MENU
klinika

ANALIZA/Si t’i lexojmë bërrylat mes Ramës e Metës

Pse Presidenti dhe Kryeministri kalojnë nga sharjet me kuç e me maç te gajasjet e ndërsjellat

10.06.2020 - 13:20

NGA AGRON GJEKMARKAJ

Për ata që merren me analizë politike padyshim sjell një farë krupe në mide , një shkulm  përbuzjeje,  një dozë përçmimi cirku politik shqiptar me inkoherencat e mungesat e tij të mëdha morale ! Pas qëndrimeve etike lind nevoja të merresh me faktet dhe do apo s’do me atë miell që ke në magje do e mbruash bukën ! Profesioni të shtrëngon të konsiderosh  deklaratat dhe deri gjestet e tyre të lyera përgjysmë me banalitet si pemët dekorative në komunizëm me gëlqere .

Me  kinse aso gjetjesh   besojnë se mahnisin miletin dhe e yshtin atë për të zgjidhur rebuset e mëdha të hamendjes ! I tillë ishte edhe ngjatetimi me bërryla  ndërmjet Edi Rames dhe Ilir Metes mes gajasjeve të ndërsjellat dhe buzëqeshjeve  vesh me vesh të Gramoz Ruçit i cili shquhet për zymtësi kronike e organike tek mblidheshin për të shkulur ferrat në rrugën e vatanit për integrim !  Muaj ka që shahen si gratë e perdala me kuç e maç  pastaj rigjeten dashurinë në kohen e koronës e cila u ndërpre nga Yuri Kim ! Përsëri filluan  ofshamat e mallkimet pasi i thanë njëri-tjetrit  “zemrën ma ke thy oh zemrën ma ke thy”!

Duket sikur njeriu brenda tyre ka vdekur prej kohesh nga pandemia e 30 vjeçare e pushtetit duke u zëvendësuar me makinën e tij  ! Lehtësia me të cilën hungërojnë dhe ajo me të cilën qeshin rrethuar nga shpura e oborrit është befasuese ! Edi Rama këtë sjellje e ka pjesë të stilit të tij plot thyerje e joshje, gargarima e shpoti, ojna e kunja ! Kësisoj atij i ka ecur kungulli mbi ujë si  aeroplanmbajtëse  prej ku  gjuajtësit kundër Presidentit dhe Opozitës kanë bombarduar ! Në të drejtën e tij është të provojë përsëri më këtë formulë komunikimi se rezultati mbetet në fund!

Ai pas shtatë vitesh qeverisje mund të krenohet me të vetmen punë publike që ka bërë shembjen e Teatrit Kombëtar e  dhunimin e gazetarit Alfred Lela nga Ministri i tij i urrejtjes kombëtare   dhe bashibozuket pa numra identifikimi  ndaj diversioni është streha e fundit në këtë vit elektoral !

Ilir Meta është një politikan me shqisa të forta dhe zgjuarsi te censhme ! Kjo vlen edhe për ata që përpiqen ta degradojnë të cilët e dinë kaq gjë ndaj insistojnë! Madje më shumë për ata ! Deri tani është i vetmi që ka provuar gjithçka,  postin e Presidentit , të Kryetarit të Kuvendit dhe të Kryeministrit ! Këtë të fundit ja dha Partia Socialiste kur ishte pjesë e saj dy të paret numëruat e  LSI partia e tretë e vendit e themeluar me kurajo pas përplasjeve me Fatos Nanon në vitin 2004. Duke u  larguar për gabim apo rastësi nga ëndrra e madhe e drejtimit të PS , Meta doli nga monotonia e gjerave të sigurta dhe hyri në zonën e trazuar por energjike të mbijetesës politike dhe mbijetoi !

E ka bërë  këtë  me guxim dhe pragmatizëm të paepur  në 2009 e 2013,  duke i krijuar vetes mitin e trimit dhe të atij që e mban fjalën për kë  e ndjek në ditë të keqe ! Askush nuk e beson madje qesh me të madhe aq sa duhet ti japësh një gotë ujë për t’ia ndalur hovin që të mos mbytet  kujtdo që i thuhet se LSI nuk është Ilir Meta dhe se ai ai është i ndarë prej saj për pozitë institucionale !

Ky formacion është pjesë e koalicionit opozitar prej vitit 2017 dhe opozita e saj ka qenë radikale sepse edhe Presidenti ka qene në përballje radikale me qeverinë prej më shumë se një viti !Interesi publik duket se i ka dhënë të drejtë deri me 2 Mars!  Por perceptohet  se tek LSI  dhe shefi i saj real Ilir Meta ka një sindrom paranoje ! Frika se mos Lulzim Basha mund të bëjë marrëveshje me Edi Ramen të cilën Kryeministri e përhap e ndjell si thashetheme lart e poshtë  ! Basha njëherë pasi priti Ilir Meten të vinte në çader në pranverën e vitit 2017 por ai u bë President ka gabuar dukë bërë një marrëveshje  qeverisëse me Ramen dhe duke sulmuar LSI e çamet në fushatë  ! E pagoi shtrenjtë në të gjitha kuptimet ! PD doli e rraskapitur nga ajo histori dhe ënde se ka marrë veten prej saj në cilësi  ! L. Basha e ka takuar vetëm njëherë dhe ka mbi një qind herë që e pranon gabimin ! Një nxitim i gjithanshëm vihet re për ta quajtur të pamjaftueshëm këtë ‘mea culpa” a thua se vetëm atij duhet ti ngarkohet përjetësisht thesi i gabimit mbi shpinë dhe të gjithë të tjerët janë qelibar?!

Basha sot  e ka të panevojshme të bëjë marrëveshje me Ramën në këto kushte kur Opozita nëse hapet ndaj elitave , bashkohet,  zgjerohet  dhe me program bindes mund të jetë fitues ! Në rast fitoreje LSI ka pjesën e vet të rëndësishme ! Bashës i hakërrehen lehtë së fundmi edhe për Reformën Zgjedhore ku ai në fakt dëshmoi qëndrese dhe mori çfarë deshi ! Rama dëshmoi se ka frikë nga zgjedhjet ndaj deri në fund insistoi të merrte komisioneret në tavolinë ! Në thelb lihet të kuptohet se të gjithë mund të takohen me Edi Ramen po Lulzim Basha jo ! Ndonëse nuk do të ishte fundi i botes në një vend normal Kryeministri dhe Lideri i Opozitës në mënyre transparente mund të takohen për çështje emergjente ! Por si janë punët sot në Shqipëri Basha nuk duhet ta takoje se nuk i mund dot paranojat që ngrihen rreth tije ! Grupi i gatshëm i rri në pritë me pushkë për faqe  ! Ndërkohe Meta takohet me Ramen dhe me Bashen veshur  me petkun  e Presidentit dhe askush nuk i lyp llogari pos publicistëve politikë  që i kërkojnë koherence, këtë mundesë të madhe në politiken tonë  !

Ai  herë i buzëqesh njërit e herë kritikon tjetrin !  Ilir Meta i inatosur  kupton etjen e madhe të Edi Rames për të ndenjur në pushtet dhe për këtë ai shpërblen mirë  si dhe nevojën jetike të Lulzim Bashes për tu ngjitur në të si dialektike e dy mandate opozitë, njëri  një sëbashku me LSI! Presidenti ndërkohe  mat e pret dëshirat e veta që lëvizin si vija e horizontit ! Në këtë kontekst duhen lexuar bërrylat dje ! Ai i ka matur bërrylin vetem njërit , Edi Rames  fizikisht apo  Lulzim Bashes simbolikisht muajt do të na e thonë ! Një bashkim i tij me Kryeministrin thjesht do të na vinte mbi tavolinë një gjellë qensh që shqiptaret do ta hanë si krem demokracie i cili  do të mbulonte një Pazar për tu rrëfyer në një mijë e një net ! Por Ilir Meta vështire të gabojë tre here njësoj paçka se me imazhin po gabon një ditë po e një ditë duke kërcënuar e qeshur pa hesap!