MENU
klinika

100 vjet Bibliotekë Kombëtare!

Pirro Misha: Thesare… mes ujit dhe zjarrit

23.06.2020 - 12:45

       Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka përvjetorin e 100-të e megjithatë, në zgrip të mbijetesës. Librat e dorëshkrimet unike janë mes frikës së zjarrit dhe kujtimit të përmbytjes! Shembja e Teatrit Kombëtar natën, si godinë e padenjë për Shqipërinë e shekullit të 21, nuk i ka zgjidhur çështjet e kulturës. Shumë prej institucioneve kombëtare me rëndësi parësore, janë lënë si ai, pa ndërhyrje, pa investime, pa vëmendje. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare ndan me ne, thesaret dhe sfidat e këtij institucioni në 100-vjetorin e themelimit. Hapësirat e ngushta, veprat e rralla e unike, projektet e këtij viti dhe problemet e bartura për tri dekada, vijnë në vëmendje kuadër të festimeve. Intervista e tij, rrok gjithë problematikat e projektet, e asaj që do të duhej të ishte ‘Jeruzalemi’ kombëtar e krenaria e vendit.

“Është një ngjarje e madhe për vendin, BKSH janë simbole të identitetit. Ndodhën tërmeti e koronavirusi. Kishim në plan aktivitetet për gjatë gjithë vitit. Bëmë vetëm ekspozitën e librave të ndaluar. Në varësi të koronavirus, ne kemi aktivitete të pasura të mbështetura në dy shtylla, e para është që ne kemi këtu në katet e nëndheshme, kjo bibliotekë ka brenda një thesar për të cilën njerëzit s’janë të vetëdijshëm. Nuk është fjala vetëm për kujtesën kombëtare, por ka vlera unike bizantine”.

THESARE TË PANJOHURA e SALLA TË REJA

Po pse nuk njihen thesaret? Misha, ka disa shpjegime, por mosnjohja është bërë shkak për një projekt të ardhshëm në vjeshtë, në varësi të situatës me pandeminë. “Për këtë ne kemi në plan një ekspozitë të madhe, thesaret e BKSH që të ketë qëllim ndërgjegjësimin e njerëzve për vlerat e mëdha që janë neglizhuar për 30 vjet. Njerëzit elita dhe politikanët nuk janë të vetëdijshëm për atë që kemi ne këtu”.
Dhe kur vjen çasti për të treguar çfarë do të ketë ekspozita, drejtori i Bibliotekës thotë: “Në parim se gjërat nuk janë vendosur akoma. Marrin vlerë gjërat e kulturës kombëtare, librat më të vjetër që kemi por edhe trashëgimia universale. Ka shumë gjëra që janë unikale. Janë të bukura e të rëndësishme. Do të bëjmë katalog. Mendoj se është me urgjencë bërja e dukshme e asaj që është e padukshme. Këto janë masa që të fitohet një presion publik për këtë”.

Ndërkaq, 100-vjetori synon të nxjerrë në ekspozitorë edhe librat e thasëve. “Një nga projektet kryesore është që këtë vit të rehabilitojmë bibliotekën e vjetër. Librat kanë qenë nëpër thasë e publiku nuk i konsultonte dot. Ka pasuri të jashtëzakonshëm në disa gjuhë, frëngjisht, latinisht”.
Ndonëse libra të huaj, rëndësia e tyre qëndron te fakti që kanë qarkulluar në vendin tonë, ndaj për ta do të ketë salla të reja.

“Nga paraardhësit e mi janë vënë në funksion dy salla. Janë libra të rrallë, që i japin vizion tjetër se kanë qarkulluar në Shqipëri. Habitesh se si kanë qarkulluar në vendin tonë. Do të vëmë në përdorim tri salla, si atë të gjuhëve klasike, greqisht e latinisht. Salla që do jenë qendra studimore. Do të jetë edhe salla Erbert- një nga miqtë më të rëndësishëm që ka hapur bibliotekën e parë publike në Shqipëri dhe një pjesë e bibliotekës së shkollës së Fultzit”, thotë Misha.
Libra të tjerë që do të rigjejnë vëmendjen janë librat që kanë ndryshuar zot, por që e ruajnë emrin e tyre, brenda kapakëve. Për ta do të ketë një sallë më vete.

“Është salla e bibliofilisë. Ka mjaft libra që janë marrë nga bibliotekat private dhe kanë dedikimin e autorëve, Nolin e Branko Merxhanin. Këto kanë vlerë të veçantë, se tej vlerës së librit në vetvete, është pjesë e një trashëgimie të individëve të caktuar. Libri që Faik Konica ia ka dhuruar dikujt tjetër. Një pjesë e madhe e figurave të shquara të trashëgimisë sonë intelektuale e kulturore, sidomos ata që u dënuan nga regjimi komunist, e bibliotekat e tyre u konfiskuan, një sallë për ta, jo vetëm për kujtesën kombëtare por edhe për studiuesit se janë shënimet e tyre”,-sqaron Misha.

ORIGJINA QË NUK DIHEN

Mes librave që nuk dihet si kanë ardhur në bibliotekë, por që përbëjnë vlera të rralla, janë ata të bibliotekës së Bushatllinjve. Misha thotë se kanë filluar punën me ambasadën turke për një sallë të studimeve osmane. “Kemi shumë dorëshkrime osmane, duke përfshirë edhe bibliotekën e Bushatllinjve, duhet të studiohet çfarë janë se janë me alfabet arab dhe kanë nevojë të restaurohen janë dëmtuar shumë se janë keqpërdorur” sqaron ai.

Nëse pyesim se cila mund të ketë qenë origjina e këtyre librave, gjejmë vetëm hipoteza. “Është shumë e vështirë ta gjesh. Origjina si kanë ardhur është e pamundur të zhbirohet. Ka meritë të veçantë Mithat Frashëri, por shumë herë është e pamundur të zhbirohet. Është shumë interesante të shohësh librin e 1520-ës, të Aristotelit në greqisht. Se si ka mbërritur në këtë bibliotekë në gjendje aq të mirë, është diçka me të cilën studiuesit duhet të merren”, vëren drejtori Pirro Misha.
Që këto vlera unike, të mund të përdoren nga sa më shumë njerëz, prej Kohësh biblioteka ka nisur procesin e digjitalizimin e thesareve.

“Tani jemi në prag të një momenti revolucionar. Jemi në fund të mbarimit të një projekti të informatizimit, që mundëson digjitalizimin e BKSH-së, çdo gjë që do jetë këtu mund ta shohësh që nga shtëpia”.


Ai shton se përparësi për digjitalizimin kanë pasur pikërisht veprat e rralla, më me shumë vlerë dhe kjo, për disa arsye.
“Një pjesë e madhe janë kopje unike, e vetmja ekziston këtu. Këtyre u është dhënë prioritet, sepse qëllimi përveç aksesit, është edhe ruajtja sepse duke i kaluar dorë më dorë, ata dëmtohen. Librat e vjetër nuk lejohet të preken. Janë hartat e vjetra, mund të aksesohen edhe nga studiuesit e huaj. Të bëjmë që ky thesar i fshehur në tri kate nën tokë, të dalë në sipërfaqe”.

HAPËSIRA TË MUNGUARA

Por, çfarë ndryshon me digjitalizimin e veprave të bibliotekës?
Për Mishën, ndryshon gjithçka. “Kjo bibliotekë, ka probleme të mëdha, ka probleme dramatike me hapësirën se librat s’kanë ku rrinë, kjo, jo se e zgjidh problemin po e lehtëson se atij që s’mund t’ia japim librin këtu, e lexon nga shtëpia”.

Problemi i hapësirave është tashmë një problem i hershëm, i artikuluar, por i pazgjidhur. Vetë Misha, pothuaj ngre supet kur pyetet për bibliotekë të re.
“Ajo nuk varet nga mua, është më e madhe se mua. Është i domosdoshëm. Unë mendoj se brenda fuqisë së një drejtori, ne s’kemi buxhet investimesh padyshim për një ndërtesë duhet investim i madh. Di që ka një plan të avancuar por na del ana financiare. Unë mendoj se bërja publike e vlerave që janë këtu, që nuk i kanë institucione të tjera që janë vlerësuar, se këtu ka vlera unikale për kulturën kombëtare, është i vetmi vend ku ruhet kultura jonë e shkruar. Të digjet ky vend, zhduket gjithë kujtesa. Janë gazetat kulture e revistat, janë të rralla”, thotë ai.

RUAJTJE PRIMITIVE, ZJARR E UJË
Por gjendja e tashme e bibliotekës, si strehë ku ruhen thesaret për të cilat flet Misha, është e rrezikshme.
“Është bërë një studim i sistemit elektrik në fond me ndihmën e Institutit të Ndërtimit, ata dërguan një ekip, studimi është shumë i detajuar, për ndërhyrjen që duhet bërë, se është një ndërhyrje e rëndësishme elektrike në gjithë sistemin poshtë, është shumë i amortizuar. Çfarëdo që të bëjmë ne këtu, mund te ndodhë një aksident që mund të bjerë një zjarr ose një qark i shkurtër. E kemi bere projektin e kemi çuar ne ministri se ne vete nuk kemi fond”, thotë ai.

