Në vitin 1513 një burrë thatanik përfundoi një vepër të vogël që do të njihte një famë të madhe. Ai troket në pallatin Mediçi (rezidenca e dinastisë fiorentine që financoi Rilindjen dhe mbanin reputacionin si “Banka e Europës”) dhe thotë shkurtimisht:
“Çkemi familja Mediçi! Unë jam Nikolo Makiaveli, sapo më pushuan nga puna, unë marr vesh nga politika dhe nëqoftëse doni të qeverisni mbi Italinë (këtu i referohem pushtetit jo vetëm lokal, atë mbi qytet-shtetin e Firences, por edhe atë papal pasi në fronin e papës ishte një Mediçi) bëni mirë të më dëgjoni ç’kam për t’ju thënë. Unë kam një formulë që do t’ju ndihmojë t’ia dilni mbanë.”
Kjo formulë magjiplotë quhej “Princi” që kishte autor diplomatin, magjistratin dhe i emëruar nga jo pak historianë si “njeriu i parë modern”, Nikolo Makiaveli (1468-1527).
Për sa i përket “Princit” ai eshtë trajtuar gjerësisht tjetër kund. Duke trajtuar pak biografinë e Makiavelit, bashkë me elemente personale, mund ta analizojmë më mirë Makiavelin si një mendimtar.
Nikolo Makiaveli lindi në një ambient të pasur kulturor në vitin 1469, vit i cili shënon ardhjen në pushtet të Lorenco de Mediçit, i njohur si Madhështori, në fronin e Firences dhe qeverisi deri kur Makiaveli ishte 23 vjeç.
Makiaveli vinte nga një familje e vjetër e Firences, edhe pse nuk dihet shumë rreth jetës së tij të hershme, vetëm një detaj na duhet.
Ajo çfarë mund të ketë ndikuar mendjen e tij të brishtë fëminore, ndërkohë që po rritej në shtëpizën e tij, Makiaveli, kishte një kopje të printuar të librit “Historia e Romës” nga autori romak antik Tit Livi (kopja ekzistonte në shtëpinë e tij pasi i ati i Nikolos kishte hartuar indeksin e librit).
Mori një arsimim të mirë dhe iu përkushtua me një vullnet të çeliktë mësimit të latinishtes dhe shkrimeve klasike, duke mbajtur gjithmonë përgjatë jetës së tij një admirim të thellë për klasiket antike por më lejoni t’iu them se autori i tij i preferuar mbetej bashkëatdhetari i tij fiorentin Dante.
Përpara se të avancojmë më tej me biografinë e Makiavelit mund të jetë e dobishme sqarimi i kornizës politike të Firences në fund shek. XV.
Ardhja në pushtet e Lorenco de Mediçit në 1469 solli paqe për fiorentinët.
Megjithëse qe një figurë e admiruar mes qytetarëve të tij, Lorencoja kishte opozitë, e cila u bë e dhunshme me komplotin Paci, 1478, një komplot i dështuar për të rrëzuar Mediçit. Lorencoja ja mbathi por vëllai i tij Xhuliano u vra pranë një katedraleje.
Pak kohë pas vdekje së Lorencos në 1492 francezët sulmuan Italinë. Trashëgimtari i Lorencos, Pieroja ishte i ngathët dhe pa eksperiencë politike, ai u dëbua nga Firence që tashmë qe pushtuar nga francezët.
Në vitin 1494, Firence, tashmë republikë, drejtohet nga një predikues i zjarrtë i quajtur Xhirolamo Savonarola. Nga letrat që Makiaveli shkruante dukej se e admironte kryemurgun e pazakontë edhe pse nuk ishte një ndjekës fanatik i tij.
Në vitin 1498 Savonarola ekzekutohet dhe Makiaveli shfaqet për herë të parë në histori në këtë vit, kur u emërua në një post të rëndësishëm të Republikës, atë të sekretarit të kancelarisë, ku informonte qeverinë fiorentine në lidhjet me çështjet e jashtme, diplomatike dhe ushtarake.
Rrethanat politike të kohës i dhanë Makiavelit të provonte vlerën e tij. Gadishulli Apenin në atë kohë po kalonte aventura të pafundme në një teatër politiko-ushtarak, unë vë bast se nuk kishte shtet në Europën Perëndimore që nuk kishte ushtarë atje, mercenarë apo trupa të rregullt qofshin.
Makiaveli vëzhgonte sesi do të rridhnin ngjarjet në pika të ndryshme nevralgjike dhe vëzhguesit të ri iu desh të çante rrugë në një labirint intrigash. Sipas Makiavelit situata po bëhej keqësohej nga dita në ditë.
Në Francë dhe në Gjermani duke u marrë me çështjet me jashtë, ai pati rastin të studiojë raportet politike dhe sociale; ku ai i krahasonte vëzhgimet e tij me gjëndjen mbretërore në Itali.
Gjatë veprimtarisë së tij diplomatike, Makiaveli pati lidhje me njerzit më të mëdhenj të kohës: mbretin Luigji XII të Francës, perandorin Maksimilian dhe papën, Aleksandri VI. Negocioi gjithashtu dhe me të birin e papës, një dukë i fuqishëm i quajtur Çezare Borxhia. Për këtë të fundit Makiaveli kishte një admirim të pakufishëm.
