MENU
klinika

Analiza

Si po e ndryshon botën vdekja e George Floyd?

13.06.2020 - 21:05

“I can’t breathe”. Agonia e afro-amerikanit George Floyd, zgjati 8 minuta e 46 sekonda. Por plaga e thellë e racizmit, as nuk u krijua e as nuk vdiq me të. Hija që përndjek prej shekujsh, jo vetëm Shtetet e Bashkuara, u rikthye të ndezë gjakrat në mesin e krizës më të rëndë shëndetësore dhe ekonomike që ka kapluar globin në dekada.

Zemërimi ishte shpërthyes dhe dramatik, ashtu si videoja që shfaqte 46-vjeçarin teksa përpëlitej për të marrë frymë, me gjurin e një polici të vendosur në qafën e tij. Nga Minnessota në New York, nga Amsterdami në Londër, mijëra protestues dolën në rrugë, herë paqësisht e herë të dhunshëm, për t’u solidarizuar me lëvizjen “Jetët me ngjyrë kanë vlerë”, e cila ashtu siç ndodhi me protestat e Murit të Berlinit në 1989, apo fjalimin ‘I have a dream” të Martin Luther King në vitin 1963, po e ndryshon botën në mënyrë të pakthyeshme. Zemërimi duket të jetë zbutur, por thirrjet për faqen e historisë po rishkruhet edhe një here
Lufta kundër pabarazisë dhe diskriminimit racor është tani në qendër të vëmendjes e në emër të saj, politikat socio-kulturore po marrin një kthesë 360 gradë. Demokratët në Kongres propozuan një ligj që do ta bënte më të lehtë ndjekjen penale dhe ndëshkimin e policëve abuzues, ndërsa Këshilli Bashkiak i Minnessota u dakordësua të shkrijë departamentin policor, duke e zëvendësuar me një model të ri të garantimit të sigurisë publike.

Brande të mëdha po rimodelojnë fushatat promovuese, në favor të diversitetit, e drejtues ekzekutivë po japin dorëhecijen për t’iu liruar vendin kolegëve me ngjyrë. Edhe historia po kalon nën një filtër të ri, me sytë që janë kthyer nga monumentet anekënd globit të cilat nderojnë personalitete të njohura si raciste.

Statuja të udhëheqësve të Konfederatës, të konsideruar si prijës të supermacisë së bardhë dhe kolonizimit po bëhen shënjestër e zemërimit qytetar, si kurrë më parë në histori. Nga Jacksonvill në Shtetet e Bashkuara, në Bristol të Britanisë së Madhe dhe Antwerp të Belgjikës, mbështetësit e lëvizjes kundër racizmit po rrëzojnë ose gjymtojnë statujat e personaliteteve të tilla si Jefferson Davis, mbreti Lepold, apo Baden Powell, simbole të një epoke skllavopronare që sipas tyre, duhet fshirë nga kujtesa.

“Këto statuja janë një fyerje ndaj personave me ngjyrë dhe heqja e tyre konsiderohet një fitore simbolike për të gjithë atë që janë skllavëruar në të shkuarën e që vazhdojnë të preken edhe sot nga pabarazia”, tha Amina Ali.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi kërkon heqjen e të gjitha monumenteve të udhëheqësve të Konfederatës nga holli i godinës së Capitol Hill.

“Statujat që mbushin hollet e Kongresit duhet të reflektojnë idealet tona më të larta si amerikanë. Sot, bëj edhe një herë thirrje për heqjen nga godina e Kapitolit, të 11 statujave që përfaqësojnë ushtarë dhe zyrtarë të vendeve të Konfederatës. Statujat iu bëjnë homazh urrejtjes dhe jo trashëgimisë”, tha Pelosi.
Por ndërsa Pelosi e zyrtarë të lartë të ushtrisë pranojnë nevojën për ndryshim, madje edhe mbi riemërtimin e bazave që mbajnë emrat e udhëheqësve të Konfederatës, presidenti amerikan nuk pranon të bëjë kompromis me atë që e quan trashëgimi të madhe të Amerikës.

Në syrin e ciklonin ka përfunduar edhe personalitet të nderuara historike të tilla si Einston Churchill. I konsideruar si hero kombëtar nga shumica, të tjerë e venë theksin tek pikëpamjet e tij racore, mbi superioritetin e racës së bardhë. Statuja në Westminster e ish kryeministrit që udhëhoqi Britaninë drejt fitores në Luftën e Dytë Botërore u vandalizua e në fytyrën e tij u shkruajt fjala racist.
Në fokus të zemërimit racor është vënë edhe eksploruesi Christofor Colombi, statujës në boston të së cilit, ju hoq koka. Njeri që besohet se zbuloi Amerikën, fajësohet se i hapi udhët kolonizimit europian në tokat e indigjenëve.

Një tjetër fushë që po ndryshon për shkak të lëvizjes anti-racore është ajo industria e filmit. “Keep your hand ëhere I can see it!” Për më shumë se 3 dekada programi televiziv “Cops”, policët, është vlerësuar si dritare në jetën reale, pa filtra dhe intime të pjesëtareve të forcave të rendit. Por tani, televizioni kabllor Universe vendosi të mos e transmetojë më, ndërsa rrjeti Paramaunt njoftoi se do të ndërpresë prodhimin “Cops” dhe programi i ngjashëm “Live PD”, janë bërë shënjestër e kritikave të shumta, për shkak të glorifikimit që i bën efektivëve të policisë që pasqyrohen gjithmonë si personazhet e mire.
“Këto programe janë ndërtuar për t’i trembur njerëzit, për t’i bërë ata të besojnë se e vetmja gjë mes tyre dhunës që shohin në ekran është, vija e hollë blu”, shprehet Dan Taberski nga “Running from COPS”.

Por dokumentarët mbi policët nuk janë të vetmet ikona të showbizit që vihen në mikroskop pas vrasjes së George Floyd. “HBO-MX”, në pronësi të së njëjtës kompani si CNN, ka hequr nga katalogu filmin fitues të çmimit Oscar ‘Bashkë me erën”. Prodhimi i vitit 1939, i cili tregon me nota romantike jugun e Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës Civile, kritikohet për mënyrën se si e portretizon komunitetin afro-amerikan dhe skllavërinë. HBO thotë se klasiku i kinemasë do të rikthehet, por duke përfshirë një diskutim mbi kontekstin historik dhe denoncim të racizmit.

“Po vërtet, ai glorifikon jugun e paraluftës dhe skllavërinë. Mendoj se filmi ka vendin e tij në histori, por përfundimisht është problematik në shumë aspekte” shpjegon Nischelle Turner.
Audiencat po kërkojnë gjithmonë e më shumë filma dhe programe mbi eksperiencën e personave me ngjyrë dhe drejtësinë racore; prodhime si “Just mercy”, “The hate u give” apo “Black-ish”. Gjithashtu, 4 prej 5 librave më të shitura këto kohë nga Amazon, trajtojnë çështjen racore.

“Ky është një ndryshim shumë i madh kulturor. Të gjithë këta lojtarë të fuqishëm në shoqëri, nga Hollivudi tek bashkitë, po u përgjigjen protestuesve pas disa javësh aksion”, tha profesori Steven Thrasher. Ndryshimi kulturor përfshin edhe garat me makina. Pas thirrjeve të pilotit afro-amerikan Bubba Wallace, kompania Nascar njoftoi se do të ndalojë adhuruesit të sjellin flamuj të konfederatës në gara.