Qeveria ka hartuar një projektligj i cili synon adresimin e problematikave të regjimit fiskal për operacionet hidrokarbure, duke i siguruar më shumë përfitim shtetit nga burimet e saj hidrokarbure, njëkohësisht pa dekurajuar investitorët.
Marrëveshjet hidrokarbure janë arritur mbi baza jouniforme dhe kjo ka krijuar çështje të vështira ndërlidhjeje ndërmjet marrëveshjeve dhe legjislacionit fiskal ekzistues.
P/ligji i cili ka mbërritur në Kuvend për shqyrtim adresohen pikërisht këto çështje, duke i dhënë përparësi ligjit dhe më pas marrëveshjeve.
Sipas relacionit shoqërues, sistemi ekzistues është i një natyre hibride përmes së cilës taksa vendoset nga ligji, por ligji për të vendosur bazën e taksës mbështetet kryesisht në marrëveshjet hidrokarbure.
Me asistencën e një grupi teknik nga departamenti i çështjeve fiskale në FMN, në qershor 2018, u arrit në një vlerësim teknik dhe krahasues të regjimit aktual fiskal të sektorit hidrokarbur.
Ky grup vlerësoi regjimin dhe paraqiti alternativa për reforma, veçanërisht në drejtim të sigurimit të përfitimit më të madh për vendin nga burimet e veta hidrokarbure, por në të njëjtën kohë pa dekurajuar investimet në sektor.
Duke qenë se ky sistem hibrid duhet të zëvendësohet me një sistem sipas të cilit baza e tatueshme përcaktohet me ligj dhe jo marrëveshje, projektligji parashikon se tatimi mbi fitimin i vendosur për operacionet hidrokarbure në parim është i njëjtë me atë të vendosur në ligjin e tatimit mbi të ardhurat, por mbi një bazë të veçantë tatimore dhe me një normë të veçantë tatimi. Gjithashtu, sqaron se operatorët e hidrokarbureve mbeten përgjegjës për tatimin mbi fitimin në normën 15% të tatimit mbi fitimin për operacionet johidrokarbure.
Përmes këtij p/ligji po ashtu zhvendoset taksa e rentës minerare nga ligji për taksat kombëtare, pa ndryshuar normën në të cilën vendoset taksa. Zhvendosja e taksës së rentës në këtë projektligj lehtëson një ndërlidhje më të mirë me regjimin rregullator.
Ndryshimet parashikohen të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2021. Për marrëveshjet hidrokarbure që tashmë janë nënshkruar në p/ligj përcaktohet se administrata tatimore do të zbatojë legjislacionin fiskal, pasi merr në konsideratë çdo mbrojtje specifike apo përjashtim fiskal të parashikuar në marrëveshje.