MENU
klinika

Analizë/ Preç Zogaj

Rama synon mandatin e tretë, por fitorja është në dorën e opozitës

20.06.2020 - 13:47

Preç Zogaj/ Zgjedhjet e reja parlamentare kanë filluar të shfaqen në horizont. Nëse nuk ndodh ndonjë ngjarje e papritur që do të diktonte mbajtjen e tyre në vjeshtë, gjë që nuk shihet të ketë gjasa të ndodhë, ato do të mbahen në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm. Është akoma shpejt për të vënë baste apo për të bërë parashikime të prera se kush do të fitojë. Në vendin tonë mungojnë sondazhet korrente nga kompani të pavarura me reputacion ndërkombëtar që orientojnë parashikimin. Ato pak sondazhe politike jopartiake në vend tregojnë një gjendje preferencash në lëvizje.

Por analiza mund të bëhen. Në rrafshin historik, zgjedhjet e ardhshme edhe kanë, edhe nuk kanë ngjashmëri me zgjedhjet e vitit 2005 dhe të vitit 2013 kur kanë ndodhur dy rrotacionet e pastra të pushtetit në Shqipëri pas qeverisjeve tetëvjeçare, respektivisht të PS-së (1997-2005) dhe PD-së ( 2005-2013). Është fakt se dy mandate e konsumojnë qeverinë. Edhe kur ka një bilanc. Edhe kur provon apo “ manovron” me fytyra të reja brenda llojit, siç ka ndodhur me qeverinë e PS-së në periudhën 1997-2005, që nxori përgjatë kohës tre kryeministra. Nanon, Metën dhe Majkon. Pra, rrotacioni për shkak të konsumimit ka shanse të shtuara. Por vetëm kaq. Nëse do të ruhej “rregulli” i alternimit të partive çdo tetë vjet, zgjedhjet e reja nuk do të kishin histori. Në fakt zgjedhjet kanë kurdoherë enigmën e tyre. Ndryshe s’do të kishin emocion dhe madje as kuptim.

Përveçse kohëzgjatjen tetëvjeçare të qeverisë, zgjedhjet e vitit 2021 kanë të përbashkët me ato të rrotacioneve të mëparshme edhe pozicionin e LSI-së. Kjo parti doli vetëm në zgjedhjet e vitit 2005 si një forcë alternative e së majtës, duke ndihmuar dukshëm me rezultatet e kandidatëve të saj mazhoritarë (atëherë votohej me sistem mazhoritar në 100 zona një emërore) fitoren e PD-së. Në zgjedhjet e vitit 2013, LSI garoi në koalicion me PS duke e garantuar e thelluar fitoren e saj, gjë që e rikonfirmoi si parti qeveribërëse. Në zgjedhjet e ardhshme, LSI do të garojë në koalicion me PD-në dhe partitë e tjera opozitare të mbledhura nën ombrellën e opozitës së bashkuar. Ky fakt i rrit edhe më tej shanset e rrotacionit të pushtetit.

Një tjetër element i përbashkët i zgjedhjeve që po marrim në shqyrtim është ruajtja në vija të përgjithshme e të njëjtit establishment politik Ky fakt, siç është parë në disa sprova elektorale të ndërmjetme, ka gjasa tu marrë shanseve të rrotacionit një pjesë të fetës që u jepet “ automatikisht” nga konsumimi i qeverisë dhe pozicioni i LSI-së.

Për të mos u zgjatur me të përbashkëtat, zgjedhjet e ardhshme kanë edhe mjaft risi në raport me të shkuarat, të tilla që e bëjnë edhe më intrigues valsin e parashikimeve se kush do të fitojë.

Mbi këto zgjedhje peshojnë pritshmëritë popullore për të çuar ndëshkueshmërinë ligjore në sferat e larta nëpërmjet drejtësisë së re, një premtim i përsëritur i SHBA-së dhe BE-së për popullin shqiptar. Katër vjet pas miratimin me konsensus, kundërshtarët e hapur apo të fshehtë të reformës në drejtësi ia kanë dalë ta vonojnë zbatimin e saj dhe t’u japin një goditje shpresave të kohës kur u miratua. Por nuk e kanë ndalur. Drejtësia e re përben përkuljen e historisë nga drejtësia, tha para disa javësh ambasdadoresha e SHBA-së në Tiranë, zonja Juri Kim, duke demonstruar me lakonizmin e fjalisë thelbin e angazhimit amerikan për ketë reforme. Pyetja në funksion të zgjedhjeve të radhës është kjo: si do të shkohet në këto zgjedhje? Me një SPAK dhe me një Gjykatë gjithnjë në përgatitje, gjithnjë në “ nxehmje”, apo me një SPAK që ka paraqitur akuzat e para penale me një Gjykatë që ka dhënë dënimet e para ligjore ndaj zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të korruptuar që janë subjekt i tyre? Opozita, në çdo version, e ka elektoralisht në favor goditjen konkrete të korrupsionit në sferat e larta. Opozita nuk merr kosto edhe po të goditet ndonjë prej ish zyrtarëve të saj. Në të kundërtën, pastrohet, ndihmohet, tek realizon përmes rrugës institucionale ligjore atë që partitë nuk kanë instrumente adekuatë për ta bërë vete: verifikimin dhe largimin e të korruptuarve nga ekipet e tyre. Kurse shumica, pikërisht sepse është në qeveri, paguan një çmim elektoral nga goditja e zyrtarëve të saj. Ndaj, pavarësisht fjalëve të mëdha, kupola qeveritare do të bëjë çmos, kudo ku t’i jepet mundësia, pa dalë hapur, ta shtyjë në kohë përtej zgjedhjeve ndëshkueshmërisë në sferat e larta dhe në perspektive ti fusë edhe ajo ujë rakisë, siç thotë populli me qëllim që rrjeta e SPAK dhe BKH të kapë peshq të vegjël. Përbetimi për kastrimin e reformës qarkullon si një interes traversal i përbashkët i të korruptuarave dhe ish të korruptuarve në sferat e larta.

