MENU
klinika

Nga Bedri Islami

Pesë gabimet e mëdha në Kosovën e pasluftës

26.06.2020 - 11:26

Njoftimi i prokurorit të Specializuar për ngritjen e akuzave ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderit të PDK, Kadri Veseli, dy nga drejtuesit kryesorë të luftës në Kosovë, në fakt ka qenë një akt i paralajmëruar, si në një kronikë të ditur.

Nuk është ditur se ndaj kujt do të ngrihen akuzat e para dhe se cilët do të jenë të akuzuarit, por, që Gjykata Speciale, e cila njihet si Dhomat e Specializuara të Kosovës, do të fillonin aktivitetin e tyre, kjo dihej.

Rruga e tyre është hapur nga vetë deputetët e Kosovës, posaçërisht nga Thaçi dhe Veseli, dhe, vetëm forca e tyre bindëse dhe autoriteti politik e shoqëror bëri të mundur krijimin e kësaj strukture, krejt të veçantë, e pandodhur më parë, diçka që, aq sa ishte jashtë mendjes, aq ishte edhe e habitshme, pasi, ndoshta për herë të parë dhe të fundit në historinë e pasluftërave, të akuzuarit do të ishin ata që i kishin dalë për zot vendit dhe njerëzve të tyre, ndërsa bartësit e krimeve, masakrave, vrasjeve, përdhunimeve, djegieve, dëbimeve, do e kundronin të gjithë këtë nga një lozhë e epërme, si të ishte duke u zhvilluar akti i i fundit i tragjedisë së një populli.

Si erdhi puna deri këtu, pra deri në çastin kur viktima synohet të ketë rivrasjen e saj dhe vrasësi të shijojë këtë?

E gjithë ajo që thuhet nga strukturat jashtë Kosovës, se, “nuk e kemi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por me individë të veçantë, që jashtë strategjisë së ndjekur, privatisht ose në grup kanë bërë krime”, është një përrallë që mund të nanurisë të vegjëlit, të shpërblejë strukturat kundër luftës e njëkohësisht kundër lirisë, të dëmshpërblejë agresorin dhe të vendosë nënshtrimin e atyre që fituan një luftë të përgjakshme, e fundit luftë në kontinentin e vjetër, që i ngjante asaj që kishte ndodhur afërsisht në mesin e tij, me falangat naziste.

Asgjë nuk e ka dalluar nazizmin nga fashizmi nacionalist serb.

Në përfundimin e luftës, gjërat ishin të qarta, të dukshme dhe të prekshme. Rreth 15 mijë të vrarë nuk ishin varrosur ende si duhet, ata ishin mbuluar me dherat e Kosovës, por varre nuk kishin; më shumë se 2400 ushtarë të UÇK-së, ishin vrarë, rreth 2800 civilë ishin zhdukur; në mesin e të vrarëve më shumë kishte fëmijë, gra dhe pleq, se sa burra të aftë për luftë.

Kushdo i shihte krimet, të pranishme, të kudondodhura. Në më shumë se 2 mijë vendbanime nuk kishte mbetur më asgjë.

Krimi dihej, emri i kriminelëve njihej, pritej ndëshkimi. Por, të trullosur nga ideja e fitores, nga ngazëllimi se tani po niste një jetë ndryshe, ku do të ishin zot dhe ku krimi njihej dhe dihej se kush ishte bartësi, të gënjyer se përkrahja ndërkombëtare, pasi e kishin prekur krimin, do të ishte edhe më tej, shqiptarët në Kosovë harruan dhe bënë pesë gabime të mëdha, ndonjërin edhe mund ta ndreqin megjithë vonesën, por kjo do u kushtojë.

Gabimi i parë: Shqiptarët e morën lehtë pasluftën. Deri asaj dite ata kishin njohur vetëm krimin serb, por nuk e mendonin se paslufta ka ligje dhe rregulla të tjera.

Naivisht menduan se lufta mbaroi, ne jemi këtu, serbët pushtues ikën, krimi dihet, kriminelët po ashtu, rrënoja e tragjedisë është e pranishme dhe kaq.

