Përdorimi i maskave në Itali ka mënjanuar më shumë se 78 000 infeksione midis 6 prillit dhe 9 majit, sipas një studimi amerikan, të koordinuar nga nobelisti për Kiminë, Mario J. Molina, në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.
Studimi i botuar në revistën e Akademisë Amerikane të Shkencave, krahason strategjitë e përdorura në Itali me ato në Nju Jork dhe Wuhan duke arritur në përfundimin se detyrimi i maskës në vendet publike është mjeti më efektiv për të ndaluar përhapjen e Covid-19.
“Transmetimi në ajër i virusit është shumë agresiv dhe përfaqëson rrugën kryesore të përhapjes së sëmundjes. Analiza jonë zbulon se detyrimi për të mbrojtur fytyrën është thelbësor në formimin e kurbës pandemike. Përdorimi i maskave vetëm ka zvogëluar ndjeshëm numrin e infeksioneve me mbi 78 000 njësi në Itali midis 6 prillit dhe 9 majit dhe me mbi 66 000 njësi në qytetin e Nju Jorkut midis 17 prillit dhe 9 majit”, theksuan autorët e studimit.
Prandaj, ekspertët rekomandojnë përdorimin e një strategjie të kombinuar që siguron jo vetëm veshjen e maskave, por edhe distancimin shoqëror dhe karantinën.