Sa kohë Çezar Borxhia u shërben ambicjeve të Vatikanit për intriga dhe korrupsion, Makiaveli i pari teoricient i politikës, vëzhgon manovrat e tij dhe i angazhon ato tek “Princi”, si mekanizma të pushtetit.
Këto konstatime të pëlqyeshme zgjuan tek Makiaveli një patriotizëm që kishte origjinën tek admirimi i tij për madhështinë politike dhe morale të Romës antike. Sepse siç e përmenda pak më lart, ai ishte i dhënë pas studimeve antike të historisë së vjetër.
Viti 1512, familja Mediçi rimori frerët e Firences. Kjo ngjarje ishte fatale për Makiavelin. Ai jo vetëm që humbi punën por edhe gjatë një kontrolli në shtëpinë e një kundështari të deklaruar të Mediçëve, policia gjeti një listë personash, ndër ta edhe Nikolo Makiaveli.
Makiaveli e pa veten në burgun më të tmerrshëm të Firences; ai vuajti shumë nga tortura të këqia, si trupore dhe shpirtërore. Pas lirimit të tij, Makiaveli u shpërngul në fermën e familjes së tij të quajtur Albergaçio, në jug të Firences.
Për t’u marrë me diçka, u zhyt në studimet e historisë dhe të kushteve sociale të Antikitetit. Në të njëjtën kohë, vendosi rregull në kujtimet e tij, solli nëpërmend gjithçka kishte parë dhe njohur dikur, kur vetë luante ende një rol në skenën politike. Më në fund i grumbulloi opinionet e tij mbi të kaluarën dhe të tashmën në librin “Princi”.
Kjo vepër është origjinale sa më s’ka. Shek. XVI ishte një kohë kur rilindasit dhe humanistët italianë citojnë pa kundështuar shkrimet e vjetra klasike të autorëve antikë si Aristoteli, Ciceroni, Tukididi, Virgjili etj.
Makiaveli befason të gjithë duke mos përdorur asnjë referencë nga shkrimet klasike por edhe i kundështon hapur ato. Përshëmbull, për Aristotelin bazat e një shteti vendosen mbi besimin dhe miqësinë, ndërsa për Makiavelin bazat vendosem mbi frikën ndaj princit dhe masave shtrënguese.
Një tjetër mohim ekstrem i Makivelit që iu bën autorëve antike janë pikëpamjet politike të Ciceroit, i cili gëzonte reputacionin e gjithmbarshëm nga humanistët italianë si më i urti i romakëve.
Ciceroni argumenton se liderët politikë duhet të ushtrojnë virtytet më të larta njerëzore si: ndershmëria, sinqeriteti dhe përulja. Makiaveli në këtë pikë i lë të gjithë me nofulla përtokë dhe citon se princi duhet të përgatitet që të veprojë me imoralitet, të gënjejë-mashtrojë dhe të ushtrojë mizori.
Këto e bëjnë Makiavelin të jetë në mënyrë metaforike, “mësuesi i së keqes” dhe refuzimi që ai iu bën klasikeve e titullon atë si “njeriu i parë modern”.
Tek “Princi” Makiaveli na mëson se ka dy mënyra për të luftuar krizën e një shteti: njëra ka si armë ligjet, tjetra forcën. E para i përket njeriut, e dyta kafshës; por si në gjykimin tim dhe falë Zotit edhe për Makiavelin, e para shpesh nuk mjafton, është e nevojshme pra të kërkojmë ndihmën e të dytës.
Prandaj një princ duhet të dijë të luajë rolin e kafshës dhe atë të njeriut… Nëse një princ është i ri në detyrë, nuk mund të respektojë të gjitha ato cilësi për të cilat njerëzit çmohen si të virtytshëm; sepse shpesh për të mbojtur shtetin është i detyruar të veprojë kundër ndershmërisë, zemërgjersisë, humanizmit dhe fesë.
Në një vend tjetër, Makiaveli pyet nëse është e preferueshme për një princ që ta duan apo ta kenë frikë. Dhe jep përgjigjen: “Përgjigja është se do të ishte e dëshirueshme të ishte edhe njëra edhe tjetra, por meqë është e vështirë t’i bashkosh këto dy atribute është më e sigurtë të të kenë frikë se sa të të duan”.
Ndërkohë që shkruante për historinë ai publikoi edhe veprën, “Arti i Luftës” , e vetmja vepër që iu publikua gjatë kohës kur ai ishte gjallë. Në qershor të 1527 Nikolo Makiaveli vdiq. Brezat që erdhën pas e harruan Makiavelin ptriot; tek ai nuk shohim më veçse cinikun e rafinuar, shpikësin e “makiavelizmit”, teoricientin e madh të pabesisë politike.
Idetë e tij nuk patën asnjë jehonë në Itali, por zgjuan shumë interes tek sundimtarët e huaj.
Historia na jep këtu një shëmbull të një ironie tragjike: këshilla që Makiaveli i grumbulloi në një volum për të shpëtuar vendin e tij nga një gjendje e dëshpëruar, u përdorën kundër Italisë gjatë shekujsh të tjerë dhune.
Biblografia
Quentin Skinner, Machiavelli: A Very Short Introduction
Maurizio Viroli, Niccolo’s Smile: A biography of Machiavelli
Nikolo Makiaveli, Princi
Lauro Martines, Power and Imaginationp