Projekti është bërë falas nga Instituti i Ndërtimit, por kujtesa e zjarrit të viteve më parë nuk është fashitur, siç nuk është fashitur, as rreziku. Dhe në këtë rast, biblioteka nuk mund të ruajë dot veten.
“Ne marrim masat që nga paraardhësja ime, që pati këtë fatkeqësi se nuk ishte faji i saj, se është një sistem i amortizuar ku nuk është ndërhyrë prej dhjetëra, dhjetëra vitesh. Këtu thjesht kur ikim ne, ulen siguresat që të mos ketë asnjë lloj korrenti, por këto janë zgjidhje të pjesshme. E rëndësishme është të kuptohet që këtu është vend unikal. Në çdo shtet, sidomos në të vegjlit, bibliotekat kanë rëndësi të madhe. Unë besoj se është opinioni publik, që duhet të bëjë presion. S’mund ta zgjidhë këtë vetëm drejtori as punonjësit që duhen falënderuar se këtu janë ruajtur gjërat, e jo gjithkund janë ruajtur. Kjo është meritë e punonjësve. Po tani janë shumë gjëra që duan zgjidhje urgjente”.

Ndonëse Misha sheh më të rrezikshëm zjarrin se ujin, përmbytja e fundit, pat shkaktuar jo pak dëme. I pyetur për frikën e një përmbytje tjetër, ai thotë se “Janë gjëra të së kaluarës. Erdhi ekipi i Institutit të Ndërtimit për ta parë. Me sa më thonë tani, përsëris fjalët e tyre, ka ndodhur kryesisht për shkak të punimeve që janë bërë në Opera dhe amortizimit të Pallatit të Kulturës. Janë bërë disa ndërhyrje të vogla, por problemi më serioz është sistemi elektrik se mund të digjte, ajo është e para që kërkojmë. E kemi çuar projektin në ministri. Nuk është shumë e madhe. Ne marrim masa primitive duke ulur siguresat plotësisht që nuk është normale, sepse do sistem ajrimi poshtë, librat janë poshtë, janë 3 kate, janë 1 milion e 300 mijë objekte që duhen ruajtur e kjo është situata”.

Vlerat e rralla që ruhen janë të shumta. Për mbledhjen e tyre, Misha u njeh meritat, paraardhësve, dhe synon të ecë në gjurmët e tyre, në mënyra të reja.

“Është kontribut i atyre që kanë qenë drejtues, që nga Karl Gurakuqi që çdo gjë e lidhur me Shqipërinë të jetë këtu. Për fat të keq këto 30 vite kjo traditë është ndërprerë. Digjitimi jep mundësi dhe po kërkohet bashkëpunimi me bibliotekat e tjera. Unë po shikoja me Italinë e Greqinë, që ka koleksionin e plotë të botimeve të Voskopojës. Ne kemi shumë pak këtu. Përveç sigurimit fizik të koleksionit të arrijmë koleksione digjitale. Kjo shmang mungesën e hapësirës. Ne kemi frikë të vijë libra të rinj, se nuk kemi ku i vëmë”, sqaron Misha.

Në mungesë të fondeve shtetërore si një lëngatë e gjatë, pse nuk bëhen të mundura donacionet? Edhe një ligj për to, është një tjetër lëngatë. “Donacionet e fondet nga jashtë duhet të jetë prioritet. Nuk na lejohet përdorimi i fondeve në valutë”, thotë Misha. Përtej drojës së një specialisti me frikë nga kushtet e me dëshirë për të hapur bibliotekën ndryshe, ai sjell shembuj donacionesh që shpëtojnë thesare. Vetë ekspozita e thesareve është një klithmë dëshpërimi, për të treguar se çfarë po lëmë në rrezik.

“Në vende të ndryshme donacionet janë baza. Greqia ka bërë bibliotekë me donacione. Ne nuk e kemi atë kulturë që të japin pasanikët. Duhet të kemi traditë të re. Duhet të hapen kanale. Do legjislacion. Do presione e përpjekje. Akoma vazhdoj me optimizëm të rezervuar”, e mbyll intervistën e tij, Misha./gsh.al