MENU
klinika

Kush përfiton?

Pensionet/Ulen vitet e kontributeve

08.06.2020 - 09:21

Rritet mosha mesatare e pensionistëve. Koço Broka: Në vitin 2019 zbriti në 29,5 vite koha e sigurimit të detyrueshëm për të dalë në pension

Ulet me 6 muaj periudha e sigurimit të detyrueshëm për të marrë pension pleqërie. Periudha mesatare kontributive për pensionet e reja të pleqërisë të lidhura gjatë vitit 2019 ishte 29,5 vjet. Deri tani periudha kontributive ishte 30 vjet. Llogaritja e mesatares së viteve kontributive dhe kohës së përfitimit është përllogaritur nga eksperti i ekonomisë, Koço Broka.

“Periudha mesatare kontributive për pensionet e reja të pleqërisë të lidhura gjatë vitit 2019 ishte 29,5 vjet, ndërsa koha mesatare e gëzimit të pensionit për pensionet e mbyllura të pleqërisë gjatë po këtij viti ishte mesatarisht 22,8 vjet.” – thotë Broka.

Sipas tij, ky është tregues domethënës sociale dhe ekonomike, jo vetëm për individët, por edhe për ekonominë shqiptare, sidomos gjatë kësaj dekade kur pritet të thellohet deficiti i sigurimeve shoqërore, për efekt të faktorëve demografikë.

Pensioni i pleqërisë

Sipas tabelës së përgatitur nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore mosha e daljes në pension për burrat për periudhën nga 01.01.2020 deri në 31.12.2020 është 63 vjeç për kategorinë e parë dhe 65 vjeç për kategorinë e dytë dhe të tretë.

Ndërsa për të njëjtën periudhe për gratë është 58 vjeç për kategorinë e parë dhe 61 vjeç për kategorinë e dytë dhe të tretë. Sipas ligjit në fuqi, përfitojnë pension pleqërie personat që kanë moshën dhe periudhat e sigurimit dhe nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë mbi 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.

Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar ne moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social.

Shtesa do të jetë 1% për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Sipas ligjit shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

Pension i reduktuar

Pension pleqërie të reduktuar përfitojnë personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit.

Sipas ligjit në fuqi, ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit.

Koeficienti i reduktimit është 0.6 % në muaj. ISSH bën të ditur se në qoftë se një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24.000 lekë, do t’i zbritet 12% (që del nga prodhimi i 20 (muaj) që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 0,6%, që është koeficienti i miratuar)./ Fjala.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ahmetaj: Bëhej fjalë për pensionet...

”Pensionet nuk preken, por do rriten”

Përfundon paketa e ndihmës

5 mësime nga kriza greke