Pekini rivendosi masa strikte kufizuese dhe po zhvillon testim masiv të popullatës pas një shpërthimi të ri të rasteve me Covid-19. Epiqendër përhapjeje është bërë tregu më i madh i shumicës në kryeqytetin kinez, gjë e cila ka ngjallur frikë për një rikthim të virusit pandemik.
Gjatë të hënës u raportuan 36 raste të reja me koronavirus në Pekin, por autoritetet shëndetësore po gjurmojnë 200 mijë persona të dyshuar. Ndërsa, për herë të parë pas më shumë se 2 muajsh, ky qytet i Kinës raportoi raste të transmetimit lokal të virusit vdekjeprurës më 12 qershor.
Zyrtarët lokalë pohojnë se kanë ndërmarrë masat e duhura për të frenuar përhapjen e Covid-19. “Kemi mbyllur përkohësisht tregun dhe po testojmë çdo person të lidhur me të. Gjithashtu kemi dezinfektuar tregun si dhe mjedisin përreth tij”, tha Li Junjie, zyrtar i distriktit Haidian.
Të gjitha rastet e reja me Covid-19 lidhen me tregun Xinfadi, i cili furnizon pjesën më të madhe të Pekinit me fruta dhe perime të freskëta si dhe me mish e produkte deti. Kjo vatër e re përhapjeje ka nxitur shqetësim në të gjithë Kinën me autoritetet që e konsiderojnë këtë “një periudhë të jashtëzakonshme”.
Të njëjtin shqetësim me Kinën, ndajnë edhe shumë vende të tjera të botës. Një shtim i rasteve të reja është raportuar në disa shtete amerikane, me Nju Jorkun që paralajmëron të kthejë pas izolimin nëse vazhdojnë shkeljet e masave kundër Covid-19. Ndërkohë, shqetësuese paraqitet situata dhe në Amerikën Latine. Në 24 orët e fundit u raportuan mbi 1600 viktima, ndërsa Brazili mbetet vendi më i goditur rëndë nga pandemia.