Mjeku Ilir Allkja analizon rritjen e numrit të personave të prekur me Covid-19 në vendin tonë. Ai e lidh rritjen e numrit të personave të infektuar me rritjen e numrit të testimeve, duke theksuar se nuk ka vend për panik.
“Unë nuk besoj se ka pasur rritje, thjeshtë janë rritur testimet. Njerëzit të qetësohen dhe mos ti kapë paniku. Marrim në analizë datën 15 mars të këtij viti. Atë ditë janë bërë 27 testime dhe janë zbuluar 4 raste. Ose në 1 prill janë bërë 152 testime dhe janë zbuluar 26 raste. Marrim 14 qershorin janë bërë 362 testime dhe janë zbuluar 57 raste. Pra sa më shumë testime, aq më shumë raste dalin.
Më parë kemi bërë më pak testime dhe ishin më pak të infektuar. Janë rritur testimet e për pasojë janë rritur gjetjet. Unë kam marrë raste dhe nga vende të ndryshme, që kanë më pak testime sa ne dhe kanë më pak raste. Unë gjykoj se nuk ka vend për panik.
Përderisa rriten testimet rriten gjetjet. Ajo që kanë kërkuar plot epidemiologë ishte që të rriten testimet që të evidentohen dhe izolohen të infektuarit. Në Shqipëri për ironi të fatit bëheshin shumë pak testime në ditë, megjithëse OBSH bënte thirrje për testime”, shprehet mjeku.
Sa i përket përdorimit të maskave, Allkja theksoi se duhet të përdoret në ambiente të mbyllura dhe shumë të populluara, duke shtuar se është i ekzagjeruar përdorimi i saj në natyrë.
“Maskat duhen përdorur me vend. Maska është mjet mbrojtës. E quaj të ekzagjeruar përdorimin e maskës në ambiente të hapura. Maska ka funksion kur jemi në ambiente publike të populluara, të tipit, qendra tregtare, pra në ambiente të mbyllura”, tha Allkja.
Ndërkohë që i pyetur për një valë të dytë të virusit, Allkaj tha se nuk mendon se do të ketë, pasi në vendin tonë sipas tij numri më i madh ka qenë në muajt janar dhe shkurt.
“Nuk mendoj se do të ketë një valë të dytë. Mendoj se numrin me të madh të infektuarve ne e kemi kaluar me kohë. Ka qenë në muajt janar dhe shkurt”, tha Allkja.