Çdo të bëjë SHBA, Departamenti i Shtetit, ambasada e saj në Tiranë? Do të pranojnë që Shqipëria të shkojë në zgjedhjet reja parlamentare kështu siç është me një drejtësi që nuk ka bërë asgjë konkrete në funksion të qëllimit për të cilën është reformuar sui generis? Do të lejojnë riciklimin e establishmentit kështu siç është? Zgjedhjet pa të reja nga fronti i ndëshkueshmërisë në sferat e larta do të jenë një lajm i keq dhe një zhgënjim i madh për të gjithë qytetarët që kanë besuar e besojnë në premtimin amerikan dhe europian. Partnerët e dinë mirë këtë. Një gjë do të ndodhë. Kalendari e lejon ngritjen në kohën e mbetur të institucioneve në ndërtim dhe fshirjen e çdo alibie për mosveprim.

Veprimi i drejtësisë, megjithë rëndësinë e shtuar në këtë periudhë, nuk eklipson në asnjë mënyrë ndikimin përcaktues të faktorëve klasikë në fatin e një gare zgjedhore, siç janë bilanci dhe projekti i ri nga qeveria, programi, ekipi dhe fryma nga opozita e kështu me radhë. Rama synon dhe shpreson të “ thyejë” rekordin, të jetë i pari kryeministër që merr një mandat të tretë në Shqipëri. Ai ka vënë në lëvizje gjithë makinerinë e tij të opinionbërjes për të ngulitur këtë “ bindje”. Ka ndërkaq analistë politikë dhe njerëz të thjeshtë që e mendojnë vetë këtë gjë, pa qenë në shërbim të qeverisë. Gjithkush hyn në zgjedhje për të fituar. Është normale. Në krye të qeverisë për tetë vjet me radhë, Rama do ta ketë të vështirë, për të mos thënë të pamundur të bindë shumicën e zgjedhësve se taksat e shtuara, të hyrat e shtuara në buxhet për këtë shkak dhe borxhi i rritur tej çdo limiti të arsyeshëm, pra gjithë thesi i madh i parave që ka kaluar nëpër duar ai dhe qeveria e tij, kanë rritur mirëqenien konkrete të njerëzve dhe kanë fuqizuar sipërmarrjen. Në këtë rrafsh, njerëzit i bëjnë llogaritë parasëgjithash me rrogat dhe pensionet që marrin, që kanë mbetur në masën dërmuese në vendnumëro. Kurse sipërmarrja, bujqësia dhe agroindustria në radhë të parë, i bëjnë llogaritë me nxitësit ekonomikë dhe me mbështetjen financiare që kanë marrë. Pandemia nxori në pah të vërtetën e një ekonomie fake në shkallën e krahasimit me vendet fqinje. Ekonomia është dhe do të jetë fusha e betejës elektorale të cilën qeveria e ka humbur që tani.

Sa i takon zgjedhjeve, në një pamje të gjerë, nuk është në dorën e Ramës të fitojë për herë të tretë. Rezultatin e zgjedhjeve e ka në dorë pikësëpari opozita. Paradoksalisht në pamjen e jashtme të gjërave, Rama mund të përfitojë nga ajo që lë mangët opozita më shumë se sa përfiton opozita nga ajo që lë mangët Rama. Shpjegimi për ketë lidhet me natyrën e Partisë Socialiste së cilës si rregull i peshon bishti me rëndë se sqepari, siç thotë populli. Kjo është një temë së cilës do t’i kthehemi njëherë tjetër. Duke njohur e shpjeguar me realizëm dështimet e qeverisë dhe shterimin e mundësive të saj për t’u propozuar një projekt të ri shqiptarëve, opozita do të bënte mirë ta bënte lojën e saj njëlloj sikur Rama të kishte qenë i suksesshëm. Programi , ekipi, fryma, të tria këto mbeten fjalë kyçe të ofertës opozitare. Këtu do të doja të shtoja me një theks të ri bashkimin e madh opozitar rreth historisë së PD-së dhe partive aleate. Tridhjetë vjetori i Lëvizjes Demokratike të Dhjetorit dhe i themelimit të PD-së përbën një rast ideal për ta bërë këtë, jo vetëm me fjalë, por deri në formën e një eklezie të madhe. Bashkimi me hapje, hapja me përtëritje, përtëritja me evidentim dhe afrimin të politikanëve të pakonsumuar që rrezatojnë dije, etikë dhe integritet në publik- të gjitha këto janë dëshmuar dje dhe s’kanë përse të mos dëshmohen nesër si mjete të fitores.