MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si të kujdesem për një shëndet më të mirë oral?

01.06.2020 - 09:20

Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si të kujdesem për një shëndet më të mirë oral?

Mjeku: Mbajini dhëmbët të pastër
Kjo do të thotë që duhet t’i lani me pastë dhëmbësh të fluorizuar për 2 minuta të paktën 2 herë në ditë. Shmangni pastat zbardhuese të dhëmbëve që mund të dëmtojnë zmaltin.

Zgjidhni furçën e duhur
Furçat manuale bëjnë një punë shumë të mirë, por pajisjet elektrike mund të bëjnë një punë edhe më të mirë. Këto të fundit mund të jenë më të lehta për t’u përdorur dhe nga personat në moshë.

Pastroni mes dhëmbëve
Pastroni dhe ndërmjet dhëmbëve çdo ditë, në mënyrë që të largoni çdo grimcë ushqimi që mund të ketë mbetur aty.

Bëni vizita te dentisti
Ndërkohë që shumë dentistë rekomandojnë një pastrim dhe kontroll të dhëmbëve çdo 6 muaj, shumica e njerëzve mund të jenë mirë edhe nëse e bëjnë këtë kontroll një herë në vit.

Por nëse keni sëmundje të mishit të dhëmbëve, pini duhan apo jeni me diabet, njëherë në 6 muaj është më e përshtatshme.

Kuptojeni kur është një emergjencë
Një dhimbje e vazhdueshme, therëse, që e bën të vështirë përtypjen apo kafshimin mund të jetë një shenjë infeksioni, sidomos nëse shoqërohet me enjtje faciale. Këto infeksione mund të përhapen në nofull, kokë dhe qafë, kështu që duhet të kërkoni menjëherë trajtim tek dentisti juaj.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.