Unioni i Shoqatave të Transportit Publik ka marrë sot vendimin për të mos rifilluar punën më 15 qershor, ditën e hënë, sikurse vendosi qeveria, pa u plotësuar kushtet e tyre.
Në një deklarate për mediat, ata theksuan se nuk kanë mundësi financiare për të rifilluar aktivitetin, si atë qytetas dhe atë ndërqytetës, duke shtuar se është e pamundur edhe respektimi i protokollit të sigurisë.
“Sa kohë kemi këto kushte aktuale, të gjithë kompanitë në transportin publik, janë të paafta për të filluar këtë shërbim. Të gjithë operatorët e transportit publik mezi presin rifillimin e shërbimit. Nevoja për të operuar të gjitha subjekte e kanë shumë të madhe. Është e pamundur të respektohet ai protokoll që ne kemi marrë, nga mediat, në një mjet të transporti qytetas apo ndërqytetës.
Protokoll zyrtar nuk kemi marrë akoma. Një problem tjetër është edhe me faturinot sepse me atë protokoll, 75% e ngarkesës, do të jetë shumë e vështirë të operohet me faturino. Ditën e hënë nuk ka nisje të transportit publik, është vendimi i shoqatës për transportin qytetas e ndërqytetës në këto kushte është e pamundur. Nuk kemi mundësi financiare”, thanë ata.