhe vlerësimin ndërkombëtar që iu bë Shqipërisë nëpërmjet akordimit të këtij eurobondi, në masën 650 milion euro; ndërsa opozita dhe zërat kritikë evidentuan faktin se “përqindja e interesit nuk ishte e favorshme, se në këto momente nuk është vështirë të marrësh borxh, se tregjet monetare e financiare kanë likuiditet të bollshëm … ndërsa përqindja e interesit nuk shprehte ndonjë lloj vlerësimi pozitiv për gjendjen ekonomike e financiare të vendit”.

Në fakt, nuk besoj se në këtë rast vlerësimi mund të jetë bardh e zi, ose vetëm “shumë i mirë”, ose vetëm “shumë i keq”. Nga vlerësimet paraprake të bankave ndërkombëtare para përhapjes së COVID-19 në Evropë dhe në Shqipëri, pritshmëritë dhe parashikimet ishin që eurobondi i ri të emetohej me një normë interesi më të favorshme se ajo e emetimit pararendës. Por, paralelisht “me përhapjen e pandemisë, tregjet ndërkombëtare të kapitalit u ndikuan nga situata që reflektoi një nivel të lartë luhatshmërie dhe pasigurie në normat e interesit, të cilat çdo ditë dhe javë pësojnë luhatje”. Kjo bëri që norma e interesit për eurobondin shqiptar të rezultonte më e lartë se shpresat e tre apo katër muajve më parë.

Megjithatë, mund të pohohet se kërkesa e lartë për të blerë eurobondin shqiptar dhe interesi relativisht i ulët me të cilin ai u sigurua, tregojnë se besueshmëria e qeverisë shqiptare dhe qëndrueshmërisë financiare e fiskale të vendit nuk është rënduar apo gjykuar “më negative”, pavarësisht krizës ekonomiko-financiare dhe rënies së pritshme të të ardhurave buxhetore. Në këtë rast, sigurimi i valutës jetike për ekonominë tonë mund të quhet si sukses, gjithmonë brenda problematikës së shtimit të borxhit. Kjo është hera e katërt që vendi ynë u drejtohet tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin e eurobondit. Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010 (me vlerë 300 milionë euro, maturim 5-vjeçar dhe interes 7,5%) dhe është shlyer në vitin 2015. Eurobondet e mëpasshme, të cilat janë ende aktive, janë eurobondi i emetuar në vitin 2015, me maturim 5-vjeçar, në vlerë prej 450 milionë eurosh dhe me një normë interesi 4,75%, eurobondi i emetuar në vitin 2018, në vlerën prej 500 milionë eurosh, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3,5%.

Lexo edhe :  Raporti global i ushqyerjes/ Shqipëria probleme me mbipeshën dhe diabetin

A del jashtë kontrollit borxhi publik pas marrjes së 650 milionë eurove borxh?

Kontrolli i borxhit publik ose raportet e tij me Prodhimin e Brendshëm Bruto janë relative, në kuptimin që situatat dhe qëndrueshmëria ekonomike e fiskale e vendeve të ndryshme në raport me borxhin publik është e ndryshme. Natyrisht që ka disa limite ose “vija të kuqe”, kalimi i të cilave flet për situatë të rëndë që mund të ketë shumë vështirësi të menaxhohet, ose dhe të dalë jashtë kontrollit. Në rregullat dhe standardet e BE-së, si nivel maksimal borxhi është përcaktuar niveli 60% i tij kundrejt PBB-së – megjithëse mjaft vende anëtare e kanë tejkaluar me kohë këtë limit, aq më tepër, që në këtë periudhë krize të pandemisë së COVID-19, vetë BE-ja rekomandonte (ose nuk sanksiononte vendet që e tejkalonin) që vendet anëtare mund ta kalonin këtë prag, deri sa të stabilizohet situata ekonomike e financiare. Dhe në fakt, shumica e masave speciale mbështetëse anti COVID-19 në Evropë bazohen në instrumentin e rritjes së borxheve publike.

Nga ana tjetër, frika ose paniku i daljes nga kontrolli të borxhit publik është i lidhur ngushtë dhe me fuqinë ekonomike, produktivitetin dhe peshën e eksporteve në një ekonomi të caktuar. P.sh., borxhi publik i Japonisë është aktualisht mbi 250% në raport me PBB-në e saj, por shqetësimet për këtë shifër kaq të lartë janë të vogla, sepse ekonomia japoneze është në gjendje t’u përgjigjet detyrimeve të këtij borxhi, pa pësuar trauma ekonomike, financiare e buxhetore të brendshme.

Në monetin aktual, Shqipëria po i afrohet shifrës prej 82-85% të borxhit të saj publik në raport me PBB-në, shifër mjaft e lartë për “shpatullat” e ekonomisë shqiptare, ndërkohë, që në kushte normale, borxhi jonë publik duhet të synonte nivelin prej 60% në periudha afatmesme 4-5-vjeçare, dhe nivelin nën 50% në periudha afatgjata 8-10-vjeçare. Menaxhimi i këtij borxhi në vitet në vazhdim mbetet një nga sfidat më të mëdha e më të vështira të qeverisjes në 4 apo 8 vitet në vazhdim.

Për çfarë do të përdoren këto para?

Ky është problem më i rëndësishëm në lidhje me eurobondin prej 650 milionë eurosh: për çfarë do të përdoren këto para? Është e rëndësishme që në këtë drejtim të ketë një transparencë maksimale. Këto para duhet të përdoren në projekte të rëndësishme zhvillimi ekonomik e social, të cilat “përkthehen” në rritje ekonomike të qëndrueshme, punësim dhe produktivitet ekonomik të lartë.

Në përputhje me strategjinë tonë kombëtare të zhvillimit dhe strategjitë sektoriale, duhet të investojmë në sektorin prodhues dhe shërbimet, veçanërisht në turizëm. Të investohen në mënyrë të mençur në industrinë agroushqimore, turizëm, transport e infrastrukturë, uzina apo fabrika me teknologji të lartë, energjinë e rinovueshme, peshkim, aktivitete me produktivitet e vlerë të shtuar të lartë, mbështetjen dhe zgjerimin e eksporteve, vepra ujitëse e mekanizimi të bujqësisë etj.

Nëse rritja ekonomike dhe niveli i produktivitetit që rezulton nga këto investime është më i lartë se niveli i interesit të borxhit, atëherë mund të themi që eurobondin e kemi përdorur me efektivitet, duke pranuar faktin, se në këtë rast, kemi bërë një përdorim eficent të borxhit, duke e konsideruar instrumentin e borxhit si një mundësi të mirë zhvillimi ekonomiko-social të vendit. Megjithatë, duhet pritur publikimi nga qeveria i elementeve kryesore të planit të rimëkëmbjes ekonomike postkoronavirus, për të parë më qartë se si do të përdoren paratë në përgjithësi dhe ato të eurobondit në veçanti.

A është zgjidhje për ekonomimë marrja e një borxhi për të shlyer borxhet?

Është një lloj zgjidhjeje që është përdorur dhe vazhdon të përdoret nga shumë vende, të zhvilluara apo në zhvillim qofshin ato. Natyrisht, nëse një veprim i tillë bëhet shpesh dhe në vazhdimësi, kjo tregon për vende e ekonomi që kanë probleme të rënda strukturore, makroekonomike dhe stabilitet financiar të brishtë e të paqëndrueshëm. Sepse në këtë rast, problemi i krizës dhe vështirësive të brendshme financiare vetëm sa shtyhet në kohë, ndërkohë që detyrimet dhe pesha e borxhit rritet, duke u bërë e rrezikshme për stabilitetin financiar e buxhetor të vendit.

Në këtë rast, kjo është një praktikë e vendeve të varfra, pothujase të falimentuara ekonomikisht, që kur bien në këtë vorbull borxhesh të njëpasnjëshme, rrezikojnë të përballen me kriza të rënda financiare, rrezikojnë seriozisht të ardhmen e tyre. Por, në rast se kjo praktikë kryhet rrallë dhe në periudha të gjata kohore nga njëri borxh në tjetrin, dhe sidomos, në rastet kur përqindja e interesit të borxhit të ri është ndjeshëm më e ulët se interesi i borxhit të vjetër, apo kur pagesa e borxhit të vjetër shoqërohet dhe me një ristrukturim kohor e strukturor të tij, atëherë kjo mund të justifikohet si një praktikë normale financiare që nuk është e rrezikshme për destabilizimin e financave publike dhe të qëndrueshmërisë buxhetore.

Sa shkon borxhi për frymë në vendin tonë? A po u lëmë barrë të rëndë brezave?

Deri në fund të marsit 2020, borxhi publik i Shqipërisë kishte arritur në rreth 3200 euro për frymë. Ndërsa, me “shtesat” e reja prej gati 1 miliard euro, pa llogaritur këtu vijimin e marrjes borxh të shumës prej 1,15 miliard euro të premtuara për rindërtimin dhe pasojat e tërmetit të 26 nëndorit të vitit të kaluar, borxhi për frymë pritet ta kalojë shumën prej 3500 – 3600 euro.

Natyrisht, që kjo është një shifër mjaft shqetësuese dhe me peshë të rëndë për brezat e ardhshëm, aq më tepër po të shihet e lidhur ngushtë me “cilësinë” e ekonomisë sonë, me qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike, me shkallën e modernizimit dhe teknologjive të reja, me fuqinë eksportuese dhe nivelin e konkurrueshmërisë që ka ekonomia shqiptare.

Këto janë arsyet përse duhet të shqetësohemi për treguesin e borxhit publik për frymë në Shqipëri. Por, po të llogarisim raportin ndërmjet borxhit për frymë dhe pagës mesatare vjetore, pesha e borxhit për frymë relativizohet disi. Duke pasur një pagë mesatare mujore prej rreth 400 euro (ose 4800 euro në vit), Shqipëria duket se akoma ka mundësi ta mbajë nën kontroll borxhin për frymë – natyrisht, me politika e masa që çojnë në uljen graduale e të qëndrueshme të tij dhe jo vazhdimin e rritjes së tij.

Sa për ilustrim, për shembull, Irlanda e ka borxhin publik për frymë në masën 67000 USD, ndërkohë që paga mesatare vjetore është në nivelin 46100 USD; Franca e ka borxhin për frymë në nivelin 35800 USD, ndërkohë që paga mesatare vjetore e konvertuar në dollarë është 40471 USD etj.ka.ta

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Civici: Si nismë sociale është e mirëpritur

Paga minimale 300 mijë lekë/ “Mund të rëndojë ekonominë”