Dita e dorëzimit në Kuvend e draftit të zgjedhores i gjen dy përfaqësuesit politik të PS dhe PD më të relaksuar. Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi e konsiderojnë të mbyllur punën për pikat e dakordësuara në tryezë. “Drafti është në përfundim e sipër, kanë ngelur disa cështje teknike, duket ta mbyllim sot pasi ditën e sotme skadon afati i komisionit të reformës zgjedhore”, shprehet Gjiknuri.
Ndonëse sot i skadon afati Komisionit parlamentar, Damian Gjiknuri për Report tv thotë se drafti i dalë nga tryeza do të dorëzohet gjithsesi në Kuvend, duke konsideruar si mundësi shqyrtimin në Komisionin e Ligjeve. “Kuvendi të vendosë nëse do i shtyhet mandati i komisionit të reformës zgjedhore, apo drafti do shqyrtohet në rrugë normale, në komisionin e ligjeve për të vajtur në seancë. Sic e dini nuk është se në komisionin e reformës zgjedhore pritet input maksimal, jo se duhet të neglizhoj rëndësinë e punës së tyre por ky është një draft tashmë i dakordësuar, i punuar teknikisht, dhe cështjet që ka pasur opozita jashtëparlamentare dhe parlamentare janë adresuar. Nga kjo pikëpamje nuk shoh rrezik për miratimin e kodit zgjedhor për rrugën që do zgjedhë”, tha përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri.
Tashmë sfida e radhës për mazhorancën nuk është me PD por me opozitën në Kuvend që ka kushtëzuar votën e saj. “Ne nuk i kemi të gjitha mandatet, kështu që do luftojmë për konsensus për votën në Kuvend”, shprehet përfaqësuesi i PS.
Shtatori do e gjejë KQZ-në të riformatuar dhe me anëtarë të rinj. “Menjëherë pasi ligji hyn në fuqi, brenda 30 ditësh fillojnë procedurat e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Synimi është që maksimumi në shtator këta individë duhet të jenë të zgjedhur”, thotë Gjiknuri.