Opozita parlamentare artikuloi dje propozimet e saj të shkruara, të cilat për shumëkënd u vlerësuan si paradoksale.
Pasi deklaruan se nuk njohin Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore të mbështetur nga ndërkombëtarët, dje deputetët e opozitës parlamentare dolën me një propozim, ku kërkuan ndërhyrje në Kushtetutë.
Kërkesat e tyre duket se nuk janë të kristalizuara dhe këtë e fakton edhe formulimi i kërkesës së depozituar në kryesinë e Kuvendit ku shkruhet: “Ne deputetët e poshtëshënuar kërkojmë të rishikohet neni 68 dhe 64 i Kushtetutës”. Ndërkohë që në shkresat zyrtare rendi i neneve është nga numri më i vogël te më i madhi. Ndërsa nëse merremi me brendinë, dy nenet, 64 dhe ai 68, flasin për listat dhe për koalicionet.
Madje, anëtarët e opozitës brenda Parlamentit ishin të paqartë edhe mes tyre, ndërsa Murrizi tha në konferencë se kërkesa e tyre është vetëm për hapjen e listave.
“Drafti që depozituam sot parashikon hapjen e listave. Kemi kërkuar që neni 68 dhe 64 të mos jetë siç është. Të gjitha detajet e tjera janë detaje teknike që sanksionohen në Kodin Zgjedhor. Hileqarët e 2008 kanë futur në Kushtetutë listat e mbyllura”, tha Murrizi.
Nimet Musai, që qëndronte në krah të djathtë të z. Murrizi, u shpreh se ka edhe një kërkesë tjetër që sanksionon edhe mospasjen mundësi për koalicione parazgjedhore. “Sot, 29 firma që kanë depozituar kërkesën për ndryshime në Kushtetutë për hapjen e listave. Sot, ne jemi mbështetës të qytetarëve shqiptare. Normalisht, ka qenë edhe një kërkesë tjetër. Nuk ka koalicione parazgjedhore. E rëndësishme është që forcat politike të kenë peshën e tyre specifike, që, duke lexuar votën politike, të krijojnë qeverinë. Kemi eksperiencën në Kosovë”, tha Musai.
NDËRHYRJA NË KUSHTETUTË
Formulimi i kërkesës së opozitës parlamentare u bë në kushte shpejtësie, pasi ndryshe nga ajo që prezantuan në konferencën për mediat, paraditen e djeshme nga ata qarkulloi një dokument tjetër i detajuar, ku saktësohej ndërhyrja që kërkonin të bënin në nenin 64 dhe 68 të Kushtetutës. Në nenin 64, deputetët e opozitës së re kërkonin që të sanksiononin pragun zgjedhor 5%.
“Numri i mandateve të deputetëve që i takojnë çdo rajoni zgjedhor përcaktohet në bazë të numrit të popullsisë së regjistruar në regjistrat shtetërorë. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë partitë, që në rang vendi kanë fituar jo më pak se pesë për qind të votave të vlefshme”, shkruhej në dokument. Ndërsa te neni 68 përjashtonin mundësinë e koalicioneve parazgjedhore.
“Paragrafi 1 i nenit 68 ndryshohet si vijon: 1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike dhe nga zgjedhësit. Nuk lejohen koalicionet parazgjedhore. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”, shkruhej në draftin e opozitës së re. Ajo që ngre dyshime në të gjithë këtë histori është se si një grup deputetësh, mbështetja e të cilit firoi nga 39 në 29 brenda një jave, që aspirojnë të krijojnë një partitë të re, kërkojnë të vendosin prag zgjedhor 5% dhe të sanksionojnë në Kushtetutë përjashtimin e koalicioneve parazgjedhore.
Në Kodin Zgjedhor aktual, pragu zgjedhor për koalicionet në rang qarku është 5%, ndërsa për partitë që garojnë të vetme 3%. Kjo është bërë me arsyetimin se partitë e kanë më të vështirë të arrijnë pragun nëse garojnë jashtë koalicioneve. Sipas ekspertëve zgjedhorë, formula e propozuar nga opozita parlamentare synon asimilimin e partive të vogla. Shumica prej partive në Shqipëri, nëse garojnë të vetme, nuk e kalojnë pragun 5% të votuesve në rang qarku.
NENI 64
1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.
2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.
3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
NENI 68
1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
2. Në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kritere dhe rregulla të tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve të tyre.
NENET 64 DHE 68
NENI 1
Neni 64 ndryshohet si vijon:
1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal.
2. Numri i mandateve të deputetëve që i takojnë çdo rajoni zgjedhor, përcaktohet në bazë të numrit të popullsisë së regjistruar në regjistrat shtetërorë. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë partitë, që në rang vendi kanë fituar jo më pak se pesë për qind të votave të vlefshme.
3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë, përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore, sipas përcaktimeve të ligjit për zgjedhjet”
PROPOZOHET TE BEHEN
NENI 1
Neni 68 ndryshohet si vijon:
Paragrafi 1 i nenit 68 ndryshohet si vijon:
1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike dhe nga zgjedhësit. Nuk lejohen koalicionet parazgjedhore. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhje