MENU
klinika

Ardian Vehbiu

Sgarbi në Bylis: Një stuhi kake në rrjetet tona kombëtare

11.06.2020 - 10:55

Nga Ardian Vehbiu

Një stuhi kake – shitstorm – është ngritur në rrjetet tona kombëtare, pasi Vittorio Sgarbi, kritik dhe historian arti nga Italia, e quajti Bylisin “qytet grek”, te një shënim në Facebook. Më pas Sgarbi e konfirmoi, po në Facebook, këtë bindje të vetën, duke shpjeguar se Bylisi ishte “një qytet i lashtë grek i vendosur në Iliri.”

Të gjithë ata që u indinjuan me këtë “tradhti” të mikut Sgarbi, treguan të paktën moskuptim esencial të mbiemrit grek në kontekst. Ta quash Bylisin grek nuk është njëlloj si të thuash, bie fjala, se futbollisti Kostas Manolas është “grek.” Kush përpiqet të dijë diçka, në këto gjëra, arrin të dallojë çfarë ka të përbashkët “grekësia” e Bylisit me atë të Manolasit – dhe ku dallojnë nga njëra-tjetra.

Natyrisht, Bylisi ngrihej në trojet e banuara nga byllionët, fis i identifikuar si ilir nga Pseudo-Skylax-i, që në lashtësi. Nga ana tjetër, po ky qytet e mbante veten si të themeluar nga Piro Neoptolemi, i biri i Akilit, pas kthimit nga Troja. Se ç’kanë qenë themeluesit e qytetit, nuk dihet. Me gjasë, banorë ilirë vendës, të cilëve mund t’u jenë shtuar kolonë grekë nga Korinti. Mes zyrtarëve të lartë të qytetit, të cilëve u njihen emrat, mund të identifikosh edhe ilirë, edhe grekë.

Pyetjes se çfarë ka qenë Bylisi nuk mund t’i japësh përgjigje univoke. Si qytet në një trevë ilire, i rrethuar nga fshatra të banuara prej vendësve, ai ka pasur një popullsi të përzier – edhe pse banorët me origjinë greke do të kenë qenë të privilegjuarit, si gjetiu në Mesdheun e asaj kohe. Nga ana tjetër, plani i qytetit dhe ato pak ndërtesa dhe struktura që kanë i mbijetuar shekujve, identifikohen qartësisht si “greke” – ose më saktë, si të qytetërimit grek: nga stadiumi, tek teatri, agora, stoat, gjimnazi dhe kështu me radhë.

Ekziston një model abstrakt “grek” i qytetit antik, i cili mishërohet në arkeologjinë e Bylisit. Këtë model edhe identifikoi menjëherë Vittorio Sgarbi. Më pas, në Bylis u vendosën kolonë romakë – edhe kjo është e vërtetuar. Nuk dimë se ç’gjuhë flitej në rrugët e Bylisit; përveçse mund të spekulojmë se mbizotëronte gjuha vendëse – një dialekt i ilirishtes jugore. Por mbishkrimet janë greqisht, dhe më pas latinisht; dhe qytetin nuk e ndan dot nga shkrimi; madje një nga arsyet që togfjalëshi “qytet ilir” është problematik, ka lidhje me atë që ilirët nuk e shkruanin gjuhën e tyre – ose të paktën nuk e shkruanin mbi mediume të forta, si guri.

Një pyetje që ia vlen të bëhet, ka lidhje me teatrin: a mjafton prania e kësaj strukture, me tiparet arkitektonike aq karakteristike, për ta bërë një qytet “grek”? Si formë kulturore, por edhe si teknologji e riprodhimit të qytetit, teatri i ka rrënjët në lashtësinë greke, dhe që andej u përhap anembanë Mesdheut. Teatri në Bylis kish një kapacitet prej 7500 vendesh, çfarë lë të kuptohet se mbushej edhe me publik nga fshatrat përreth, në raste festash civike. Arkeologu dhe historiani Neritan Ceka, që e ka studiuar Bylisin veçan, pyet[1]: Me një pjesëmarrje të tillë, ku zotëronin njerëzit e zakonshëm… [a] mund të kuptoheshin nga shumica tragjeditë e Eskilit apo komeditë e Aristofanit? A është vallë e tepruar të mendohet se pjesët teatrale duhet të ishin shkruar në gjuhën ilire, që të kuptoheshin për masën e gjerë? Por mundet edhe që popullsia e zonës të ketë qenë dygjuhëshe; sikurse mundet që aktorët që luanin në Bylis të vinin nga vende të tjera, p.sh. nga Apollonia fqinje dhe, më në fund, që teatri të përdorej edhe për spektakle më të thjeshta, me ngjyrë lokale; ose të natyrës fetare, të cilat edhe ato rezulton t’u kushtoheshin zotave të importuar nga Jugu (ose “të standardizuar”, mbi bazën e panteonit grek).

