Kryeministri Edi Rama së bashku me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla kanë vizituar një fermë në Cërrik e cila i përket tre vëllezërve Bullari ku në 250 hektarë kanë mbjellë arra, kiwi, bajame, shegë.
Rama thotë se këtë vit nuk mungon buxheti për bujqësinë, madje përkundrazi falë aksesit në programet europiane pas çeljes së negociatave tashëm Shqipëria ka shumën më të madhe ndonjëherë.
Po ashtu Rama tha se gjatë këtyre viteve kanë munguar fermerët që nuk kanë pasur projekt dhe vizion por kanë qëndruar në fermën e tyre dhe më pas nuk kanë ditur ku ta shesin.
”Ka gjithsej 250 hektarë. Pjesa më e madhe janë arra, është një arrë shumë e mirë që sivjet ka prodhimin e parë. Ka shegë, qershi, lajthi, fiq, në 250 hektarë bajame ndërkohë që ka krijuar dhe duke përfshirë një fermë me dhi, me lopë, dhe për përpunimin e tyre. Ne do shohim një nga pjesët e saj. Tek pjesa e kiwit. U habita kur një rrënjë mund të prodhojë deri në 300 kg, është e çuditshme.”- tha Taulant Balla.
”Ajo që sot ka rëndësi është se nuk na mungon buxheti. Sot kemi në dispozicion me buxhetin e shtetit, me aksesin falë programeve europiane, shumën më të madhe që nuk ka bërë vaki ndonjëherë.
Ajo që na ka munguar për disa vite, ka qenë një numër kritik njerëzish që të mendojnë me projekt dhe vizion. Jo jam këtu në këtë trastën time, me patate nuk di ku t’i çoj. Lidhur me aplikimet e skemës kombëtare këtë vit, është shenjë domethënëse jo aq për shumën, në raport se sa shumë persona kanë shfrytëzuar aplikimin online. Se janë ata llafollogët e Tiranës e të Facebookut që thonë se fshatarët nuk dinë të përdorin internet dhe Iphone apo teknologjinë. Në punën kudo edhe në majë të malit e gjejnë mënyrën, se sa ata që janë në fakt katunarët e vërtetë, edhe unë jam shumë krenar që jam katunar se u bëmë shumë qytetarë andej nga Tirana, dhe kështu më mirë katunar. Ajo që na duhet është të kemi sa më shumë veprimtari prodhuese dhe sa më shumë edhe tek agropërpunim, sepse kemi rritje të eksportit.”- tha Rama.