MENU
klinika

Flet për listat e hapura pas takimit

Rama: Nuk gjetëm dakordësi me opozitën parlamentare

10.06.2020 - 20:27

Kryeministri Edi Rama tha në fund të takimit me opozitës parlamentare se nuk u arrit dakordësia për reformën zgjedhore. Rama theksoi se i kupton përfaqësuesit e opozitës parlamentare, që ndjehen të përjashtuar dhe të fyer nga ata që i kanë sjellë në parlament me firmat e tyre.

Mes të tjerash, kryeministri theksoi se në tryezën e diskutimit përfaqësuesit e opozitës parlamentare kanë hedhur akuza se ka tentativa për blerjen e tyre si nga opozita jashtëparlamentare, ashtu edhe nga qeveria.

“Natyrisht nuk gjetëm dakordësi. Në fakt unë i nënkuptoj përfaqësuesit e opozitës parlamentare, ndjehen të përjashtuar, të fyer, për faktin që pasi janë denigruar dhe janë fyer në mënyrë sistematike nga ta që i kanë sjellë në parlament me firmat e tyre, gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë të padenjë dhe mbi të gjitha detyruese nga jashtë parlamentit, për parlamentin. Megjithatë ajo që mendoj se është e rëndësishme, është që të vazhdojmë të diskutojmë. Më vjen keq që dëgjova në tryezë akuza edhe për tentativa për blerje, apo për influenca jo korrekte mbi deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë, dhe unë ju sigurova që ne nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje, ku thjesht dhe vetëm do të kërkojmë aritmetikën, por do të shkojmë në rrugën e një diskutimi, për të krijuar kushtet e një dakordësie”, tha Rama.

Rama se nuk beson që listat e hapura do të kenë një efekt çudibërës në procesin demokratik.

“Ka një opinion të gjerë që mendon se hapja e listave ka një efekt çudibërës në procesin demokratik. Unë nuk e besoj këtë, sepse mendoj se çdo sistem është demokratik, secili vend bën zgjedhjen e vet. Përfytyroni këta njerëz që janë sot në parlament, që vijnë nga PD, dhe nëse lista do të ishte e hapur zgjedhja do të ishte mes atyre që janë këtu dhe atyre që ikën nga këtu. Kjo do të ishte adresa e votës. Unë e kam thënë që kjo reformë duhej bërë më parë, duhej bërë me dy shkallë”, theksoi kryeministri.

I pyetur nga gazetarët nëse rrezikon të mos miratohet reforma zgjedhore dhe vendi të shkojë në zgjedhje me këtë Kod, kreu i qeverisë deklaroi se “Me këtë Kod ne nuk shkojmë dot në zgjedhje, sepse ka nevojë për disa ndërhyrje, ku kryesorja është që duhet të ndërhyjmë në Kod minimumi për të garantuar instancën e ankimimit, që sot ka rënë. Për këtë arsye duhet që të kemi edhe konsensusin e opozitës parlamentare”.