Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka reaguar në lidhje me debatet e fotra të zhvilluara ditët e fundit sa i përket provimeve të maturës shtetërore, të cilat janë konsideruar si jashtë programit.
Shahini debatet e fundi i quan “një stër-politizim të skajshëm dhe të tmerrshëm”, që sipas saj ka shpërqendruar nxënësit nga puna që duhet ta bëjnë për t’u përgatitur për provimet e radhës si dhe keqinformoi në debatin kombëtar për arsimin.
Sipas saj asnjë provim kombëtar nuk i penalizon por gjithsesi QSHA dhe Komiteti i Maturës kanë adresuar të gjitha shqetësimet. Nga ana tjetër ajo thotë se nga ekspertët e fushës dhe jo politikanët, duhet të zhvillohet debati për mënyrën se si po zhvillohet gjuha shqipe, se si po zgjerohet ajo, se si po zhvillohet letërsia shqipe, dhe se si po u mësohet gjuha dhe letërsia shqipe nxënësve në shkollat tona.
“Një debat tjetër që unë besoj duhet të ndodhë, është i domosdoshëm, jo nga politikanët por ekspertët e fushës, është debati për mënyrën se si po zhvillohet gjuha shqipe, se si po zgjerohet ajo, se si po zhvillohet letërsia shqipe, dhe se si po u mësohet gjuha dhe letërsia shqipe nxënësve në shkollat tona. Ky është një debat që duhet të ndodhë nga njerëz që e njohin gjuhën shqipe, kanë studiuar letërsinë, por e njohin edhe shkollën, e njohin edhe universitetin. Pra, janë njerëz të fushës që dinë ta adresojnë këtë çështje në një mënyrë produktive, që mund ta përkthejmë pastaj në politika arsimore.
Me sa pashë të premten para Ministrisë, kishte studentë të vitit të fundit në universitet, pjesë e strukturave të partive opozitare, të cilët e kanë bërë Maturën Shtetërore para 7-8 viteve, shumë para se të futej në funksion kurrikula e re. Kam parë gjithashtu dje që para Ministrisë kishte dalë një burrë, i cili kishte sharë e ofenduar duke përdorur fjalët më të këqija të mundshme. Unë jam e bindur që maturantët tanë nuk identifikohen me këta persona”, tha ndër të tjera Shahini.