Situata me pandeminë e COVID-19 në 10 ditët e fundit ka parë një shtim masiv të rasteve të zbuluara si të prekur nga koronavirusi i ri.
Ministria e Shëndetësisë raportoi dje për 82 bartës tërinj me COVID-19. Përveç fasonerive dhe disa bizneseve, që deri në fundin e muajit maj kishin qenë vatra të shpërndarjes së virusit, COVID-19 është shpërndarë masivisht edhe në shumë institucione shtetërore. Përveç spitaleve që kanë qenë në këto 2 javët e fundit vatrat më të rrezikshme të përhapjes, virusi ka infektuar edhe në Kryeministri, te Garda e Republikës, kopshte, por edhe në Forcat e Armatosura të Ushtrisë. Vlen të theksohet se rastet në institucionet specifike janë raportuar nga mediat, pasi Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë detaje, por ka bërë të ditur vetëm shifrën totale.
NË USHTRI
Ushtarakët, që gjatë muajve të karantinës dolën rrugëve të qyteteve shqiptare bashkë me Policinë për të mos lejuar thyerjen e rregullave të vendosura, duket se nuk i shpëtuan dot prekjes nga COVID-19. Kanë qenë 9 pjesëtarë të Forcave të Armatosura, që janë prekur gjatë këtyre 3 muajve nga virusi dhe konfirmimin e dha shefi i Shtabit, Bardhyl Kollçaku, gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.
“Në total janë bërë rreth 200 testime në gjithë personelin e FA dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Deri më datë 15 qershor kanë qenë të infektuar 9 vetë, nga këta 5 kanë qenë në misione paqeruajtëse, 4 KFOR dhe 1 në Afganistan, dhe 4 të tjerë në Shqipëri. 4 prej tyre u shtruan në spital, ndërsa të tjerët kanë qenë të vetëkarantinuar”, tha Kollçaku.
NË MINISTRI
Koronavirusi nuk ka kursyer as ministritë. Sipas asaj që bëri të ditur dje “Neës 24”, ishte konstatuar një i prekur nga virusi në Ministrinë e Financave. Ky rast vjen pas atyre në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë muajve të parë të pandemisë.
NË KRYEMINISTRI
Përtej të gjitha masave të rrepta të marra nga Kryeministri Rama dhe thirrjeve të tij të shpeshta për respektimin e masave, edhe punonjësit në Kryeministri nuk i kanë shpëtuar dot prekjes nga virusi. Mësohet se janë dy efektivë të Gardës, të cilët janë me shërbim në godinën e Kryeministrisë, që janë prekur nga virusi. Madje, një prej tyre është në portën hyrëse për në godinë.
NË GARDË
Garda e Republikësështë kthyer në një vatër të gjerë të përhapjes së virusit në ditët e fundit. Nga raportimet e mediave, janë disa punonjës të Gardës që janë prekur nga virusi dhe që shërbenin në institucione të ndryshme shtetërore. Burime të gazetës “Panorama” thanë se janë disa dhjetëra punonjës të Gardës, që janë futur në regjimin e karantinës pas rasteve të shumta të ditëve të fundit.
NË BASHKI
As Bashkia e Tiranës nuk i shpëtoi prekjes nga virusi. Të hënën u raportua për një nga shoqëruesit e kryebashkiakut Erion Veliaj, që ishte diagnostikuar si pozitiv me COVID19. Gjithashtu, edhe në Bashkinë e Durrësit janë raportuar disa të prekur nga virusi.
NË POLICI
Punonjësit e Policisë së Shtetit, që bashkë me infermierët dhe mjekët kanë qenë në vijën e parë të betejës në përballimin e pandemisë, nuk do mund të shpëtonin pa u prekur, për më tepër që në disa raste në muajin e fundit janë detyruar të menaxhojnë situata me shumë njerëz, si rasti i protestave pas shembjes së Teatrit, por edhe ato të maturantëve. Deri më tani është raportuar për 3 policë të prekur nga virusi.
NË ÇERDHE
Institucionet arsimore u mbyllën menjëherë në mars dhe kjo masë shmangu përhapjen te fëmijët, por edhe mësuesit. Mirëpo, pas rihapjessë kopshteve dhe çerdheve më 1 qershor, as këto institucione shtetërore nuk i shpëtuan prekjes nga virusi. Rasti më i fundit ishte në Tiranë, ku nëÇerdhen Nr.16 u evidentuan raste me të prekur dhe si pasojë, ajo u mbyll.
TE HIPOTEKA
Një tjetër institucion, ku virusi ka gjetur përhapje është edhe Hipoteka. Bëhet fjalë për Hipotekën e Durrësit, në të cilën mësohet se ka dalë pozitiv një punonjës i këtij institucioni.
NË QENDRA SPITALORE
Nëse në të gjitha institucionet e mësipërme rastet e të prekurve kanë qenë deri-diku sporadike dhe nën kontroll, ka një institucion ku mund të thuhet me plot gojën se është vatra më e rrezikshme e përhapjes së virusit dhe bëhet fjalë pikërisht për qendrat shëndetësore. Mbi të gjitha, QSUT-ja ka qenë vendi ku janë prekur më shumë persona nga virusi COVID-19. Nëse gjatë muajve mars dhe prill kishte mjekë apo infermierë, të cilët shërbenin në repartin infektiv dhe prekeshin nga virusi, gjatë majit dhe qershorit dhe sidomos në dy javët e fundit, janë shumë raste të pacientëve që e kanë marrë virusin në QSUT. Bëhet fjalë për pacientë që shkuan në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” për të marrë shërbime në reparte të tjera përveç Infektivit dhe aty, përveç kurimit të sëmundjes që kanë pasur, kanë marrë me vete në shtëpi edhe virusin. Nga Belshi, në Kolonjë dhe pacientë nga qytete të tjera kanë dalë pozitivë me COVID-19 në këto dy javët e fundit, pikërisht pasi kishin qenë për vizita në QSUT.