Gjithsesi, nuk është folur gjëkundi për “teatër ilir”, si formë kulturore qytetare; dhe teatri – në Mesdheun e lashtë – ishte po aq “grek” sa edhe Perikliu, Aristoteli dhe Eskili vetë. Edhe vetë rëndësia që kish teatri në jetën civike, siç konfirmohet nga vendi qendror i strukturës në gjeometritë urbane të qyteteve anembanë Mesdheut i referohet automatikisht ndikimit kulturor grek në lashtësi, ose një mënyre të së jetuarit në qytet e cila e kish të nevojshme të riprodhohej në skenë, para një publiku. Ne shqiptarët pasardhës të ilirëve, edhe pas dymijë e kusur vjetësh, ende nuk duket ta kemi kuptuar këtë në thelb, sa kohë që lejuam autoritetet administrative, një ushtri aparatçikësh, që të shkonin dhe ta shembnin me bujë Teatrin kryesor të Tiranës thjesht me argumentin se “i ishin vjetruar muret”. Jam pothuaj i sigurt se në Bylisin antik nuk do ta kishin kaluar kaq lehtë, po t’ua kërcënonin teatrin…

Teatri, agora, stadiumi, gjimnazi, stoat – këto nuk janë vetëm mbetje arkeologjike, por edhe modele sipas të cilave organizohej jeta sociale në Bylis, qytet mes qyteteve në Iliri. Edhe sikur banorët e Bylisit të ishin të gjithë ilirë, si qytetarë ata merrnin pjesë në “grecitetin” e qytetit dhe të jetës publike. Ndryshe nga mbishkrimet, të cilat janë përdorur dhe përdoren rëndom për të identifikuar “etnikisht” mbetjet e lashtësisë, teatri si monument dhe arkitekturë i referohet, kulturorisht, një modeli të kundërt: oralitetit, gjuhës së folur dhe të dëgjuar dhe kujtesës të riprodhuar në gjuhë.

Për ta ilustruar më tej se çfarë roli qendror luante teatri klasik në jetën e një qyteti antik, po sjell një anekdotë që e tregon Thuqididi (Lufta e Peloponezit, I.7.87) dhe që e rimerr edhe Plutarku: gjatë Luftës së Peloponezit, sirakuzanët e Sicilisë kish kapur shtatë mijë athinjotë robër, të cilët i kishin mbyllur në një gurore, në pritje që t’i shisnin si skllevër; për shkak të kushteve të tmerrshme, shumë prej këtyre vdiqën, e megjithatë disa arritën të shpëtojnë, thjesht ngaqë dinin përmendësh pjesë nga dramat e Euripidit. Sicilianët e Sirakuzës e kishin pikë të dobët Euripidin; aq sa e mësonin përmendësh gjithçka që e sillnin me vete vizitorët nga përtej detit; dhe pastaj ia përsëritnin njëri-tjetrit të mrekulluar. Kjo anekdotë, me realitetin të cilit i referohet me rrugë implicite, e bën shumë të pagjasë hipotezën e Cekës për “pjesë teatrale të shkruara në ilirishte”; më e besueshme më duket që aktorët të vinin në Bylis nga Apollonia fqinje, me gjithë kujtesën e tyre skenike.

Sërish Ceka, për Bylisin e periudhës romake (të karakterizuar nga një “prani e gjerë e kolonistëve romakë”): Agoraja mbeti qendra kryesore e qytetit dhe teatri e ruajti formën e tij të hershme deri në fund të shekullit të I-rë mbas Krishtit… Njëlloj si në Apolloni, banorët latinë nuk e ndryshuan funksionin e teatrit për ndeshje gladiatorësh dhe duket se tradita e kulturës helenistike zotëroi mbi atë romake. Po kështu u ruajtën dhe u përdorën në formën e tyre origjinale edhe monumentet e tjera të agorasë, si stoa, stadiumi, gjimnazi, stera publike, etj.[2] Qyteti grek, në lashtësi, ishte edhe qytet i modeluar sipas një kulture urbane të caktuar, e cila vinte nga Greqia. Jo “vinte nga Greqia”, siç vjen sot Kostas Manolas-i, por në kuptimin e një ndikimi kulturor me frymëmarrje të gjerë, që kapërcen detet dhe kontinentet.

Prandaj edhe pyetjes, nëse ka qenë apo jo “grek” Bylisi, nuk i përgjigjemi dot duke ulëritur në rrjetet sociale dhe as duke zbuluar tradhtira. Unë madje do ta quaja pyetjen pa kuptim, në momentin kur ngrihet në publik; Bylisi ka qenë edhe grek, edhe ilir – si edhe shumë qytete të tjera të Shqipërisë antike, që u përfshinë dora-dorës në atë lëvizje historike dhe kulturore që nisi me periudhën helenistike, vazhdoi me Romën dhe u kurorëzua me krishterimin. Etniciteti, në këtë mes, nuk do të ketë qenë shumë më tepër se një tipar aksidental. [1] Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni 2005, f. 254-255.

[2] Neritan Ceka, po aty, f. 200. Disi ndryshe Ceka në reagimin e tij flakë për flakë, ndaj përcaktimeve të Sgarbit: “Kush do ia ketë thënë Sgarbit që Bylis është grek? Nuk mjaftoi që bënë grek Butrintin, tani edhe Bylisi na doli qytet grek. Bilmezat e Ministrisë së Kulturës nuk i thanë se ishte në mes të mallakastriotëve dhe po i falej lebërve. Këta pasardhës të grekëve janë? I nderuar Zgarbi, falju edhe një here zotit të Bylisit të na shpëtojë nga injoranca e Ministrisë së Kulturës. Amen!,

Marrë nga Peisazhe të Fjalës