MENU
klinika

... për shqiptarët e Amerikës

Senatori amerikan kërkon të drejtën e votës në Shqipëri

23.06.2020 - 10:11

Nga Ruben Avxhiu

Senatori kryesor nga New York-u në Senatin Amerikan ka dhënë mbështetjen e tij të fuqishme përpjekjes për të shtuar të drejtën e votës për diasporën në reformën zgjedhore në Shqipëri.

Në një letër dërguar Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo, Schumer lavdëron marrëveshjen mes partive kryesore politike në Shqipëri për të rritur besimin, transparencën dhe përgjegjësinë në procesin zgjedhor në Shqipëri.

Kjo marrëveshje sipas tij do të ndihmojë përparimin e demokracisë në vend dhe ecjen drejt anëtarësisë në Bashkimin Europian. Mirëpo, ai shton se Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e mbi 150 vendeve në botë dhe shumicës së Europës që e kanë bërë diasporën pjesë të procesit politik.

“Ju jap zemër që të mbështesni publikisht reforma të mëtejshme që do të sigurojnë të drejtën e votës për gati një milionë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, përfshi edhe këtu në Shtetet e Bashkuara”, shkruhet në letrën të cilën Senatori ia përcolli edhe gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, në New York.

“Diaspora shqiptare është një burim shumë i fuqishëm për Shqipërinë dhe ushqimi i kësaj marrëdhënieje do të sjellë përfitime dypalëshe si për Shqipërinë ashtu edhe për qytetarët e saj jashtë vendit”.

Letra e cila i është dërguar edhe ndihmës Sekretarit të Shtetit në Detyrë, Philip Reeker (Çështjet Europiane dhe Euroaziatike), si dhe ambasadores në Tiranë, Yuri Kim, lavdëron në veçanti rolin e komunitetit shqiptar në New York dhe SHBA.

“Shqiptaro-amerikanët kanë pasuruar jashtëzakonisht mozaikun kulturor të shoqërisë amerikane, mbase në mënyrën më të dukshme në qytetin tim të lindjes, New York City, ku kanë krijuar komunitete vibrante në Bronx, Staten Island, dhe anembanë të pesë komunave e përtej.

Ndonëse kanë ikur nga vendi, me të drejtë mbeten krenarë për trashëgiminë e tyre të pasur dhe duhet të kenë të mundësinë që të shprehin opinionin e tyre në çështjet e atdheut nëpërmjet procesit zgjedhor”, shkruan ai.

Schumer ka marrë pjesë në shumë veprimtari të shqiptaro-amerikanëve në vite. Ka qenë folësi kryesor në Darkën e 15-vjetorit të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane si dhe në takimin e madh fondembledhës në Yonkers, ku shqiptaro-amerikanët grumbulluan 1 milionë dollarë për Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë. Ai është nderuar edhe me Çmimin e Arritjeve të jetës nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

“Në emër të votuesve të mi shqiptaro-amerikanë, ju jap zemër që të mbështesni këto reformat ë rëndësishme dhe shumë të nevojshme për demokracinë shqiptare”, mbyll letrën e tij Charles E. Schumer, Senator i Shteteve të Bashkuara.