MENU
klinika

Berati

Qyteti i njëmijë mrekullive

19.06.2020 - 06:21

Turistët kur vijnë në Berat kanë njohuri paraprake për kalanë dhe qytetin në tërësi, por Berati ka gjithmonë histori dhe pika që befasojnë

Është mesi i verës dhe Tomori hijerëndë është akoma i zbardhur. Nga larg është orientuesi kryesor për në Berat. “Berati është ndër të vetmet qytete që unë kam parë në jetën time, me “far natyral” shprehej udhëtari anglez Hobhauz.

Thonë se projekti i arkitektëve italianë në vitet 30-të, ka qenë për një Berat që do të shtrihej deri në qytezën e sotme, Ura Vajgurore madje edhe deri edhe në Kuçovë, për të krijuar një nga qendrat më të mëdha të Shqipërisë dhe Ballkanit. Edhe sot për nga vendosja që kjo qytezë ka, duket se shërben si një portë prezantuese për Beratin, në fakt një portë e keqe, e ndotur, pa infrastrukturë dhe që sa herë lumi Osum “zemërohet”, dufin fillimisht e nxjerr në këtë qytezë.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht ‘Qytet muze’. Ai është qytet muze me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona: zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.

Sot Berati trashëgon 210 objekte muzealë, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Për beratasin qytetar, mësuar me rrugicat e pastra të lagjeve, asgjë nuk justifikon pamjen plot mbeturina rrëzë kështjellës, në disa rrugica, nën pishat diku më poshtë. Sikurse as lagjet e reja, mbirë si “kërpudhat pas shiut” mbi varrezat e Dëshmorëve, mbi agjencinë e vjetër, tek-tuk edhe nëpër lagje, ku dikush në paligjshmëri kanë ndërtuar sipas kokës së vet.

Pozicioni gjeografik si “xhep” i Beratit, mosveprimi i pushteteve lokale në këto 23 vjet, i ka tejlodhur beratasit autoktonë, që kanë nisur vitet e fundit të mendojnë mbijetesën përmes turizmit.

Deri tani gati 30 banesa të vjetra qindra-vjeçare në Kala, Mangalem dhe Goricë, pronarët i kanë kthyer në hotele familjare, ku tradita gërsheton bukur gurin dhe drurin. Këtu turisti nuk befasohet thjesht nga dhomat me baxha, apo mbështetur në shkëmb, siç janë në Mangalem disa shtëpi-hotel si “Kodikët”, “Guva”, “Vruho”, “Osumi”, “Hotel Aleksandër”, qerasjet me gliko e lëng trëndafili, tradita të vjetra qytetare, por kur sidomos përballet me histori familjesh të hershme gati mistike…

Një qytet si Berati i ndarë në mes nga një lum sigurisht që pjesë tejet të rëndësishme të tij ka urat që e lidhin atë, dhe më e bukura në Berat është ura e Goricës.

Ura e Goricës është ndërtuar fillimisht në vitin 1780 sipas dokumenteve osmane, por që më pas do të rindërtohej dhe do të shndërrohej në një urë të gurtë (pak a shumë në formën e sotme), nga pashai i sanxhakut të Beratit Ahmet Kurt Pasha.

Një legjendë thotë se në një nga këmbët e urës së Goricës ka qenë një zgavër në të cilën sipas mitit burgosej dhe flijohej një vajzë për të mundësuar që ura të qëndronte e fortë dhe t’i rezistonte furisë së Osumit të “zemëruar” gjatë dimrit. Ndërkohë për sa i përket ndërtimit dhe strukturës së saj, vlen të përmendet se kjo urë në fillim ka pasur 9 harqe ndërsa sot, pas disa rindërtimesh dhe rikonstruksionesh ka mbetur vetëm me 7 të tilla.

Kalaja e Beratit vazhdon të banohet që prej më shumë se 2400 vjetësh, duke e bërë atë një nga vendbanimet e rralla ku jeta nuk është ndërprerë për më shumë se 2400 vjet. Në antikitet kalaja ishte një vendbanim proto-urban dhe tejet strategjik, për shkak se ndodhet në një kodër gati 200 metra mbi nivelin e detit dhe pozicion dominues mbi të gjithë fushën e Myzeqesë, me fushëpamje deri në detin Adriatik.

Në tërësi kalaja i ka rezistuar planimetrisë dhe strukturës së saj fillestare, me ndryshime të vogla. Disa nga ndryshimet që mund të vërehen më lehtë janë muret në pjesën jugore ku dallohet lehtë, se për nga gdhendja gurët i përkasin epokës antike por se janë përdorur për ndërtesa të periudhës mesjetare, kjo tregon edhe njëherë për vazhdimësinë e pandërprerë të jetës në këtë kala.

Njëra nga historitë më të bukura është legjenda e betejës mes Tomorit e Shpiragut për kalanë, që shpjegonte formën e malit, për ata që e mësojnë në Berat këtë legjendë, e vendosin në rangun e tregimeve epike Helene. Nëse do të bëjmë një krahasim të objekteve më të vizituara në këtë qytet, sigurisht që asnjë pikë tjetër nuk mund të rivalizojë kalanë legjendare. Por ka edhe pika të tjera që nuk ngelen pas, dhe një nga ato është dhe muzeu mesjetar “Onufri”.

Në kishën ku është i vendosur ky muze mendohet se për një kohë të gjatë, përgjatë luftës së dytë botërore është mbajtur fshehur një nga pasuritë më të mëdha që ka Shqipëria siç janë Kodikët e Beratit. Këta kodikë të shkruar me germa të arta në mesjetë, u mbrojtën me fanatizëm nga beratasit gjatë gjithë kohës duke i mbajtur ato si njëra ndër gjërat më të çmuara që ky qytet ka.

Beratasit janë kritikë dhe që u deshën 9 vjet që u hartua plani rregullues dhe menaxhues i territorit urban, nga 2004-2013, që përfshin statusin e Beratit si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore UNESCO, menaxhimin e Qendrës Historike, zgjeron vijën administrative të qytetit, përfshin Unazën, stabilizon qarkullimin e automjeteve, rehabilitimin e shtratin të lumit Osum, zgjerimin e hapësirave të gjelbra, ndërtimin e disa lulishteve, prishjen e gjithë ndërtimeve pa leje, etj. Berati i vjetër, kishat, xhamitë, bashkëjetesa e mrekullueshme fetare që të huajt e kanë kërshëri për të kuptuar pse-në, lagjet, prodhimet artizanale aq të mira, glikotë, qëndisjet, punimet në dru nëse do ringrihen.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit