Prej të paktën 3 dekadave ndryshimet klimatike janë prezente në Shqipëri dhe janë pikërisht vitet e fundit ato të cilët kanë qartësuar ndryshimet, në tiparet e klimës. Sa ka ndryshuar klima shqiptare? Dhe ku i shohim këto ndryshime të saj? Ndjekim faktet!
1. Ndryshimet klimatike në Shqipëri janë vrojtuar nga fundi i viteve 90, por është dimri i vitit 1997 pas të cilit, ndryshimet e klimës sa vijnë dhe bëhen më të shpeshta dhe më të qarta. Ndryshimet klimatike vrojtohen në vlerat mesatare dhe absolute të temperaturave të ajrit dhe reshjeve atmosferike që janë dhe dy elementët kryesorë të klimës. Ndryshime janë vrojtuar edhe në elementët dytësorë si numri i ditëve të nxehta apo netëve tropikale, në shtimin e valëve të nxehtësisë dhe ngricave, në kohëzgjatjen e periudhave të thata dhe shfaqjen e fenomeneve të ndryshme atmosferike jashtë muaj
2. Shqipëria hyri në mileniumin e ri me ndryshime të lehta të tipareve klimatike; kryesisht në vlerat mesatare të temperaturave dhe reshjeve, por që në hapin e parë, viti 2001, prezenca e fenomenit “El Ninjo” bëri që vera të ishte shumë e nxehtë duke shënuar temperatura maksimale ditore mbi 40 gradë, në disa qendra urbane shqiptare. Në tërësi, dekada e parë e këtij shekulli na përballi me disa ngjarje të motit ekstrem të natyrave të ndryshme si vale nxehtësie, përmbytje gjatë muajve të vjeshtës dhe pranverës, periudha me ngrica dhe temperature ekstremisht të ulëta apo zjarre në pyje për shkak të thatësirave gjatë verë-vjeshtës.
3. Ndryshimet klimatike u bënë më të theksuara gjatë dekadës së dytë 2010 -2020, dekadë e cila filloi me përmbytjet e Shqipërisë Veriore, ku banorët e u izoluan për gati 1 muaj nga ujërat që zaptuan qarqet Shkodër, Lezhë, Kurbin dhe pjesërisht Krujën. Zona të ndryshme urbane u përballën me përmbytje të izoluara nga viti në vit deri në shkurtin e vitit 2015 kur një tjetër përmbytje e përmasave masive rrezikoi jetën dhe pasurinë e banorëve nga Fieri deri poshtë në Gjirokastër. Një stuhi e natyrës tropikale përfshiu Shqipërinë nga Veriu në Jug duke regjistruar reshje mbi 200 milimetra në 24 orë, reshje këto më të larta se sasitë e reshjeve mujore për shumicën e zonave perëndimore dhe jugore. Intensiteti i lartë i reshjeve në 2-3 ditë dhe prurjet e lumit Vjosa nga përtej kufirit e detyruan atë të dalë nga shtrati dhe të vërshojë në të gjithë zonën jugore duke përmbytur shtëpi dhe rrëmbyer çfarë të gjente përpara. Është pikërisht kjo dekadë që përmban dhe 5-vjeçarin më të nxehtë në historinë e matjeve klimatike; vitet 2015 – 2019 janë vitet më të nxehta në historinë e matjeve, jo vetëm në Shqipëri dhe rajon, por edhe në të gjithë globin. Gjatë këtij 5-vjeçari, muajt e verës shënuan temperatura shumë të larta dhe spikat viti 2016, si viti me temperaturat më të larta, ku piku i nxehtësisë në qytete si Shkodra, Elbasani, Berati dhe Gjirokastra kapërcyen temperaturën prej 43 gradëve. Dhe nuk janë vetëm temperaturat e larta që e veçojnë këtë 5-vjeçar nga periudhat e tjera, por është edhe numri i ditëve në të cilat temperaturat në mënyrë vazhdueshme shënuan vlera mbi 37 gradë Celsius.
4. Në 20 vitet e fundit, stinët po humbasin tiparet klimatike. Dimrat janë bërë më të butë dhe më të shkurtër ndërsa vera sa vjen dhe bëhet më e nxehtë dhe më e gjatë në kurriz të pranverë-vjeshtës. Vërtet dimrat janë zbutur, por natyra nuk ka harruar të sjellë periudha deri 15 ditore, me temperature shumë të ulëta ku termometri zbret deri 10 gradë nën zero edhe në zonat bregdetare, por edhe ngrica të rralla, të cilat përfshinë 100% të sipërfaqes së Shqipërisë. Nga ana tjetër, stina e verës në këto dy dekada ka thyer rekorde nga pikëpamja termike duke regjistruar temperatura të larta deri 39 gradë edhe në zonat malore si Peshkopia, Kukësi dhe Hasi, por edhe dinamika e atmosferës gjatë muajve të nxehtë rezulton shumë e pasur; dhjetëra stuhi janë vrojtuar në dekadën e fundit, kryesisht stuhi bregdetare ku era ka arritur shpejtësi 100 kilometra në orë dhe reshjet kanë regjistruar 50 milimetra në vetëm 30 minuta.
5. Në analizat klimatike të këtij shekulli, në Shqipëri dhe në rang global, paradoksi më i madh qëndron në reshjet atmosferike; është pakësuar ndjeshëm sasia e reshjeve vjetore, por janë 2-fishuar rastet me reshje intensive dhe ekstreme. Janë pikërisht këto ngjarje atmosferike të cilat shkaktojnë përmbytjet e përkohshme të zonave urbane, por edhe përmbytjet masive që përfshijnë njëkohësisht 2-3 qarqe territoriale.
6. Një tjetër ndryshim klimatik, është rritja e nivelit të detit si pasojë e shkrirjes së akullnajave globale. Kjo rritje e nivelit të ujit është më e dukshme në brigjet e Adriatikut, të cilat jo vetëm janë gërryer, por uji ka përparuar me të paktën 50 metra në drejtim të tokës. Zaptimi i brigjeve nga ujit ka pakësuar brezat e gjelbër në zonat perëndimore ndërsa në të gjithë shtrirjen Veri-Lindje-Jug, brezat pyjore janë dëmtuar nga prerja dhe djegia. Degradimi i hapësirave pyjore nga prerja pa kriter, nga djegiet për shkaqe natyrore apo ato nga dora e njeriut, vlerësohet si dëmi më i madh që shqiptarët i kanë bërë mjedisit.
7. Rritja e numrit me ditë shumë të nxehta dhe shtimi i thatësirave gjatë verës kanë bërë që numri i zjarreve në pyje, kullota apo parqe të gjelbra të ngjitet mbi 100 zjarre në vit. Ka edhe vite ku zjarret e regjistruara numërojnë mbi 300 duke bërë që në disa zona, më e dukshme në zonat Lindore të Shqipërisë, mund të udhëtosh për dhjetëra kilometra në mungesën e pemëve apo kafshëve, të shfarosura bashkë me pyjet.
Përtej fakteve, ndikimi më i madh i ndryshimeve klimatike bëhet i dukshëm në shtimin e fatkeqësive natyrore; fatkeqësi të cilat shpesh-herë kanë çuar në Emergjencë Kombëtare. Por cilat janë fatkeqësitë natyrore më të shpeshta dhe me koston më të lartë për shqiptarët? Do të rikthehemi me “Ekstreme të Klimës”, të shtunën tjetër.