MENU
klinika

"Të gjithë shpresat i kanë te SPAK..."

Rreziku i squlljes së drejtësisë së re, përpara politikës

17.06.2020 - 17:23

Jim Garrison ishte një prokuror në Neë Orieans kur hapi hetimin për vrasjen e presidentit të SHBA-së John Kenedy, në vitin 1966.

Në mënyrë të pavarur, Garrison, i cili u bë personazh nga Oliver Stone në filmin e famshëm JFK, arriti të ndërtonte një skemë të mundshme të hetimit për atentatin ndaj presidentit amerikan. Prokurori pati mjaft reperkursione në publik, kryesisht politike, pasi u akuzua si protagonist, si një njeri që në vend të drejtësisë u mor me politikë etj etj, por ai eci përpara pasi donte të bëntë të detyrën; të hetonte për të ardhur tek e vërteta.

Prokuroria antimafia e Palermos, anëtar i së cilës ka qenë edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, në mënyrë të pavarur mori nismën të hetojë për negociatat ndërmjet shtetit italian dhe kupolës së Cosa Nostra-s në vitet ‘90 të shekullit të shkuar. Edhe prokurorët e Palermos u sulmuan e sulmohen vazhdimisht për “protagonizëm të tepërt”, për  “sulm ndaj politikës” etj. Megjithatë kjo nuk u pa si problem nga njerëzit që i bënë këto veprime, madje ka shumë raste që mjaft prokurorë, kanë lënë togën dhe i janë futur politikës, duke sjellë në publik idetë që kanë mbrojtur edhe në gjyqësor.

Antonio di Pietro është njëri prej tyre, ku kreu i Zyrës për “Duart e Pastra”, pra antikorrupsion në Prokurorinë e Milanos, u bë ministër, senator, deputet dhe formoi edhe një parti të tijën, që ishte e qendrës drejt së majtës. Kryetari i Bashkisë së Napolit është Luigi de Magistris, një ish-prokuror i Catanzaro-s, i cili ka hetuar gjatë mbi mafian e tmerrshme kalabreze ‘Ndragheta dhe lidhjet e saj me politikën.

Në Shqipëri, që prej nisjes së reformës së drejtësisë, nga e ashtuquajtura drejtësi e re është kuptuar gabim pozicioni i tyre në shtet. Ata superpaguhen, kanë mbështetje shumë të madhe publike e ndërkombëtare që të ndërmarrin akte kurajoze, që të rrëzojnë pandëshkueshmërinë e zyrtarëve dhe politikës, por edhe lidhjes së politikës me biznesin.

Akti i KLGJ-së me Dvoranin ishte një akt i pastër politik, ҫka i ka bërë një dëm të madh vetë KLGJ-së, por edhe drejtësisë së re.

Nëse do të ishte e vërtetë që Dvorani nuk mund të rrinte më në detyrë, kjo nuk i takonte KLGJ-së, por Gjykatës Kushtetuese. Është Kushtetuesja që merret me konfliktin institucional dhe intepretimin e Kushtetutës; KLGJ është organ i pastër ekzekutiv që emëron, shkarkon dhe mbikqyr gjyqtarët në të gjitha shkallët e tij, si dhe qeveris në mënyrë të përditshme punën e gjyqësorit.

Sa vendime të gjyqësorit kanë ndodhur që janë mbyllur dosje të bujshme e të kontestuara si ajo për Bashën, apo për CEZ-DIA etj, dhe KLGJ nuk ka shqyrtuar as edhe një ҫështje në mënyrë të shpejtë dhe adekuate.

Edhe pse mjaft prej anëtarëve të KLGJ-së vijnë nga shoqëria civile, institucioni ku ata bëjnë pjesë nuk është një OJF, por institucion shumë i lartë, gati sa Presidenca, Kuvendi e Qeveria. Pikërisht duke qenë një organ ekzekutiv, dhe vendimet e tyre nuk ankimohen në shumë raste. Si në rastin e Dvoranit, po nëse KLGJ ja ka future kot, si do të bëhet?

Ndërkaq, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, po ashtu si KLGJ, nuk ka nxitur ende një nisje të fortë të hetimeve të rënda siҫ presin shqiptarët.

SPAK tashmë është krijuar dhe në adresën e saj mbërrijnë mijëra, madje dhjetëra mijëra ankesa, pasi të gjithë shpresën e kanë te SPAK. Këtë ngërҫ duhet ta marrë menjëherë në dorë KLP-ja, por që duhet se “ka larë duart” pasi arriti të heqë dy patatet e nxehta siҫ janë zgjedhja e kryeprokurorit të Republikës dhe kryeprokurorit të SPAK.

Në fakt roli i KLP-së, një institucion që nuk është në të gjitha vendet, është që të qeverisë organin e ndjekjes penale, dit pas dite, është një organ ekzekutiv i institucionit të akuzës. Nëse kanë sulme nga politika, apo edhe nga pjesë të tjera të lobingjeve në vend, kjo është në fakt risku i punës së tyre. Ata janë zgjedhur për të ndjekur penalisht dhe për të ҫuar në gjykatë zyrtarët, për të cilët ka prova e dëshmi se kanë abuzuar.

Por që të bëhet kjo duhet të nisë puna dhe hetimet të jenë transparente, ashtu siҫ u bënë live hetime që politikës i nevojitej-rasti “Tahiri” është më i freskët. Publiku në vend ka shpresuar shumë, vërtetë shumë tek një aksion antikorrupsion në Shqipëri.

Ai nga drejtësia e re pret t’i japë të drejtë njerëzve, jo politikanëve që e kanë drejtësinë kundërshtaren e tyre numër një….