Ata harruan se mashtrimi është veti kombëtare serbe.

Të gjitha qeveritë dhe të gjithë parlamentet e Kosovës, që nga i pari dhe deri tani, herë herë i përbërë në shumicë nga ata që quheshin rryma e bisedimeve, shumë nga të cilët kishin qenë pjesë e mekanizmit pushtues serb, e deri tek i fundit, ku janë në shumicë dërmuese njerëz të ardhur nga lufta apo familje të njohura të luftës, nuk nxorën aktin themeltar të dëshmisë së krimeve: të merrnin vendimin parlamentar dhe të akuzonin Serbinë për atë që në fakt kishte ndodhur: Gjenocidin shtetëror serb mbi një trevë shqiptare.

Ata nuk e bënë kurrë këtë. Me gjithë këmbënguljen e shumë figurave të njohura politike të Kosovës, parlamenti dhe qeveria, njëherësh, kurrë nuk e menduan se duhej shpallur gjenocidi serb, jo përmes deklaratave politike apo artikujve medialë, por zyrtarisht, mbi bazën e një vendimi të posaçëm, të formulohej akuza, të mblidheshin dëshmi dhe të paraqiteshin para botës, duke kërkuar dënimin e një shteti vrasës.

Të tkurrur nga trysnia ndërkombëtare, e cila po kërkonte rrugë paqtimi duke rënduar viktimën, secili politikan i nivelit të lartë heshti dhe tani ndjejnë pasgoditjen e pamenduar.

Gabimi i dytë: Kosova e pasluftës , më shumë se gjithçka tjetër, kishte nevojë për bashkëpunimin mes vetes. Shumë gjëra kishin ndodhur, tronditje të mëdha kishin kaluar, mëri të mëdha, deri në urrejtje ishin ngjeshur me njëra tjetrën, por nuk mund të ndërtohej shteti i ri duke pasur tronditje, mëri, hasmëri dhe urrejtje.

Nëse kjo frymë bashkëpunimi mes shqiptarëve dukej e natyrshme, ajo u duhej afruar edhe pakicave. Sidomos pakicave serbe që nuk e kishin implikuar veten në luftë, sado të paktë të ishin ato.

Në ditët e fundit të qershorit 1999, sapo lufta kishte mbaruar, Thaçi si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, në fakt një qeveri të cilën e njohën të huajt, por jo një pjesë e shqiptarëve, bëri një thirrje të pazakontë, duke u kërkuar serbëve të mos largohen nga Kosova dhe se, së bashku, mund të bashkëjetojnë si të barabartë.

E mbaj mend mirë furtunën e ngritur kundër tij, megjithëse në ato ditë ishte lideri i pakontenstueshëm. Më shumë u ngrefosën me nacionalizëm ata që sot duartrokasin akuzën ndaj tij.

Përdallimet u bënë të rënda. Një grup i ngritur nga LDK-ja, me drejtues Ekrem Kryeziun e Prizrenit, kishte marrë detyrën e evidentimit të krimeve të luftës nga UÇK-ja, duke e përjashtuar krimin serb dhe materialet, të krijuara nga mëria dhe jo nga e vërteta, tashmë janë pjesë e dosjeve të krijuara.

Asnjëherë nuk kishte ndodhur kjo. Nuk besoj se do të mund të ndodhë në një vend tjetër.

Paslufta risolli ndarjen, nga e cila përfitoi ajo që e kishte krijuar, struktura e fshehtë serbe dhe lobi serb në Kosovë, të cilët, kur shqiptarët ranë në gjumin e paqes, nisën vazhdimin e luftës.

Gabimi i tretë: krimi në Kosovë më shumë u dokumentua privatisht se sa nga qeveritë e Kosovës. Qeveritarët u dhanë pas plaçkës, tenderëve, harruan përse kishin luftuar ose përse u bënë qeveritarë, por krimin e harruan.

