Nga Artur Ajazi
Lulzim Basha deri sot, na paskësh mbajtur një të fshehtë, profesionin e tij të dytë atë të “kameramanit televiziv”, të cilin e ka shpalosur vullnetshëm në dy javët e fundit. Duke shëtitur fermave dhe bizneseve, duke filmuar “live” momente të bukura dhe të sikletshme pune “mes njersve të thjeshtë”, Lulzim Basha ka arritur të perfeksionojë profesionin e tij të dytë, atë të “kameramanit televiziv”.
Dhe në fakt, po ta shikosh nga pikëpamja profesionale, duhet thënë se “ka njohuri të mjaftueshme për të bërë fushatë edhe i vetëm”. Hipi makinës, takohu me njerës të moshave dhe profesioneve të ndryshme, filmo vehten dhe ata pas teje që të afrohen, premto shumë, hidhe videon në fb dhe kaq.
Fillimisht, ndoshta i është dukur e pamundur të nisë zanatin e ri, por vetëm mendimi se “ulja gju më gju me popullin, të çon drejt fitores” e ka detyruar zotin Basha të mos përtojë dhe t’ja nisë punës. Nuk mbetet ditë të javës, madje qysh herët në mëngjes dhe qysh ditën e parë të javës, (pa i dalë gjumi Ramës) që Lulzim Basha, të mos shkojë tek njerësit, tek “fakirët dhe hallexhinjtë” për t’ju gjendur atyre pranë, dhe për t’ju premtuar atyre “çfarë i pret pas fitores së Partisë Demokratike”.
Por ajo që bie në sy, veç parafushatës së parakohshme elektorale të zotit Basha, është zelli për të filmuar, për të regjistruar gjithçka nga takimet e tij me “popullin”, ku merak të madh ka sidomos bizneset. Edhe dje në takimet e tij në Shingjin, zoti Basha ka filmuar në mënyrë perfekte një biznesmen që “kishte halle shumë”, por gjatë intervistës nuk dëgjuam të kishte asnjë shqetësim konkret.
Por kjo pak ka rëndësi për zotin Basha. E rëndësishme është të realizojë sa më shumë video me popull, e rëndësishme është që ata që takojnë kryetarin demokrat, të shprehin “shqetësimet e veta ndaj qeverisë Rama, madje edhe ndaj COVID-19”. Në fund të filmimeve, kuptohet që kryetari, merr edhe sms dhe telefonata “falenderuese” nga sekretarët dhe servilët mediokërr të cilët i thonë se “sa video e bukur, je i paarritshëm, ishe shkëlqyeshëm sot, e shikon populli është me ne, fituam”.
Dhe kjo falë “profesionit të dytë” të kryetarit, atë të kameramanit. Thuhet se Partia Demokratike, edhe në muajin e fushatës elektorale, nuk do të “pajtojë” më kameramanë televizionesh, pasi të gjithë në SHQUP, do ti futen nga sot, një profesioni të dytë, pasi edhe fitorja bëhet më e sigurtë, “edhe vota madje nuk arrin të preket nga Rama”. Por më gallatë ka me listat e kandidaturave të reja.
Edhe ato do ti nënshtrohen “kritereve” të reja. Duhet të mësosh si “filmohen” takimet me popullin, pastaj do të përzgjidhesh nga kryetari partisë. Kriteri është, “filmo saktë, pastër dhe pa gabime, ndryshe do të skualifikohesh”. Madje drejt “bazës” në rrethe, janë nisur nga dje, gjithë emrat e përfolur të listës së 2017, të cilët padyshim do të “përzgjidhen sërish nga anëtarësia me votën e lirë” edhe për zgjedhjet e 2021.
Përfundimisht, kriteri më i fortë në përzgjedhjen e kandidatëve të rinj, mbetet ai i “profesionit të dytë” të kryetarit. Eshtë bela e madhe për disa prej “kandidatëve të rinj” në fakt, që vetëm muajt e fundit kanë mësuar të “lundrojnë” në internet me samsungun e ri, me të cilin si fillim po bëjnë “selfi” në oborrin e SHQUP-it, si parapërgatitje për fushatën e ardhshme në 2021.