Të pasur, mospërfillës, shumë nga të cilët të paditur, duke e ruajtur veten zotërit e Kosovës, u bënë mospërfillës ndaj vlerave, së shkuarës, miqve dhe shokëve, ndodhi kthimi i tyre, mjerisht, në mercenarë.

Qeveritë e Kosovës që ndërroheshin, duke e quajtur gjithnjë opozitën tradhtare dhe opozita duke e trajtuar qeverinë si kolaboracioniste, harruan se kishin përballë një shtet mafioz, i mësuar me krimin dhe fshehjen e tij.

Ndërsa në Kosovë flinin dhe merreshin me pasuritë, shteti serb ngriti struktura të posaçme, me akademikë, shkencëtarë, gjeologë, historianë, specialistë të çështjeve të sigurisë, politikanë, u dha atyre një status të veçantë, si një qeveri në hije dhe, përmes tyre, ndërtuan strategjinë e mposhtjes në Kosovë në paqe, të cilën e kishin humbur në luftë.

Kur kishte dëshmitarë, të cilët e kishin parë ngjarjen me njërin sy, kjo strukturë u shtonte edhe dhjetëra sy të tjerë, i incizonte serbët e larguar nga Kosova, shumë nga të cilët kishin qenë paraushtarakë, që veshën uniformën dhe vranë fqinjët shqiptarë, mori pranë vetes “shqiptarë të ndershëm”, që u kishin shërbyer atyre, krijoi deklaratat e tyre, dhe, jo rastësisht, nuk tërhoqi asnjë, ose thuaj se asnjë, nga të njohurit si specialistë të njohur, të hapur dhe funksionarë të lartë të shërbimit të tyre të fshehtë.

Ata që mbetën në Kosovë u bënë pjesë e hetimeve, ata që i morën në shtetin serb do të mund të jenë një ditë dëshmitarët e fshehur.

Të tillë do të jenë edhe shumë shqiptarë “të devotshëm”, pa përjashtuar edhe rastet kur, qoftë për mendësi vetjake apo nga urrejtja, mund të jenë bërë krime.

Kosova humbi në pasluftë atë që kishte fituar në luftë.

Ndërsa shteti serb mbushi gjithë botën me “shifra” alarmante, bleu media të rëndësishme, e paraqiti një vrasje, që nuk dihej nga kishte ardhur , në dhejtëra variante, Kosova heshti.

Edhe libri “Mashtrimi i Madh”, i politologut të njohur Bardhyl Mahmuti, i përkthyer në disa gjuhë, shumë herë me kontribute miqësore, mbeti në magazinat ministrale.

Gabimi i katërt: Parlamenti i Kosovës, nën trysninë ndërkombëtare, miratoi ngritjen e Gjykatës Speciale, duke u ngritur nga një raport i Dik Martyt, i cili , po ashtu kishte shfrytëzuar dy burime, materialet e Karla del Pontes, ish kryeprokurores zviceriane për krimet e luftës, dhe, mbi të gjitha, një raport disa qindra faqesh që shteti serb kishte përgatitur, duke blerë haptas, pa droje, edhe ish funksionarë të lartë ndërkombëtarë që kishin punuar në strukturat e drejtësisë në Kosovë, e, po ashtu, edhe rioshë shqiptarë që u përfshinë në këto struktura, shumë nga të cilët përkthyes, por që bashkëpunuan mjaftueshëm.

A ishte i domosdoshëm ky akt, krijimi i një Gjykate, e cila do të hetonte vetëm pjesëtarët e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, edhe tani, pas kaq shumë viteve hetim e gjurmim, mund të akuzohet për rreth 100 vrasje, shumë nga të cilat, ose të gjitha pa autorë, ndërsa vrasjet e 15 mijë shqiptarëve të mbetnin anonimë.

Parlamenti u ndodh atëherë në dilemën nërkombëtare: Nëse nuk e miratoni ju, këtë do e bëjë Këshilli i Sigurimit, ku kishte shtete që nuk e njihnin Kosovën, si Rusia e Kina, që donin ta ndëshkonin, por, që ta ndëshkonin, duhet ta njihnin si shtet, ose shtetet që e kishin njohur të parët, si SHBA, Anglia etj duhet ta çnjihnin.

Është çudia e pasluftës.

Në ato ditë kam pasur takime të shpeshta me liderë politikë të Kosovës dhe, megjithë atë që kam qenë i detyruar të përcillja, u kam thënë edhe mendimin vetjak të disa institucioneve serioze, që të mos ketë ngutje dhe të mos ketë ndarje të krimit si veti nacionale.

Në muajin shkurt të vitit 1999, kur serbët kishin bërë masakrat e mëdha dhe po përgatiteshin për masakrat e stërmëdha, në një akuzë zyrtare të tyre, përmes një institucioni ndërkombëtar, ankoheshin për vetëm 5 serbë të zhdukur, disa nga të cilët jetojnë ende sot e kësaj dite.

Atëherë mendonin se luftën e kishin fituar dhe se shqiptarët do të dëboheshin. Kishin arritur të gjenin pesë emra dhe kaq.

Me kalimin e viteve ata e rritën dozën, shtuan gjithçka mundnin sipas vetisë së tyre tradicionale, mashtrimit; të gjallë u shpallën të vdekur, kriminelë të vrarë në luftë u quajtën të vrarë në pragun e shtëpive.

Cilin do të gjykojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Enigmë që e zgjidhi prokurori i specializuar përmes një njoftimi politik!

Gabimi i pestë: Në Kosovë ka pasur një detashment njerëzish në strukturat e larta të shërbimit të fshehtë. Shqiptarë të njohur, figura që kishin bërë një mijë e një të zeza mbi të burgosurit, të cilët, në pasluftë e gjetën veten si një veshkë mes dhjamit.

Ndodhi kështu sepse, ndryshe nga ajo që ndodhi në Shqipëri, ku sigurimi i shtetit, të paktën publikisht u dënua, aty nuk ndodhi asgjë. Oficer të shërbimit ishin dhe ashtu mbetën. Nëpunës të lartë, deri ministra të qeverisë së fundit të Milosheviqit në Kosovë ishin dhe ashtu mbetën. Disa u bënë deputetë, ndonjëri ministër e deri në shef qeverie.

Ish shefat e shërbimeve të fshehta u atashuan pranë strukturave ndërkombëtare dhe filluan ndëshkimin e luftës. Fadil Sylejviqi dhe Mehmet Loci janë disa nga emrat e njohur.

Fadil Sylejviqi që kishte rrëmbyer mjekun e njohur, atdhetarin e shquar, doktor Shala, pikërisht kur filloi lufta dhe e kishte zhdukur trupin e tij, u thirr të hetonte dhe krijoi aq shumë dosje të rreme dhe hapi aq shumë trillime, sa që u kërkua edhe në parlament ndëshkimi dhe dëbimi i tij.

Çuditërisht , edhe nga pushtetarët , u mbajtën afër. Mehmet Loci ishte këshilltari dhe ngritës i strukturave të sigurisë pranë LDK-së, Fadil Sylejviqi gjendej pranë një ish anëtari të Shtabit të Përgjithshëm. Funksionarë të lartë të shërbimit dhe të politikës morën frymë lirisht, pasi u shërbyen politikanë për të ngritur dosjet për njëri tjetrit.

Mos pastrimi i politikës ka sjellë forcimin e lobit serb në Kosovë.

Ata, shpesh herë, vendosin.

Si duket, qofsha i gabuar, do të vendosin edhe për shumë kohë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Duhen parandaluar pazaret në negociatat e Grenell"

Analisti flet për “DW”: Prokurorët e Hagës janë të pavarur!


Perëndimi, presioni për sanksionet ndaj Rusisë

Çfarë paralajmëron presidenti serb? Vuçiç i frikësuar!

‘Recetën’ e kujt do të ndjekë Kaja Kallas

“Zonja e re e Hekurt” merr në dorë dialogun Kosovën-Serbi

"Çdo herë që nuk biem dakord për diçka…"

“Si janë raportet tuaja me Ramën?”/ Përgjigjet Albin Kurti